Françesku: vetëm me dialog, bie poshtë tirania e përçarjes
R.SH. – Vatikan
Llogoret, që ngrenë pengesa kundër armikut, nuk janë vetëm ato, që gërmohen me buldozer. Ka edhe llogore, që nuk preken, llogore "ideologjike", në të cilat nuk përfundojnë njerëzit, por vetë konfliktet, duke u mbrojtur aq mirë sa është e pamundur t’u japësh fund. Barriera, që nxisin "polarizime dhe ekstremizma, të cilat na pengojnë të bashkohemi”. Ky është shqetësimi i Papës, të cilin e shpreh qartë në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve në Ditët e Baritorisë Shoqërore, organizuar nga kryedioqeza e Buenos Ajresit. Në edicionin e tyre të 25-të, kanë për temë "Kombi si bashkësi me fat të përbashkët".
E mira e përbashkët mbi të mirën e përveçme
Në teksin, që u lexua të shtunën, Françesku përmend pandeminë e kaluar dhe të tashmen, e cila kërcënohet nga lufta bërthamore e nga kriza të sistemit, siç janë ato migratore dhe ekologjike, me pasoja të mëdha për njeriun. Por ajo, që i bën më shumë përshtypje, është svetënimi i “ndjenjës së përkatësisë, e vetmja në gjendje të hedhë poshtë tiraninë e përçarjes dhe të konfliktit”, duke u përpjekur për “të mirën e përbashkët, që është shumë më tepër se shuma e të mirave të përveçme”.
Përtej dialektikës së përplasjes
Për t’iu kundërvënë këtij polarizimi, i cili nuk na lejon të gjemë zgjidhje për problemet e kësaj bote, Papa mendon se është urgjente të rifitojmë aftësinë për dialog, duke krijuar një kulturë takimi, që shkon përtej dialektikës së përplasjes. Është fjala për “një mënyrë jetese, për një lloj kulture e qytetarie, që priret të formojë atë shumëfaqësh”, i cili i jep mundësinë njerëzimit të bashkohet, pa e humbur larminë. Ati i Shenjtë kërkon që kjo përpjekje të bëhet edhe brenda Kishës, e cila ka një histori sakrificash, shprese dhe lufte të përditshme, që u mëson njerëzve si të jetojnë me djersën e ballit e t’i përballojnë problemet pa u ndeshur me njëri-tjetrin.