Papa, vullnetarëve të Focsiv: punoni për paqen e zhvillimin, pa fjalë boshe
R.SH. – Vatikan
“Dëshmia juaj është përgjigje konkrete për ata, që nuk besojnë më se paqja është e mundur”: kështu u shkruan Papa Françesku anëtarëve të Federatës së Organizmave të Krishtera të Shërbimit Ndërkombëtar e të Vullnetariatit (FOCSIV), të cilët i priti në Vatikan, me rastin e 50-vjetorit të themelimit. FOCSIV përfaqëson 90 organizata, që veprojnë në më se 80 vende të botës. Fjalën e përgatitur ua dorëzoi gjatë takimit.
Ç’të ardhme po ndërtojmë për brezat e rinj?
Në të, i falënderon për impenjimin e duke u kujtuar moton e tyre – “Një botë për t’u ndërtuar së bashku, ku të respektohen krijesat e ku secili të realizohet me dinjitet të plotë!” – Ati i Shenjtë vë në dukje sa aktual është sot ky mesazh, kur mbi botë endet fantazma e luftës.
“Hija e një lufte III botërore kanoset mbi fatin e kombeve të tëra, me pasoja të tmerrshme për njerëzit. Po mendoj, veçanërisht, për të moshuarit, për gratë, për fëmijët. Ç’të ardhme po ndërtojmë për brezat e rinj? Është pyetje, që duhet t’i shoqërojë gjithmonë bendimet në nivelin ndërkombëtar”, kërkon Papa.
Të gjithë vëllezër, me njerëzi e dashuri
Papa Françesku nënvizon tre aspekte të punës së FOCSIV. Së pari, fakti që anëtarët e Federatës janë vullnetarë në botë. Kjo do të thotë të jesh i gatshëm për të ndihmuar të afërmin, thekson Papa, duke dëshmuar kështu, dashurinë për njerëzimin. Bota e vullentarëve ka për bazë solidaritetin, vëllazërimin; kërkon të jesh Samaritan i Mirë, që merr pjesë në dhimbjen e të tjerëve, pa nxitur urrejtje e mllefe. Vetëm kështu, mësimi ungjillor shndërrohet në jetë të përditshme.
Bota ka nevojë për artizanë të paqes
Aspekti i dytë, që vë në dukje Ati i Shenjtë, është paqja, që aktualisht, nëpërkëmbet në Ukrainë e në vende të tjera, me pasoja të dhimbshme për familjet e për më të vegjlit. “Paqja me drejtësi është kusht i nevojshëm për një jetë dinjitoze, për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë”, thekson Papa për vullnetarët e FOCSIV, të cilët punojnë për këtë në të katër anët e globit.
“Është dhurata më e rëndësishme, që mund ta bartni me vete kudo shkoni, sepse ‘bota nuk ka nevojë për fjalë boshe, por për dëshmitarë të bindur, artizanë të paqes të hapur për dialog, pa përjashtime e pa manipulime’ (Mesazhi për Ditën e 53-të Botërore të Paqes, 1 janar 2020)”.
Zhvillimi është mjet për të ndalur migracionin
Së fundi, Ati i Shenjtë vë theksin mbi zhvillimin, i cili krijon kushtet bazë për jetën dinjitoze të çdo populli, në mënyrë që askush të mos detyrohet ta lërë shtëpinë e të afërmit, për të kërkuar një jetë më të mirë diku tjetër. Pikërisht tek emigrantët shkon mendimi i Papës, në fjalimin zyrtar të dorëzuar, ndërsa sot u shtrëngonte dorën njerëzve, që kujdesen çdo ditë për ta, me një mijë veprimtari të ndryshme, duke i promovuar e duke u dhënë mjetet e përshtatshme për t’u integruar.
“Të mendojmë për sa të rinj detyrohen sot ta lënë tokën e tyre në kërkim të një jete dinjitoze; sa burra, gra e fëmijë përballojnë udhëtime çnjerëzore e dhunë të çdo lloji për të pasur një të nesërme më të mirë; sa vazhdojnë të vdesin në rrugët e dëshpërimit, ndërsa diskutojmë për fatin e tyre, ose e kthejmë kokën nga ana tjetër! Migracioni i detyruar – për të ikur nga lufta, uria, persekutimet, ose ndryshimet klimatike – është një nga të këqijat e mëdha të kësaj epoke, së cilës mund t’i bëjmë ballë që në rrënjë vetëm duke siguruar një zhvillim të vërtetë në çdo vend”.
Duke vënë në dukje se kjo është puna e vullentarëve të FOCSIV, Papa Françesku u përshëndet me grupin e pranishëm në audiencë, me ftesën që të gjithë të bëhen si Samaritani i mirë në rrugët e planetit, pa u shkurajuar nga vështirësitë e problemet, por duke u mbështetur gjithnjë tek Zoti, “i cili është shkëmb e, njëkohësisht, edhe dhembshuri”.