2022 me Papën Françesku. Ngjarje për t’u kujtuar
R.SH. / Vatikan
Viti 2022 ishte vit “përtëritjeje”: nga pak për të gjithë, e edhe për Papën Françesku. Dy, arsyet: e para është Covidi që, falë vaksinave, u lehtësua e me të edhe kufizimet, gjë që i hapi përsëri Papës rrugët e botës, për të rifilluar shtegtimet, vizitat, qëndrimin ndërmjet njerëzve nga mbarë bota. E dyta, përmirësimi i shëndetit të Atit të Shenjtë. Pas operacionit në zorrë, Françesku e mori përsëri në dorë ditarin e tij, edhe pse në një karrige me rrota, për shkak të dhimbjes së gjurit. Por as kjo nuk e ndaloi Papën ta jetonte edhe vitin 2022 si vit të begatë me takime.
Ngjarja e parë e Papës Françesku në vitin 2022, e denjë për t’u kujtuar, ishte Akti i Kushtimit të Rusisë dhe Ukrainës Zemrës së Papërlyer të Marisë. "E humbëm rrugën drejt paqes. I harruam mësimet e tragjedive të shekullit të kaluar, flijimin e miliona të vdekurve në luftërat botërore. I shpërfillëm angazhimet e marra si Bashkësi Kombesh dhe po i tradhtojmë ëndrrat e paqes të popujve dhe shpresat e të rinjve. U sëmurëm nga lakmia, u mbyllëm në interesat nacionaliste, u ndryshkëm nga indiferenca, u paralizuam nga egoizmi” – theksoi me forcë Papa duke i folur mbarë njerëzimit nga Sheshi i Shën Pjetrit.
Në prill Papa shkoi në Maltë. Vizita, në ditët e para të prillit 2022 u përqendrua tek temat e mikpritjes dhe të trashëgimisë apostolike të Shën Palit, barka e të cilit qe përmbysur pikërisht në këtë ishull.
Më pas Pashkët! Thellësisht prekëse Udha e Kryqit, që rifilloi në Koloseum pas ndalimit të detyruar, pasojë e Covid 19. ''Të gjunjëzohemi përpara Krishtit të Kryqëzuar, gurrës të paqes sonë, t'ia kërkojmë Atij paqen e zemrës dhe paqen e botës''. Këtë theksoi Papa në një Twitter, para kremtimeve të Pashkëve.
Gjatë muajve të vitit 2022, Ati i Shenjtë pati shumë takime me grupe, lëvizje, vullnetarë, të rinj, pjesëmarrës në konferenca dhe shtegtime të ndryshme. Të shumta, edhe letrat, Motu Proprio-t, mesazhet dhe videomesazhet.
Në qershor, Papa Françesku mori pjesë në Festivalin X Botëror të Familjeve, mbajtur në Romë. Ngjarje e madhe, me pjesëmarrje të gjërë e me hapësirë të veçantë për familjet romake.
Në korrik, e shtyu udhëtimin në Sudanin e Jugut dhe në Kongo për shkak të kushteve shëndetësore, por ky udhëtim do të bëhej në janar-shkurt 2023. Ndërsa gjithnjë në korrik, Françesku shkoi në Kanada. "Shtegtim pendese", ky i Papës Françesku në Kanada, që të kërkonte falje, në emër të Kishës Katolike, për asimilimin kulturor, që ndodhi në shkollat rezidenciale, pra shkollatshtetërore, të drejtuara, në shumë raste, nga urdhërat fetare, ku vendasit silleshin shpesh edhe me forcë.
Më 28 gusht 2022, Papa shkoi në L'Aquila për Ndjesën Çelestiane, veçanërisht për hapjen e Portës së Shenjtë të Bazilikës së Collemaggio. Ishte ngjarje historike.
Në shtator, Françesku u nis për në Kazakistan, ku mori pjesë në hapjen dhe në seancën plenare të "Kongresit VII të liderëve të feve botërore dhe tradicionale".
Fundi i shtatorit ishte i ngarkuar për Papën: fillimisht shkoi në Asizi, për manifestimin "Ekonomia e Françeskut", më pas në Matera, për mbylljen e Kongresit të 27-të Eukaristik Kombëtar.
Në nëntor ishte në Mbretërinë e Bahreinit, shtegtimi i 39-të apostolik i Françeskut. Ishte Papa i parë që shkelte në këtë tokë, ku kohët e fundit u ndërtua katedralja e Zojës së Arabisë.
Një nga ngjarjet e rëndësishme të dhjetorit 2022, ishte ajo e datës 8 të muajit, dita e Zënies së Papërlyer të Virgjërës Mari. Françesku kreu përsëri Aktin e nderimit për të Papërlyerën, në Sheshin e Spanjës. E gjatë kësaj vizite, i prekur deri në lot, iu lut Virgjërës për përfundimin e luftës në Rusi e në Ukrainë.
Nisi tani një vit i ri, 2023-shi, që na gjen gjithnjë gati për ta jetuar me Papën Françesku!