Françesku - Vëllazërive: përtrijini traditat me Kishën, pa mall për të kaluarën
R.SH. / Vatikan
"Tharm" në indin kishtar dhe shoqëror italian, për ta mbajtur gjallë, në mënyrë që të fermentojë bashkësinë”: kështu e quajti Papa Françesku Konfederatën e Vëllazërisë së Dioqezave të Italisë, që u prit sot në mëngjes në audiencë, në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik. Një realitet i lindur në vitin 2000, “në kuadrin e Jubileut të madh”, që për më shumë se njëzet vjet mirëpret, mbështet dhe koordinon "praninë shumëngjyrëshe të Vëllazërive” në Kishën italiane e që pikërisht me rastin e Jubileut të ri, atij të 2025-ës, do të kremtojë 25 vjet jetë.
Realiteti i Vëllazërive në Itali
Realitet kapilar, ky i vëllazërive në Gadishull: janë rreth 3200 të regjistruarit në Konfederatën me 2 milionë anëtarë, të cilëve duhet t'u shtojmë edhe familjarët e miqtë e pranishëm në veprimtaritë e ndryshme. Por duhet kujtuar se ka edhe mbi 3000 vëllazëri të paregjistruara. Puna e tyre të kujton “fjalët e Koncilit II të Vatikanit kushtuar natyrës dhe misionit të laikëve në Kishë" - pohon Papa - domethënë "të thirrur nga Zoti për të kontribuar, pothuajse nga brenda, si tharm për shenjtërimin e botës". Kjo ndodh në devotshmërinë popullore, "forcë e pashoqe kumtuese, që ka shumë për t'u dhënë burrave dhe grave të kohës sonë" - shtoi Françesku - i cili i inkurajoi vëllazëritë "të kultivojnë jetën shoqëruese me angazhim krijues dhe dinamik" e me bamirësi":
“Frymëzohuni nga Shpirti Shenjt dhe ecni: siç bëni në procesione, kështu bëni në të gjithë jetën tuaj të bashkësisë. Pasuria dhe kujtesa e historisë suaj mos u bëfshin kurrë shkak që të mbylleni në vetvete, në kremtimin nostalgjik të së kaluarës, në mbylljen përballë së sotmes a në pesimizmin për të ardhmen; përkundrazi, le të jenë nxitje e fortë për ta riinvestuar trashëgiminë tuaj shpirtërore, njerëzore, ekonomike, artistike, historike, madje edhe popullore, që i kuptojnë shenjat e kohës dhe befasitë e Zotit”.
Ecja me frymë ungjillore, kishtare dhe misionare
Papa i ftoi vëllazëritë ta ndajnë udhëtimin në tri linja kryesore: në studimin e teologjisë, në kriteret që duhet t’i bëjnë të vetat lëvizjet laikale dhe në shpirtin misionar, më konkretisht, të ecin në gjurmët e Krishtit, të ecin së bashku, të ecin duke shpallur Ungjillin:
“Ju nxis ta keni Krishtin në qendër të jetës suaj, në dëgjimin e përditshëm të Fjalës së Zotit, duke organizuar dhe duke marrë pjesë rregullisht në çastet e formimit, në ndjekjen me zell të sakramenteve, në një jetë intensive lutjeje personale dhe liturgjike. Traditat tuaja të lashta liturgjike dhe devocionale u gjallërofshin nga jeta e zjarrtë shpirtërore dhe angazhimi konkret bamirës. E mos kini frikë t'i përtërini në bashkim me rrugëtimin e Kishës, në mënyrë që të jenë dhuratë për të gjithë në kushtet ku jetoni dhe punoni, e edhe nxitje për t'i afruar pranë fesë ata që janë larg”.
Shpallja e Ungjillit duke parë nevojat e botës bashkëkohore
Përsa i përket shpalljes së Ungjillit, pra shpirtit misionar, duhet dëshmia e fesë - shpjegoi Papa - duke u kujdesur për vëllezërit, "sidomos për varfëritë e reja të kohës sonë", siç kanë bërë shumë vëllazëri në kohë pandemie.
Në përfundim, ftesa:
“Mbajeni të gjallë karizmën e shërbimit dhe të misionit, duke iu përgjigjur me frymë krijuese e me guxim nevojave të kohës sonë!”.
Së fundi Françesku u përsëriti anëtarëve të vëllazërive ftesën, për të qenë misionarë të dashurisë, të butësisë dhe të mëshirës së Zotit.