Papa Françesku mbërriti në Bahrein, i pari në historinë e vendit
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku mbërriti në Bahrein, në udhëtimin e tij të 39-të apostolik, gjatë të cilit do të jetë protagonist i ditës së fundit të Forumit për Dialogun ndërmjet Lindjes e Perëndimit, organizuar nga vendi i Gjirit Persik. Ati i Shenjtë do të qëndrojë në Bahrein deri më 6 nëntor. Gjatë fluturimit me avion u tha këto fjalë gazetarëve:
“Ju falënderoj për shoqërinë dhe për punën tuaj. Është udhëtim interesant, do të na bëjë të mendojmë e të japim edhe lajme të mira. Shumë faleminderit për punën tuaj. Do të doja t’ju përshëndes një e nga një, por problemi është se sot kam shumë dhimbje, nuk e ndiej se mund ta bëj xhiron, por do të ishte kënaqësi për mua nëse xhiron do ta bëni ju e unë po ju përshëndes këtu (tregon me dorë vendin pranë portës së emergjencës, në fillim të rreshtit të karrigeve), faleminderit!”
Papa takohet me mbretin
Në Pallatin Mbretëror Sakhir, rezidenca e sundimtarit të Bahreinit, Françesku u takua me Madhërinë e Tij Hamad bin Isa Al Khalifa. U krijua një ambient festiv nga grupe burrash, që kërcenin nën ritmin e këngëve lokale. Pallati u ndërtua në fillim të shekullit të kaluar, por u braktis me vdekjen e Shehut dhe mbeti i mbyllur për vite me radhë. Vetëm në mesin e viteve ‘90 ai u restaurua për t’u kthyer në lavdinë e mëparshme. Arkitektura është tradicionale islame, me mure të bardha të ndritshme, harqe dhe kolona të mëdha, një kube, kulla dhe një minare mbresëlënëse.
Papa u prit nga Mbreti, Princi trashëgimtar dhe kryeministri, nga tre djemtë e tjerë të Mbretit dhe një nip. Në fund, anëtarët e familjes mbretërore shoqëruan Atin e Shenjtë në oborrin e Pallatit, ku ishin mbledhur rreth një mijë vetë për ceremoninë e mirëseardhjes dhe takimin me Autoritetet, Shoqërinë Civile dhe Trupin Diplomatik.