Kërko

2022.11.24 Apertura del Festival della Dottrina Sociale 2022.11.24 Apertura del Festival della Dottrina Sociale

Papa: jetojmë në një skenar të zymtë, që kërkon punë korrigjuese

Në Festivalin e Doktrinës Shoqërore të Kishës, në Veronë, arrin mesazhi i Françeskut, që mbështet kulturën e takimit dhe të besimit, parë si mënyrë "për të dalë nga logjika e luftës, e cila shikon tek tjetri armikun, kërcënimin, pushtuesin”

R.SH. - Vatikan

Besimi dhe pasioni: “shenjat e dyfishta” që Francesco na fton t’i ndjekim në një rrugë, të cilën e shikon si “shumë të nevojshme”. Rasti është edicioni i dymbëdhjetë i Festivalit të Doktrinës Shoqërore Kishës,  hapur në Veronë, pjesëmarrësve të të cilit Papa u dërgoi një videomesazh.

Rëndësia e "ndërtimit, në kohë konflikti

E mira e përbashkët nuk është thjesht mundësi, por "çimentoja, mbi të cilën ndërtohet një shoqëri e drejtë, e vërtetë, e bukur". Papa e kujton në këtë tekst, në të cilin shpreh kënaqësinë për zgjedhjen e temës së këtij viti: “Të krijojmë besim. Pasioni i takimit”. Më pas kujton çastin aktual historik, minuar nga zymtësia, pasojë e efekteve të dëmshme të luftërave:

“Jetojmë në një stinë ndeshjesh të mëdha, të cilat duket se mohojnë atë qëndrim besimi ndaj të tjerëve, që mbështetet nga ndjenja e sigurisë dhe e  qetësisë. Të mendojmë për konfliktet e shumta, që vijojnë në mbarë botën - jemi në luftën e tretë botërore - me pasojë varfërinë, vuajtjen, viktimat e pafajshme, të ardhmen e mohuar të fëmijëve... Një skenar i zymtë, i cili kërkon ndërhyrje vendimtare përmes një pune rindërtuese…Në këtë kuptim, folja që keni zgjedhur - ‘për të ndërtuar’ - është shumë e përshtatshme”.

Besimi nuk mund të ekzistojë pa tjetrin

E këtu Papa përsërit metaforën e zejtarëve, ndërtues të paqes, të bukurisë, të besimit:

“Planifikimi përfaqëson aftësinë për të vënë në rregull idetë, nismat, impulset e pasionuara, duke respektuar kohën e realizimit të çdo gjëje dhe kohën e çdo personi. Vetëm kështu ndërtimi i përfunduar do të jetë në gjendje t'u bëjë ballë dallgëve të historisë dhe kartela e besimit do të përfaqësojë treguesin e nevojshëm për ta mbajtur të qëndrueshme të gjithë ndërtesën”.

Papa citon, në vijim, fjalët e Jeremisë Profet, që "tregon si duhet të veprojë njeriu, për të mos mbetur skllav i interesave partiake dhe për të pasur një perspektivë, që i kapërcen kufijtë dhe kontradiktat". Pastaj, pyetja e Papës: “Kujt i beson njeriu sot? Takimi duhet të bëhet dëshira më e madhe!”.

Në Veronë hapet Festivali i Doktrinës Shoqërore, katër ditë në kanalet tona

Takimi është në bazë të besimit dhe të pasionit! Është "shkëndija që ngroh zemrat dhe i bën të tjerët të hapin krahët" - këmbëngul Papa - duke kujtuar thirrjen  në “Fratelli tutti”, për ta kapërcyer edhe vetveten.

“Kjo është përmasa, që na lejon ta shndërrojmë egoizmin në vëllazërim, indiferencën në pasion, shpatat në plore dhe shtizat në drapërinj. Është mënyra për të dalë nga logjika e luftës, që sheh tek tjetri armikun, kërcënimin, pushtuesin, për të hartuar rrugë të mundshme paqeje”.

Ftesa me të cilën Papa mbyll videomesazhin, është që  secili në sferën e tij, “të promovojë dhe të ushqejë këtë lloj kulture, duke ndjekur shembullin e Don Adriano Vincentit, i cili e konceptoi “me pasion” këtë Festival

25 nëntor 2022, 11:43