Françesku u kthye nga Bahreini, Papa i parë në Mbretërinë e dy deteve

Boeing i Gulf Air me Papën në bord mbërriti në aeroportin e Romës, Fiumicino, pak pas orës 16.40. Në bazën ajrore Sakhir të Awali-t, ceremonia e lamtumirës në prani të Mbretit dhe të Imamit të madh të Al-Azharit, Al-Tayyib

R.SH. – Vatikan

Përfundoi sot udhëtimi i 39-të apostolik i Françeskut, Papa i parë që vizitoi Bahreinin, Mbretërinë e dy deteve. Avioni u nis në orën 11.16 evropiane e mbërriti në aeroportin e Romës, Fiumicino, rreth orës 16.40. Në aeroportin Sakhir të Awali-t, qytet i shumicës së veprimtarive të Atit të Shenjtë, nga 3 deri më 6 nëntor, Papa u përshëndet nga mbreti Hamad bin Isa Al Khalifa, nga Princi trashëgimtar dhe kryeministri, Salman bin Hamad Al Khalifa, nga tre fëmijët e tjerë të Mbretit, nga një nip i tij dhe nga Imami i Madh i al-Azharit, Al-Tayyib.

Takimi me një grup shtegtarësh katolikë

Para se të nisej nga rezidenca papnore, ku qëndroi këto ditë, Ati i Shenjtë u takua me një grup prej rreth dhjetë shtegtarësh katolikë nga rajoni, në kishën e lashtë të Zemrës së Krishtit. I falënderoi për dëshminë e tyre dhe i këshilloi të mbështeten vazhdimisht te lutja, pa e humbur sensin e humorit, “buzëqeshjen e zemrës”. I mallëngjyer, Papa i bekoi dhe i përshëndeti individualisht.

Vëllazërim e paqe, fjalët e udhëtimit

Ati i Shenjtë shkoi në Bahrein më 3 nëntor si “shtegtar i paqes”, siç tha vetë. Mori pjesë në Forumin për Dialogun kushtuar bashkëjetesës ndërmjet Lindjes e Perëndimit të botës, duke nënvizuar shpesh disa fjalë kyçe për krejt udhëtimin: dialog, vëllazërim, respekt e paqe. Papa bëri thirrje që të heshtin armët e të ndalet lufta në Jemen e në Ukrainë. Françesku la sot pas një vend, që e priti me ngrohtësi e një Kishë të përforcuar në fe.

06 nëntor 2022, 16:45