Avioni i rrëzuar në Tanzani Avioni i rrëzuar në Tanzani

Dhimbja e Papës për viktimat e aksidentit ajror në Tanzani

Një avion i kompanisë private lokale Precision Air u rrëzua ndërsa i afrohej qytetit të Bukoba-s, në veriperëndim të vendit afrikan. Në një telegram për Nunciaturën Apostolike, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, Françesku shpreh ngushëllimet e tij për viktimat dhe siguron afërsinë e tij shpirtërore

R.SH. – Vatikan

 Tanzania mban zi për vdekjen e 19 personave, që humbën jetën pas rrëzimit të një avioni në liqenin Viktoria, më i madhi në Afrikë, për arsye ende të paqarta. Me ngushëllimet e përgjithshme u bashkua edhe Papa Françesku, i cili në një telegram dërguar Nunciaturës Apostolike të vendit, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, “siguron për afërsinë së tij shpirtërore për të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi”.

Papa, “në veçanti – lexohet në telegram – lutet për pushimin e pasosur të të vdekurve, për shërimin e të plagosurve”, duke i kërkuar Zotit “forcë për ata, që morën pjesë në operacionet e shpëtimit”. Ati i Shenjtë lutet që Zoti i Gjithpushtetshëm t’i ngushëllojë e t’u japë paqen shpirtërore të gjithëve.

Aksidenti

Avioni i kompanisë private lokale Precision Air, u rrëzua ndërsa po mbërrinte në destinacion, në qytetin Bukoba, në veriperëndim të vendit. Siç njoftojnë mediat lokale, ai “përfundoi në ujë rreth 100 metra larg aeroportit”. 24 nga 43 personat në bord u shpëtuan.

08 nëntor 2022, 08:19