Ukraina, Papa: paqe për njerëzit që vuajnë nga mizoria e “mercenarëve”
R.SH. - Vatikan
“Kaq shumë mizori, kaq shumë mizori!”. Papa e përsërit dy herë këtë fjalë të frikshme! Të dytën, me një ton më të mprehtë, duke u shkëputur nga teksti i shkruar, si të donte ta theksonte verbalisht dhimbjen dhe tmerrin për vuajtjen prej nëntë muajsh të popullsisë ukrainase nga shkaku i “mercenarëve” që e duan dhe e bëjnë luftën. Bombardime, rrëmbime, dhunë, tortura, sulme edhe me dronë, si ato që ndodhën mbrëmë në qytetin e Dnieprit.
“Njerëz të trazuar”
“Përsëris ftesën që të lutemi për Ukrainën e torturuar” - tha Françesku në fund të audiencës së përgjithshme, duke përsëritur thirrjen për kombin nën sulmin e rreptë, që nuk pushoi kurrë që nga 24 shkurti. Në këtë lutje drejtuar Zotit, ipeshkvi i Romës ftoi gjithë besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit dhe ata, që ishin të lidhur nëpërmjet transmetimit nga pesë kontinentet:
“T’i kërkojmë Zotit paqen për këta njerëz kaq të shqetësuar, të cilët vuajnë aq shumë mizori nga mercenarët, që bëjnë luftë”.
“Mercenarë” theksoi, duke përsëritur një fjalë të përdorur tashmë edhe gjatë intervistës në aeroplanin që fluturonte nga Bahreini, drejt Romës. Një shprehje, që të kujton edhe akuzën e ashpër të shprehur nga Papa në audiencën e përgjithshme gushtin e kaluar:
“Ata të cilët fitojnë nga lufta dhe tregtia e armëve janë kriminelë që vrasin njerëzimin!”.
Dhimbje, për vdekjen e Krizostomos II
Me dhimbje, përsëri në fund të audiencës së së mërkurës, Papa kujtoi vdekjen e Krizostomos II, kryepeshkopit ortodoks të Qipros, i cili ndërroi jetë në agimin e 7 nëntorit të kaluar, në moshën 81-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë. Në dhjetor të një viti më parë mirëpriti Papën gjatë udhëtimit të tij apostolik në ishull. Françesku e kujtoi atë udhëtim me dashuri e mirënjohje. Kujtoi edhe takimet vëllazërore në Qipro, gjatë vizitës së tij vitin e kaluar”, duke marrë pjesë në zinë kombëtare të popullit qipriot, për zhdukjen e atij, që Françesku e quajti “Bari largpamës, njeri i dialogut dhe dashuronjës i paqes, që u përpoq të nxiste pajtimin ndërmjet bashkësive të ndryshme të vendit”.