Bahrein. Papa të rinjve: bëhuni mbjellës të vëllazërisë e do të ndërtoni të ardhmen

Papa: jeni ju të rinj që, si udhëtarë të shqetësuar e të hapur ndaj të panjohurës, nuk keni frikë të përballeni me njëri-tjetrin, të dialogoni, të bëni zhurmë dhe të përzieni me të tjerët, duke u bërë baza e një shoqërie miqësore dhe solidare. Kjo është thelbësore në kontekstet komplekse dhe pluraliste në të cilat jetojmë: të kapërcehen pengesat dhe tё rrëzohen muret për të inauguruar një botë më afёr njeriut, më vëllazërore

R.SH. - Vatikan

"Jam i lumtur që kam parë në Mbretërinë e Bahreinit një vend takimi dhe dialogu ndёrmjet kulturave dhe besimeve të ndryshme. Dhe tani, duke u parë ju që nuk jeni të së njëjtës fe dhe nuk keni frikë të jeni bashkë, mendoj se pa ju kjo bashkëjetesë dallimesh nuk do të ishte e mundur. Dhe nuk do të kishte të ardhme! Në brumin e botës, ju jeni tharmi i mirë i destinuar të rriteni, të kapërceni shumë barriera sociale dhe kulturore dhe të nxisni filizat e vëllazërisë dhe risisë". Kёsht tha  Papa Françesku nё takimin me të rinjtë e shkollës sё Zemrёs sё Krishtit në Awali, në Bahrein.

Papa, në takimin me të rinjtë në Bahrein, u kërkoi atyre që të jenë "kampionë të vëllazërisë. Kjo është sfida e sotme për të fituar nesër, sfida e shoqërive tona, të cilat po globalizohen gjithnjë e më shumë dhe multikulturore. Shikoni, të gjitha mjetet dhe teknologjia që na ofron moderniteti - theksoi Papa Françesku - nuk mjaftojnë për ta bërë botën paqësore dhe vëllazërore. Ne po e shohim: erërat e luftës, në fakt, nuk shuhen me përparimin teknik. Vëmë re me trishtim se në shumë rajone tensionet dhe kërcënimet shtohen e ndonjëherë shpёrthejnё në konflikte. E kjo ndodh shpesh sepse ne nuk punojmë në zemër, sepse i lejojmë vetes t’i zgjerojmë distancat ndaj të tjerëve e kështu dallimet etnike, kulturore, fetare dhe të tjera bëhen probleme dhe frikё që izolojnë në vend tё mundësive për t'u rritur së bashku. Dhe kur ato duken më të forta se vëllazërimi që na lidh, ekziston rreziku i ndeshjes".

Nё vijim Papa u bёri një apel rreth tetëqind të rinjtë që merrnin pjesë në takimin qё u mbajt në shkollën e Zemrës së Krishtit: "Ju të rinjve, që jeni më të drejtpërdrejtë e më të aftë për të krijuar kontakte dhe miqësi, duke i kapërcyer paragjykimet dhe barrierat ideologjike, dua të them: jini mbjellës të vëllazërisë dhe do të jeni mbledhës të së ardhmes, sepse bota do të ketë të ardhme vetëm në vëllazëri”.

“Jeni ju të rinj që, si udhëtarë të shqetësuar e të hapur ndaj të panjohurës, nuk keni frikë të përballeni me njëri-tjetrin, të dialogoni, të bëni zhurmë dhe të përzieni me të tjerët, duke u bërë baza e një shoqërie miqësore dhe solidare. Kjo është thelbësore në kontekstet komplekse dhe pluraliste në të cilat jetojmë: të kapërcehen pengesat dhe tё rrëzohen muret për të inauguruar një botë më afёr njeriut, më vëllazërore, edhe nëse kjo do të thotë të përballemi me sfida të shumta”, shtoi Ati i Shenjtё Françesku.

"Si Papë dua t'ju them: Kisha është me ju dhe ka shumë nevojë për ju, për secilin prej jush, për t'u rinovuar, për të eksploruar shtigje të reja, për të eksperimentuar gjuhë të reja, për t'u bërë më e gëzuar dhe mikpritës. Mos e humbni kurrë guximin për të ëndërruar dhe pёr të jetuar gjёra tё mёdha!”, këtë theksoi Papa nё takimin me të rinjtë në Bahrein.

Papa i ftoi brezat e rinj t’i "zgjerojnë kufijtë e brendshëm, t’i kapërcejnë paragjykimet ndaj të tjerëve, t’i kufizojnë hapësirat e mosbesimit, tё kapërcejnë pengesat e frikën, qё të mbijë miqësia vëllazërore!”: " kërkoni gjithmonë, përpara sugjerimeve në internet, këshilltarë të mirë në jetë, njerëz të mençur e të besueshëm që munden tё ju orientojnë, tё ju ndihmojnë. Mendoj nё prindërit dhe mësuesit, por edhe nё të moshuarit, gjyshërit e nё një shoqërues tё mirë shpirtëror. Të gjithë ne duhet të jemi të shoqëruar në rrugën e jetës. Eci përpara, pa frikë”.

05 nëntor 2022, 16:03