Në Romë hapen për publikun gërmimet e Shën Markut, "famullia e parë në histori"
R.SH. - Vatikan
Në Solemnitetin e Kushtimit, sot, 13 nëntor, Vatican News, vizitoi zonën poshtë bazilikës romake me gjurmët e para të krishtera të vendit, ku ruhet kujtimi i predikimit të Shën Markut.
Në Romë gërmimet e Shën Markut, "famullia e parë në histori"
Zbresim poshtë Bazilikës së Shën Markut Ungjilltar në Campidoglio, për të zbuluar gjurmën paleokristiane, të cilën publiku do të mund ta admirojë brenda pak javësh. Puna e restaurimit, e cila nisi në fillim të këtij viti, përfundoi korrikun e kaluar. Për Vatican News dyert u hapën paraprakisht: udhërrëfyesi është famullitari, imzot Renzo Giuliano, ekspert në artin e lashtë. Ai na prin në atë, që nuk ngurron ta quajë “famullia e parë në histori”.
Në vendin, që të kujton predikimin e Shën Markut
Bazilika, siç duket sot, është ende ndërtesa që i atribuohet ndërhyrjes së Gregorit IV (827-844), pra e shekullit të nëntë, pavarësisht nga ndërhyrjet e shekullit të gjashtëmbëdhjetë dhe të tetëmbëdhjetë, si dhe modifikimet e mëparshme, në kohën e Palit II (1464- 1470) kur u ndërtua Palazzo Venezia, në të cilin u përfshi edhe kisha. Në atë kohë duhet të ishte katandisur në gjendje shumë të keqe, aq sa Papa deshi ta rindërtonte nga themelet, ta dekoronte me mozaikë dhe t'i jepte pamje shumë tërheqëse. Ishte ndërhyrje, që i zhduku plotësisht gjurmët e mëparshme monumentale.
Vendi ku ndodhemi quhet apud palacina, vend ku mund të vërtetohet sakaq kujtimi i Shën Markut. Jeta e tij si ungjilltar lindi pikërisht këtu, pranë rrënojave të një domusi romak: këtu u mblodhën të krishterët e parë dhe dëgjuan predikimin e Pjetrit dhe të Markut, i cili kishte mbërritur me të në këtë metropol të madh. Më pas ai do të dërgohej në Aleksandri të Egjiptit, qytetërim i trazuar në atë kohë. Këtu do të kapej në fill të mortjes, më 24 prill 68; të krishterët i patën mbledhur reliket e tija, ruajtur në një vend të shenjtë. Atëherë dy tregtarë venecianë, për ta shpëtuar nga duart e të pafeve, i patën sjellë me shumë urti në Venedik. "Papa Marku, famullitari i lashtë i oratorit të Shën Markut, e ndërtoi këtë bazilikë nën Konstandinin (në vitin 336)”, e para - specifikon Don Giuliano - e projektuar si famulli.
Këtu u zbulua “gurra e pagëzimit": po, mund të dallohen gjurmët e perimetrit të gurrës, që ka formë të pazakontë kryqi, me kanalet e daljes së ujit dhe gjurmët e dyshemesë me pllaka të bardha prej mermeri. "Kisha, e kërkuar nga Papa Marku, ishte shprehje e vëmendjes ndaj jetës baritore të besimtarëve të zonës, që jetonin pranë qendrës së qytetit, ku ngriheshin Forumet Perandorake: zonë e populluar dendur nga paganë dhe vëllezër hebrenj, asokohe me 45 mijë banorë”.
Rezultati i tri fushatave të gërmimeve, për të hartuar një histori të re të Bazilikës
Ishte puna për bonifikimin nga lagështia, kryer nga inxhinierët e ndërtimit ndërmjet viteve I947-I949 dhe gjithashtu në fillim të viteve 1950, që nxori në dritë zanafillen paleokristiane përposhtë.
U lëviz dyshemeja e navatës qendrore të kishës Gregoriane dhe doli në dritë pjesa më e madhe e kishës si dhe themelet e mesjetës së hershme. Fatkeqësisht, në atë rast të mbarë, nuk u kryen gërmime të kujdesshme dhe të përshtatshme. U deshën tri fushata gërmimi, të kryera ndërmjet viteve 1988 dhe 1990, për të përshkruar historinë e re të fazave të bazilikës së Shën Markut. Fillimisht, në zonën e portikut të Rilindjes doli në dritë struktura e absidës primitive dhe një shteg rrugor i panjohur deri tani, mbi të cilin projektohet absida, e cila ka një dalje normale për në Via Lata. Kjo rrugë ka rëndësi të konsiderueshme për kontributin e saj në njohjen e sistemit rrugor të ish zonës Pallacinae. Dyshemeja prej mermeri ka gjatësi të konsiderueshme, shenjë prestigji. Përsa i përket fasadës, nuk mund të thuhet asgjë pasi ende nuk është gjetur. “Absida në dy kishat e lashta ishte përballë asaj që shohim sot”, vazhdon Don Renzo. "Papa Gregori IV ndryshoi perspektivën, për të parandaluar që Tiberi, siç kishte ndodhur në raste të tjera, ta pushtonte kishën dhe ta bënte të papërdorshme”.
Po historia nuk mbaron këtu! Do të vijojë, njëheresh me vijimin e gërmimeve, ashtu si do të vijojnë edhe vizitat, për të parë vendin ku predikoi njëri nga Apostujt e parë të Krishtit!