Papa priti kryeministrin e Luksemburgut, u fol për paqen dhe refugjatët
R.SH. - Vatikan
Audienca e Papës Françesku me kryeministrin e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Xavier Bettel, sot paradite në Pallatin Apostolik në Vatikan zgjati mbi gjysmë ore. Më pas, Kryeministri u takua me Sekretarin të Shtetit tё Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Bisedimet
Siç njofton zyra e shtypit e Vatikanit, "gjatë bisedimeve të përzemërta u vlerësuan marrëdhëniet e mira dypalëshe. Pastaj bisedua u përqendrua në disa çështje me interes të përbashkët, me njё vëmendje të veçantë ndaj marrëdhënieve mes Kishës dhe shtetit". Në vazhdim të bisedës, njofton zyra e shtypit e Vatikanit, "u përmend nё mënyrë veçantë lufta në Ukrainë dhe përkushtimi për paqen. U fol edhe mbi çështje të tjera evropiane dhe ndërkombëtare, përfshirë krizën e migracionit dhe nevojën për t’u ofruar ndihmë migrantёve dhe refugjatëve”.
Dhuratat
Pas prezantimit të delegacionit të Luksemburgut, në momentin e shkëmbimit të dhuratave, Bettel i ofroi Papës disa produkte pastiçerie nga vendi i tij. Papa Françesku ia ktheu me dhuratën e një vepre bronzi që paraqet një fëmijë që ndihmon një tjetër të ngrihej, me fjalët "Ndihmë Dashuri". Më pas i dorëzoi kryeministrit vëllimet e dokumenteve papnore, Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2022, Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore dhe librin mbi Statio Orbis të 27 marsit 2020, redaktuar nga shtёpia botuese e Vatikanit (Lev).