Papa në takimin ekumenik në Bahrein Papa në takimin ekumenik në Bahrein

Papa në Bahrein: bashkimi dhe dëshmia janë themelore për ekumenizmin

Gjatë Takimit Ekumenik dhe Lutjes për Paqen, në fund të ditës së tij të dytë në Bahrein, Papa Françesku theksoi nevojën për “unitetin ndërmjet të krishterëve, duke e ruajtur larminë e tyre”, si edhe për “dëshminë e jetës”, që bota ta kuptojë prej saj cilat janë tiparet e ndjekësit të Krishtit e protagonistit të paqes

R.SH. – Vatikan

Në fund të ditës së tij të dytë në Bahrein, Papa Françesku mori pjesë në  Takimin Ekumenik dhe në Lutjen për Paqen, në katedralen e Zojës së Arabisë në Awali, së bashku me Patrikun Ekumenik Ortodoks të Konstandinopojës, Bartolomeu I e me krerë të tjerë të krishterë të rajonit të Lindjes së Mesme.

Në fjalën e tij, Papa denoncoi sërish ndarjet ndërmjet të krishterëve, të cilat “e plagosin Korpin e shenjtë të Zotit”. Megjithatë, pohoi ai: “Shpirti Shenjt, që i bashkon të gjithë anëtarët, është më i madh se ndarjet tona” në këtë botë dhe na frymëzon për të thënë se “ajo që na bashkon, është shumë më tepër nga ajo, që na ndan”.

Duke reflektuar mbi leximin ungjillor, zgjedhur për këtë Takim, ku përshkruhet ardhja e Shpirtit Shenjt mbi apostujt, pra, Rrëshajët, Papa Françesku u përqendrua në dy tema kryesore: uniteti në larmi dhe dëshmia e jetës.

Bashkimi në larmi

  Ati i Shenjtë vuri në dukje se në atë Rrëshajë të parë, Shpirti Shenjt zbriti mbi dishepujt kur ata u mblodhën së bashku. Në Bahrein, theksoi ai, grigja e krishterë është e vogël, prandaj, e ndien dhe na ndihmon edhe ne ta kuptojmë “nevojën për bashkim”, për atë unitet, që mund të shtohet përmes lëvdimit të Zotit e lutjes, “të cilën Shpirti e nxit tek të gjithë”.

“Është mirë – nënvizoi Papa - që të vazhdoni ta lëvdoni Zotin, për të qenë gjithnjë e më shumë shenjë bashkimi për gjithë të krishterët”.

Siç bën shpesh, Ati i Shenjtë theksoi edhe një herë se unitet nuk do të thotë uniformitet. Ai e pranon larminë ndërmjet të krishterëve, që janë të gjithë ndjekës të Krishtit, pavarësisht nga dallimet ndërmjet njëri-tjetrit. Kjo, pohoi Papa, “është fryma e rrugëtimit tonë ekumenik”.

Dëshmia e jetës

 Tema e dytë, që trajtoi Ati i Shenjtë ishte “dëshmia e jetës". Në Rrëshajë, vuri në dukje Papa, përvoja e Shpirtit Shenjt i bëri dishepujt e parë të Krishtit “të dilnin në botë”. Dëshmia e të krishterëve, kujtoi ai, shprehet më tepër me vepra sesa me fjalë.

Gjithashtu, Françesku theksoi se besimi i krishterë “nuk është privilegj për t'u kërkuar, por dhuratë për t'u ndarë” e se dashuria është “karta e identitetit e të krishterëve, thelbi i dëshmisë së tyre”.

T’ia besojmë Shpirtit Shenjt “udhëtimin e përbashkët” të të krishterëve

 “Doja të ndaja me ju këto mendime për unitetin, që forcohet nga lutja; si edhe për dëshminë, që konfirmohet nga bamirësia”, vërejti më pas Papa, duke shtuar: “Bashkimi dhe dëshmia janë të dyja themelore”.

“Shpirti Shenjt na bashkon dhe na dërgon; Ai na mbledh në unitet me njëri-tjetrin dhe na dërgon në mision”. “Më lejoni të shtoj një reflektim: - tha Françesku, duke lënë mënjanë letrën me fjalimin zyrtar – Shpirti Shenjt krijoi një larmi të madhe atë ditë [në Rrëshajë], që mund të duket si çrregullim i madh. Por po ai Shpirt, që dikon larminë e karizmave, krijon edhe bashkimin, si unitet në harmoni. Shpirti Shenjt është harmoni, siç thoshte një nga Etërit e mëdhenj të Kishës: ‘ipse harmonia est’ - Ai është harmoni. Për këtë lutemi, që kjo harmoni të krijohet mes nesh”.

Papa Françesku e përfundoi fjalën e tij, duke i ftuar të pranishmit t’ia besojnë Shpirtit Shenjt “udhëtimin e përbashkët” të të krishterëve dhe, të luten për “një Rrëshajë të re, që do të hapë horizonte të reja dhe do t’i shpejtojë hapat e rrugëtimit drejt unitetit dhe paqes”.

04 nëntor 2022, 17:24