Papa, myslimanëve të Bahreinit: lutja dhe vëllazërimi janë armë modeste, por të frytshme
R.SH. – Vatikan
Sot pasdite, Papa Françesku u takua me anëtarët e Këshillit Mysliman të Pleqve, në praninë e Imamit të Madh të Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyib, në xhaminë e Pallatit Mbretëror Sakhir. Paqja e Zotit, uroi ai, mbi ata, që dëshirojnë të nxisin pajtimin, të shmangin ndarjet dhe konfliktet në vetë bashkësitë myslimane, që e shohin ekstremizmin si rrezik, i cili e korrupton fenë e vërtetë dhe që përkushtohen për sqarimin e interpretimeve të gabuara, të cilat e dëmtojnë fenë.
“Paqja qoftë mbi ju, që dëshironi ta përhapni paqen, duke dikuar në zemrat e njerëzve vlerat e respektit, të tolerancës dhe të moderimit; mbi ju, që përpiqeni të inkurajoni marrëdhënie miqësore, respekt të ndërsjellë dhe besim tek ata që, si unë, ndjekin një traditë të ndryshme fetare; mbi ju, që përpiqeni t'u siguroni të rinjve një edukim moral dhe intelektual, i cili u kundërvihet të gjitha formave të urrejtjes dhe të intolerancës”.
Zoti i paqes
Papa nënvizoi se “Zoti është burim i paqes” dhe si i tillë, nuk e nxit kurrë luftën, urrejtjen e dhunën, prandaj, ata që besojnë në Të, duhet të promovojnë paqen, bisedimet e dialogun. “Paqja lind nga vëllazërimi – vërejti Françesku - rritet përmes luftës kundër padrejtësisë dhe pabarazisë; arrihet, duke u shtrirë dorën të tjerëve”. Paqja duhet ndihmuar të zërë rrënjë, duke eliminuar format e pabarazisë dhe të diskriminimit, që sjellin armiqësi. Ati i Shenjtë përmendi frymën e Asizit, duke u thënë myslimanëve të Bahreinit se udhëton si vëlla e si shtegtar i paqes, me emrin e saj në gojë e me të në zemër. Nënvizoi zakonin e shtrëngimit të dorës në këtë vend arab, me dorën tjetër në zemër, si për t’i thënë tjetrit se nuk është larg nga zemra e nga jeta e atij, që i shtrëngon dorën.
“Edhe unë po e vendos dorën në zemër – tha Papa - me respekt e dashuri, ndërsa shikoj secilin prej jush dhe bekoj të Tejetlartin, që na dha mundësinë të takohemi me njëri-tjetrin”.
Takimi e vëllazërimi
Më tej, ai u bëri thirrje të gjithëve të udhëhiqen nga thënia e Imam Aliut: “Njerëzit janë të një lloji: ose vëllezër e motra në fe, ose burra e gra në humanitet”. Prandaj, myslimanë e të krishterë duhet të “lënë pas të kaluarën dhe të arrijnë me sinqeritet mirëkuptimin e ndërsjellë, për të mirën e të gjithëve, për të ruajtur dhe promovuar paqen, lirinë, drejtësinë shoqërore dhe vlerat morale”.
“Këto janë detyra, që na takojnë neve si udhëheqës fetarë: në një botë, e cila plagoset e përçahet gjithnjë e më shumë, që nën sipërfaqen e globalizimit ndien ankth dhe frikë, traditat e mëdha fetare duhet të jenë zemra, që bashkon gjymtyrët e trupit, shpirti, që u jep shpresë dhe jetë aspiratave të saj më të larta”.
Fuqia e jetës
Papa Françesku përmendi sërish Pemën e Jetës në Bahrein, duke bërë një paralelizëm me Pemën e kopshtit të Edenit në Bibël. Ashtu si njerëzit e parë, edhe sot, kur njeriu i kthen shpinën Zotit, ia lë vendin gënjeshtrës e konfliktit, i hap rrugën djallit të hyjë në botë. Dy janë pyetjet themelore edhe sot, nënvizoi Ati i Shenjtë: ajo që Zoti u bën Adamit e Evës, “Ku jeni?” (Zan 3,9) e, ajo që i bën Kainit, “Ku është vëllai yt?” (Zan 4,9).
“Atëherë, detyra jonë është unike dhe e pashmangshme: ta ndihmojmë njerëzimin të rizbulojë gurrat e harruara të jetës, t'i çojmë burrat dhe gratë të pinë nga burimet e urtisë së lashtë dhe t'i nxisim besimtarët të adhurojnë Hyjin e të jenë më afër me motrat e vëllezërit, për të cilët e krijoi tokën”.
Lutja dhe vëllazërimi
Papa Françesku vazhdoi të këshillojë lutjen dhe vëllazërimin si armë modeste por të frytshme në realizimin e kësaj detyre. Emri i Zotit, që është “paqe”, nënvizoi ai, “çnderohet nga ata, që besojnë në pushtetin e dhunës, në armët dhe në tregtinë e tyre”, që Ati i Shenjtë e quajti “tregti me vdekjen”. Konfliktet shkaktojnë emigracion e shumë probleme të tjera, denoncoi sërish ai, përveçse e kthejnë shtëpinë tonë të përbashkët në një depo arsenalesh ushtarake. Para këtyre skenarëve tragjikë, shtoi ai, duhet të “shpallim, me urtinë e të moshuarve dhe të etërve tanë, se Zoti dhe i afërmi vijnë para çdo gjëje e, se vetëm transhendenca dhe vëllazërimi do të na shpëtojnë”.
Vepra e jo vetëm fjalë
“Na takon neve t’i zbulojmë këto burime jete; përndryshe, shkretëtira e njerëzimit do të jetë gjithnjë e më e thatë dhe më vdekjeprurëse”, theksoi Papa, duke shtuar se duhen vepra e jo vetëm fjalë. Përgjegjësia jonë para Zotit dhe njerëzimit është e madhe, shtoi ai, duke u bërë thirrje të gjithëve të jenë modele shembullore të asaj që predikojnë, jo vetëm në bashkësi e në shtëpi, por edhe në botë.
“Ne, që jemi pasardhës të Abrahamit, atit të popujve në fe, nuk mund të shqetësohemi vetëm për ata, që janë “tanët”, por, ndërsa bashkohemi gjithnjë e më shumë, duhet t'i flasim gjithë bashkësisë njerëzore, gjithë banorëve të tokës”.
Papa Françesku i inkurajoi burrat dhe gratë të pyesin: “Ç’do të thotë të jesh njeri? Pse ka vuajtje, të këqija, vdekje dhe padrejtësi? Çfarë na pret pas kësaj jete?” Për disa, të zhytur në “botën e materializmit dhe të konsumizmit”, këto pyetje janë të fjetura, ndërsa disa të tjerë nuk arrijnë as t’i ngrenë, për shkak të plagëve çnjerëzore të urisë dhe të varfërisë.
“Ta mbështesim njëri-tjetrin në këtë drejtim; ta vazhdojmë takimin tonë të sotëm; të udhëtojmë së bashku!” bëri thirrje Papa Françesku. “Do të bekohemi nga i Tejetlarti dhe nga krijesat më të vogla e më të pambrojtura, të cilët Ai i do më shumë: të varfërit, fëmijët dhe të rinjtë, të cilët pas kaq shumë netësh të errëta presin agimin e dritës dhe të paqes”.