Kërko

Artistët e Koncertit të Krishtlindjes  në Vatikan Artistët e Koncertit të Krishtlindjes në Vatikan 

Papa artistëve: ia vlen t’i shkrijmë energjitë tona për paqen

Edicioni i tridhjetë i Koncertit, që do të transmetohet në televizion më 1 janar, do të mbështesë Misionet Don Bosko në Ukrainë. Françesku, artistëve: “Talenti juaj është dhuratë, por edhe përgjegjësi, për të cilën duhet të jeni mirënjohës e të vetëdijshëm”.

R. SH. - Vatikan

“Paqja është sinteza e të gjitha gjërave të mira që mund të dëshirojmë! Ia vlen, prandaj, të shkrijmë për të energjitë tona më të mira materiale, intelektuale dhe shpirtërore”. Duke përshëndetur artistët e Koncertit të Krishtlindjes, kushtuar temës së paqes, që do të transmetohet në TV më 1 janar, Papa Françesku u drejton artistëve një nxitje të veçantë: "të jenë artizanë të paqes". Në Edicionin e tridhjetë të Koncertit të Krishtlindjes,  mbështetur nga Fondacioni Papnor Gravissimum Educationis i Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin, morën pjesë këngëtarë ndërkombëtarë të popit, rock, gospel e edhe të operës. Ja si u shpreh me këtë rast Papa:

“Paqja, e dimë, fitohet dita-ditës, është dëshirë që shoqëron dhe motivon të jetuarit tonë të përditshëm. Por fatkeqësisht, në këtë çast historik paqja është gjithashtu emergjencë, siç thotë parulla që promovon projektin  solidar të kombinuar me koncertin. Në Ukrainë salezianët e "Misionit Don Bosco" janë pranë popullatës, punojnë për pritjen e refugjatëve dhe për shpërndarjen e ushqimeve e të ilaçeve. Me këtë nismë duam t'i mbështesim ata, pa harruar se të gjithë ne, në çfarëdo roli që kemi, thirremi për të qenë ndërtues të paqes, për t’u lutur dhe për të punuar për paqen”.

Talenti është dhuratë, por edhe përgjegjësi

“Mesazhi që Fjala e Zotit na drejton çdo vit në Kohën e Ardhjes - nënvizoi Papa - nuk është mesazh dorëheqjeje apo trishtimi, por shprese dhe gëzimi,  mesazh që duhet përvetësuar e duhet komunikuar. E, në këtë ‘komunikim’, hyjnë në lojë muzika e edhe kënga:

“Me këngën tuaj ju kontribuoni në përhapjen e këtij mesazhi dashurie dhe jete, duke prekur shumë zemra dhe duke zgjeruar perimetrin e vëllazërisë. Kështu vepron Zoti në historinë njerëzore, madje edhe në skenarë të dhimbshëm e të shkretë: me mëshirë na thërret të gjithëve, përdor edhe talentet e kufizimet tona për të shpëtuar njerëzimin e sotëm. Ashtu si për Krishtlindje, çdo ditë! Të dashur miq, talenti juaj është dhuratë e edhe përgjegjësi, për të cilën duhet të jeni mirënjohës e të vetëdijshëm, ndërsa – siç u shkruante artistëve Shën Gjon Pali II – ‘me kushtimin tuaj të pasionuar, kërkoni epifani të reja bukurie, për t’ia bërë dhuratë botës” (Letër artistëve, 4 prill 1999).

“Muzika – përfundon Françesku – qetëson, përgatit për dialog, favorizon takimet dhe nxit miqësinë. Në këtë kuptim është rrugë e hapur drejt paqes”.

17 dhjetor 2022, 14:07