Kërko

Françesku në Bahrein, në bisedë me Bartolomeun dhe Al-Tayyib

Në dy momente të ndryshme, Papa u takua me Patrikun e Kostandinopojës dhe me Imamin e madh të Al-Azharit, të cilin e pati parë edhe sot paradite në Forumin e Awali-t mbi dialogun, në Bahrein. Kreu i Islamit sunit u duartrokit fuqishëm për fjalimin e tij “guximtar” mbi dialogun ndërmjet myslimanëve

R.SH. – Vatikan

 “I dashur vëlla”: kështu i quajti Papa të dy liderët fetarë, si Patrikun Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeun, ashtu edhe Imamin e Madh të Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyib, në fjalimin e tij në mbylljen e Forumit të Bahreinit kushtuar Dialogut ndërmjet Lindjes e Perëndimit, ku morën pjesë të dy, së bashku me udhëheqës fetarë nga e gjithë bota. Pasdite, para takimit me Këshillin Mysliman të Pleqve, Françesku deshi t’i takonte dhe t’i përqafonte privatisht, në dy çaste të ndryshme, në kompleksin e Pallatit Mbretëror Sakhir, rezidenca papnore e udhëtimit të 39-të apostolik.

Përqafimi me Patrikun ortodoks

Takimi me Bartolomeun u zhvillua “në një atmosferë vëllazërimi dhe dashurie”, siç njofton Salla e Shtypit e Vatikanit. Pamjet tregojnë përqafimin e përzemërt mes të dyve, të njëjtin që kanë shkëmbyer gjithmonë, në çdo takim, duke filluar nga të parët, në Tokën Shenjte dhe në Stamboll.

Përshendetja me Imamin e Madh

Më pas, Papa takoi Imamin e Madh, të cilin e pati parë edhe shtatorin e kaluar, gjatë vizitës së tij në Kazakistan. Me të shkëmbeu dhurata dhe e uroi për fjalimin e mbajtur nga lideri sunit gjatë Forumit, përqendruar në nevojën e “dialogut” serioz për pajtim dhe unitet brenda Islamit, ku të përfshihen edhe myslimanët shiitë. “Faleminderit për këtë vizitë”, i tha Françesku al-Tayyibit, “ishit shumë i guximshëm sot, kur folët për dialogun ndërmjet myslimanëve”.

Në fund të takimit, Papa dhuroi një pemë ulliri, simbol i paqes dhe vëllazërimit. Të dy u zhvendosën në xhaminë e Pallatit Mbretëror Sakhir për t'u takuar me anëtarët e Këshillit Mysliman të Pleqve, kryetar i të cilit është pikërisht Imami i Madh i Al-Azharit.

04 nëntor 2022, 15:31