Shtegtimi në Afrikë: Papa do të mbajë një konferencë “ekumenike” në avion
R.SH. – Vatikan
Më 31 janar nis udhëtimi i 40-të për Papën Françesku, me të cilin numri i vendeve të vizituara prej tij do të arrijë në 60. U njoftua sot nga Salla e Shtypit e Vatikanit programi i shtegtimit të Atit të Shenjtë në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut, i shtyrë që nga korriku, për arsye shëndetësore. “Është udhëtim me temën e paqes”, pohoi drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, i cili paralajmëroi një risi të mundshme: konferenca për shtyp e Papës Françesku në avion do të mbahet së bashku me kryeipeshkvin e Canterbury-t, Justin Welby dhe me moderatorin e Kishës së Skocisë, Lord Jim Wallace.
Papa nuk do të shkojë në Kivun e Veriut
Në krahasim me korrikun, programi ndryshon pak, pasi, për shkak të atentateve terroriste, Papa nuk do të shkojë në Kivun e Veriut, por Kivu e Veriut do të shkojë tek Papa. Gjithsesi, sqaroi Bruni, nuk ka kërcënime të veçanta, pavarësisht se situata mbetet e ndërlikuar. Papa do të vizitojë vetëm kryeqytetin Kinshasa të Kongos, ku një zonë, në të cilën hyhet vetëm me leje të veçantë, është quajtur “e juridiksionit papnor”. Megjithatë, janë konfirmuar të gjitha takimet.
Matteo Burni nënvizoi se është fjala për territore konflikti. Në vitin 1996, në Gavu, u vra një ipeshkëv kongolez, jezuiti Ferdinand Muhigirwa e, edhe sot, ka më se 100 grupe guerrilasish. Edhe në Sudanin e Jugut, vijon konflikti, që ka sjellë mijëra të vdekur, kriza ushqimore, që u shtohen thatësirës dhe përmbytjeve.
Kujtojmë se më 23 nëntor 2017, Papa Françesku organizoi një mbrëmje lutjeje për Kongon dhe Sudanin e Jugut, të cilat dëshironte t’i vizitonte që atëherë. Në Republikën Demokratike të Kongos do të mbajë shtatë fjalime, ndërsa në Sudanin e Jugut, pesë, të gjitha në italisht.
Nunci në Sudanin e Jugut: Papa do të inkurajojë pajtimin
Në një intervistë për shtypin lokal, nunci në Sudanin e Jugut, imzot Bert Van Megen, nënvizon se si “kreu i Kishës Katolike, duke pasur parasysh se shumë njerëz janë katolikë në vend e, edhe vetë presidenti është katolik, Ati i Shenjtë mund të japë një kontribut themelor në procesin e paqes”. “Natyrisht – shton ai – nuk do të takojë presidentin Salva Kiir dhe zv.presidentin Riek Machar për të negociuar me ta. Do t’i këshillojë si atë shpirtëror, siç bën një baba me fëmijët e vet, duke u thënë: ‘Mjaft tani, bashkohuni, shtrëngojini dorën njëri-tjetrit dhe vihuni në punë për të mirën e këtij vendi”.
Programi i udhëtimit në Kongo
Ati i Shenjtë do të niset më 31 janar për në kryeqytetin e Republikës Demokratike të Kongos, Kinshasa, ku pas mbërritjes, do të takohet me presidentin e Republikës, Félix Tshisekedi, si edhe me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik. Të nesërmen, më 1 shkurt, ai do të kremtojë meshën në aeroportin e qytetit “Ndolo”, ndërsa pasdite, në nunciaturë, do të ketë dy takime, i pari me viktimat e Lindjes së vendit, i dyti me përfaqësuesit e disa veprave bamirëse. Më 2 shkurt, Françesku do të ketë tre takime, dy publike, me të rinjtë dhe katekistët e më pas, një takim lutjesh me meshtarët, diakonët, rregulltarët, seminaristët. Pastaj, edhe një takim privat me jezuitët.
Etapa në Sudanin e Jugut
Më 3 shkurt, Papa Françesku do të niset për në kryeqytetin e Sudanit të Jugut, Juba, dhe me të do të jenë kryeipeshkvi anglikan i Canterbury-t, Justin Welby dhe moderatori i asamblesë së përgjithshme të Kishës luterane të Skocisë, Jim Wallace. Para largimit nga Republika Demokratike e Kongos, gjatë ceremonisë së lamtumirës në aeroportin e Kinshasës, Papa do të ketë një takim me ipeshkvijtë në selinë e Konferencës Ipeshkvnore të vendit. Në Juba, pas ceremonisë së mirëseardhjes, vizita e kortezisë tek presidenti i Republikës, Salva Kiir Mayardit, në pallatin presidencial, e cila do të pasohet nga një takim me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik. Të nesërmen, Papa do të flasë me ipeshkvijtë, diakonët, rregulltarët dhe seminaristët. Më pas, një takim privat me anëtarët e Shoqërisë së Jezusit, një takim publik me të shpërngulurit brenda vendit dhe një lutje ekumenike në mazoleumin “John Garang”. Më 5 shkurt, ditën e nisjes, para ceremonisë së lamtumirës dhe kthimit në Vatikan, Françesku do të kremtojë edhe një meshë në mauzoleumin “John Garang”.