Papa me imzot Sviatoslav Shevchuk Papa me imzot Sviatoslav Shevchuk

Shevchuk në Vatikan: Papa përkrah popullin ukrainas me lutje e gjeste

Françesku priti në audiencë kreun e Kishës greko-katolike ukrainase. Është hera e parë, që ai del nga vendi, nga fillimi i luftës: i thashë Atit të Shenjtë se Kisha u ka qëndruar pranë njerëzve, çdo katedrale dhe çdo strukturë është kthyer në strehim

R.SH. – Vatikan

Populli i martirizuar ukrainas. Papa Françesku e përdor shpesh këtë frazë pas fillimit të luftës në Ukrainë, më 24 shkurtin e kaluar. E sot paradite, një përfaqësues i asaj toke, kreu i Kishës greko-katolike të Ukrainës, imzot Sviatoslav Shevchuk, kapërceu kufirin, që nuk e kishte kaluar nga koha e sulmit të ushtrisë ruse kundër vendit të tij, për të sjellë tek Françesku ndjenjat e popullsisë.

Falënderimet e një populli për afërsinë e Papës

Takimi u zhvillua në bibliotekën private të pallatit apostolik dhe më pas, në një notë-dëshmi të ngjashme me ato që publikon prej tetë muajsh, kryeipeshkvi i madh i Kiev-Halic njofton për audiencën, duke nënvizuar se e falënderoi Papën për gjithçka ka bërë për ta ndalur luftën dhe për të ndërmjetësuar në favor të paqes, për të liruar pengjet dhe të burgosurit, duke marrë sërish premtimin se Papa e shoqëron popullin ukrainas me lutje e gjeste.

Si dhuratë, një copë mine

Nga ana e tij, imzot Shevchuk i solli Françeskut fragmentin e një mine ruse, që marsin e kaluar shkatërroi fasadën e ndërtesës së kishës greko-katolike ukrainase në qytetin e Irpinit. Një pjesë mine, thuhet në notë, “nxjerrë nga trupat e ushtarëve, civilëve dhe fëmijëve ukrainas, shenjë e dukshme e shkatërrimit dhe vdekjes, që sjell lufta çdo ditë”.

Papa, vihet në dukje në notën e Sekretarisë së Kryeipeshkvit të Madh, siguroi impenjimin e Selisë së Shenjtë për paqen dhe inkurajoi Kishën e vendit të Evropës Lindore t’i qëndrojë pranë popullsisë. Një angazhim që prelati ukrainas e theksoi me forcë, duke i treguar Françeskut atë që pa ndërsa vizitonte territoret më të prekura nga lufta. “I tregova Papës – thuhet në notë – për shërbimin e ipeshkvijvd, meshtarëve, murgjve dhe murgeshave tona në territoret e pushtuara… I shpjegova se çdo katedrale, kishë dhe manastir është kthyer në qendër strehimi, mikpritjeje dhe shërbimi humanitar”. Papës iu paraqit edhe plani baritor për vitin  2023, që parashikon shërbimin për të ligështit dhe të shpërngulurit.

Në Romë, “për të sjellë britmën e popullit ukrainas në zemër të krishtërimit”

Kryeipeshkvi i Madh i Kishës greko-katolike të Ukrainës mbërriti dje në Romë, ku do të qëndrojë një javë, lexohet në notë, me synimin “për të sjellë britmën e popullit ukrainas në zemër të krishtërimit, me shpresën për një paqe të denjë, që t’i japë drejtësi popullit ukrainas të sulmuar”.

Imzot Shevchuk kryesoi dje Liturgjinë Hyjnore në katedralen e Shën Sergjit e të Shën Bakut të Ukrainasve, në kryeqytetin italian. Gjatë javës do të ketë takime në Dikastere të ndryshme të Kuries Romake, për të shpjeguar gjendjen në Ukrainë. Më 14 nëntor, do të flasë për këtë me një grup të zgjedhur ambasadorësh të akredituar në Selinë e Shenjtë. Çdo ditë, që nga fillimi i luftës, kreu i Kishës greko-katolike ukrainase publikon një videomesazh për popullin e tij, që përhapet në gjithë botën, në gjuhë të ndryshme.

07 nëntor 2022, 13:27