Mendimi i Papës për viktimat në Indonezi dhe për uraganin Ian
R.SH. - Vatikan
Pas lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kujtoi viktimat e uraganit që goditi fillimisht ishullin e Kubës e, më pas, edhe shtetin e Floridës. Françesku siguroi se lutet edhe për të vdekurit e të plagosurit gjatë tragjedisë në stadiumin indonezian të Malang.
"Jam pranë popullatës së Kubës dhe të Floridës, dëmtuar rëndë nga një uragan i fuqishëm”. Me këto fjalë Papa kujtoi shkatërrimin e shkaktuar nga uragani Ian, duke siguruar lutjen e tij: “Zoti i pranoftë viktimat, u dhëntë ngushëllim dhe shpresë atyre që vuajnë dhe e ndihmoftë angazhimin e solidaritetit”
Dëme në Kubë dhe në Florida
Pasi goditi rëndë ishullin Kuban dhe Floridën, uragani Ian arriti në Karolinën e Jugut. Është një nga më të fortët e regjistruar në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadës së fundit. Ian duket se ka mbërritur në Karolinën e Jugut si stuhi e kategorisë së parë, me erëra dhe shi më pak të furishëm, se ato që jetoi Florida, ku ishte i kategorisë 4 (niveli maksimal është 5, gjithashtu katastrofik), me erëra që arritën shpejtësinë prej 240 kilometrash në orë, por më pas u qetësuan, ndërsa uragani u zhvendos në brendësi të tokës.
Ndërkohë është shqetësues edhe uragani Orlene, që po arrin në Meksikë. Në ishullin e Karaibeve flitet për tri vdekje. I gjithë ishulli u prek rëndë kur sistemi Eléctrico Nacional u shemb plotësisht të martën, së bashku me internetin dhe shërbimet e telefonisë celulare. Shoqëria Tabacuba, e cila merret me prodhimin e duhanit, duket se ka pësuar dëme të rënda. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, u dëmtuan të paktën 8500 hektarë kultura bujqësore. Pesë ndërtesa u shembën plotësisht në Havanë, rreth 68 të tjera, vetëm pjesërisht.
Indonezi, tragjedi në një ndeshje futbolli
Në përfundim të lutjes së Engjëllit, Françesku kujtoi edhe viktimat e një tragjedie në Indonezi, duke siguruar: “Lutem për ata që humbën jetën dhe u plagosën në ndeshjet e shpërthyera pas një ndeshje futbolli në Malang, Indonezi”.
Rreth 200 të vdekur
Kronika akuzon tifozët, që shkaktuan përleshje në fund të një gare futbolli në Malang, në provincën e Javës Lindore: në turmë humbën jetën rreth 200 vetë. Presidenti kujtoi se masat e sigurisë duhen rivlerësuar tërësisht. Sipas raporteve të mediave lokale, tifozët e Arema FC hynë në fushë pasi ekipi i tyre humbi 3-2 në ndeshjen kundër Persebaya Surabaya. Oficerët e policisë u përpoqën t’i bindin tifozët të kthehen në tribunë, duke përdorë gaz lotsjellës. Atëhere nisi ikja e turrshme e një turme mbresëlënëse. Kreu i shtetit indonezian, Joko Widodo, urdhëroi të rishikohet plani i sigurisë për ndeshjet e futbollit. Ministri i Sportit dhe Rinisë, kreu i policisë kombëtare dhe kreu i shoqatës së futbollit indonezian u urdhëruan “për një vlerësim të plotë të ngjarjes”, siguroi Widodo në një deklaratë televizive.