Papa: më 30 shtator, mbrëmësorja ekumenike "për t'ia besuar Zotit Sinodin"
R. SH. - Vatikan
Një mbrëmësore ekumenike lutjeje për t'ia besuar Zotit punimet e Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, me temën e Sinodalitetit, që do të mbahet në tetor. Papa Françesku e dha njoftimin sot, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke shpjeguar se do të organizohet të shtunën, më 30 shtator, në Sheshin e Shën Pjetrit dhe se “për të rinjtë që do të vijnë në Mbrëmësore, do të ketë një program të veçantë gjatë gjithë fundjavës, nën kujdesin e Bashkësisë së Taizé-së”.
Papa nënvizoi edhe se “rruga për bashkimin e të krishterëve lidhet ngushtë me rrugën e kthesës sinodale të Kishës”, prandaj njoftimin për këtë ngjarje të rëndësishme e dha pasi kujtoi se nga data 18 deri më 25 janar…
“Do të zhvillohet Java tradicionale e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Tema e këtij viti, e shkëputur nga Isaia Profet, është: ‘Mësoni të bëni mirë, kërkoni drejtësi’. Falënderojmë Zotin që e drejton me besnikëri dhe durim popullin e tij drejt bashkimit të plotë dhe i kërkojmë Shpirtit Shenjt të na ndriçojë dhe të na mbështesë me dhuratat e tij”.
Mendimet e Françeskut më pas u kthyen tek Ukraina e tij e shumëdashur dhe e shumëvuajtur:
“Vëllezër dhe motra, të mos harrojmë popullin e martirizuar ukrainas, që vijon të vuajë kaq shumë. Jemi pranë tij me ndjenjat tona, me ndihmën tonë, me lutjet tona”.
Së fundi, Papa përshëndeti besimtarët spanjollë të Murcias dhe ata të Sciacca në Sicili, duke uruar që "vizita tek Varri i Pjetrit t’ua forcojë besimin dhe dëshminë".