Shenjtëria e Tij Mar Awa II, Catholicos e Patriark i Kishës Asire të Lindjes Shenjtëria e Tij Mar Awa II, Catholicos e Patriark i Kishës Asire të Lindjes 

Papa - Katolikos Mar Awa III: së bashku drejt një date të përbashkët për Pashkët

Në takimin me Patriarkun e Kishës Asiriane të Lindjes, Françesku shprehu dëshirën për ta festuar Ngjalljen e Krishti në të njëjtën ditë. Bëri thirrje edhe për të krishterët e Lindjes së Mesme, që të garantohen të drejtat e tyre, “në veçanti liria dhe qytetaria të plotë”

R. SH. - Vatikan

“Jo i huaj, as mysafir, por bashkëqytetar”. Madje, vëlla i dashur”. Këto ishin fjalët e Papës Françesku teksa takohej me Shenjtërinë e Tij Mar Awa III, Katolikos dhe Patriark i Kishës Asiriane të Lindjes. Ati i Shenjtë shprehu mirënjohjen “për lidhjet e krijuara në dekadat e fundit” dhe kujtoi “përqafimin e ngrohtë në Erbil" me Katolikosin Mar Gewargis III, gjatë udhëtimit të tij në Irak, në fund të kremtimit eukaristik. Françesku falënderoi veçanërisht Shenjtërinë e tij Mar Awa III "që shprehu dëshirën që të gjindet një datë të përbashkët për të festuar Pashkët":

“E për këtë dua të them – të ritheksoj - atë që tha në atë kohë Shën Pali VI: ne jemi të gatshëm të pranojmë çdo propozim, por ta bëjmë të gjithë së bashku. Kujtoj se (20)25-sa është datë e rëndësishme: kremtohet përvjetori i Koncilit të parë, por është datë e rëndësishme edhe pse atë vit do të festojmë Pashkët në të njëjtën datë. Por, ne kemi guximin ta përfundojmë me këtë ndarje, që herë pas here na bën të qeshim… “Kur ringjallet Krishti juaj? E Krishti juaj, kur? Jo. Sinjali është një Krisht i vetëm për ne të gjithë: le të jemi të guximshëm dhe të kërkojmë së bashku. Unë jam i gatshëm – por jo unë. Kisha Katolike është e gatshme të ndjekë çka tha Shën Pali VI. Bëhuni bashkë dhe ne do të shkojmë atje”.

Thirrja për Lindjen e Mesme

Françesku, më pas, kujtoi se, për fat të keq, Lindja e Mesme “është ende e plagosur nga dhuna, paqëndrueshmëria, pasiguria”:

“E shumë prej vëllezërve dhe motrave tona në fe u është dashur të largohen nga tokat e tyre. Shumë po luftojnë për të qëndruar atje dhe unë përsëris, me Shenjtërinë Tuaj, thirrjen që ata të gëzojnë të drejtat e tyre, veçanërisht lirinë fetare dhe qytetarinë e plotë. Në këto rrethana, kleri dhe besimtarët e Kishave tona kërkojnë të japin një dëshmi të përbashkët për Ungjillin e Krishtit në kushte të vështira dhe tashmë në shumë vende jetojnë në bashkim pothuajse të plotë”.  

Rruga ekumenike

Papa ndalet edhe tek udhëtimi ekumenik: “është e rëndësishme që ne të afrohemi gjithnjë e më shumë, jo vetëm duke u kthyer tek rrënjët tona të përbashkëta, por edhe duke kumtuar së bashku në botën e sotme, me dëshminë e jetës e me fjalët e jetës, misterin e dashurisë së Krishtit dhe nuses së tij, Kishës. Pastaj Françesku, duke kujtuar një ëndërr, uroi:

“Ndarja me Kishën e dashur Asiriane të Lindjes, e para që zgjat në historinë e Kishës, qoftë edhe - në dashtë Zoti - e para që do të zgjidhet”.

Kisha Asiriane e Lindjes

Kisha asiriane e Lindjes është e lashtë. Veprat e Apostujve kujtojnë se "Partët, Medët, Elamitët dhe banorët e Mesopotamisë" ishin të pranishëm pranë Çenakullit ditën e Rrëshajëve. Ishin të krishterët e parë të Persisë, ku, sipas traditës, më vonë predikuan Shën Toma apostull dhe dishepujt e tij Addai dhe Mari. Në historinë e saj shekullore, Kisha Asiriane e Lindjes vijoi një traditë origjinale teologjike dhe shpirtërore, në një kontekst kulturor kryesisht semitik dhe sirian, shumë afër bashkësive të para apostolike. Në mesjetën e hershme, Kisha Asiriane e Lindjes pati një dinamizëm të jashtëzakonshëm misionar duke ndjekur rrugët e ndryshme të mëndafshit nëpër Azinë Qendrore, Indi dhe madje edhe Kinë. Ajo ka trashëgimi të njëjtë teologjike dhe liturgjike me Kishën Kaldease dhe Siro-Malabareze në Indi, të dyja në bashkësi me Kishën e Romës që në shekullin e 16-të. E që nga zanafilla e saj, Kisha Asiriane e Lindjes është përndjekur tragjikisht. Faqe dramatike, që ndërthuren me periudhat e Perandorisë Persiane, më pas të Perandorisë Mongole dhe në fund të asaj Osmane.

Këtë Kishë përfaqësonte sot në Vatikan Shenjtëria e Tij Mar Awa III, Katolikos dhe Patriark i Kishës Asiriane të Lindjes.

19 nëntor 2022, 12:24