Kërko

Papa: bota drejt humnerës, nëse mungon guximi për ta ndalur luftën

Në dy vendet afrikane që vizitoi kohët e fundit, Papa bisedoi me jezuitët vendas mbi shqetësimet e tij për luftërat në botë. Bëri thirrje për një konfrontim sinodal në këto rajone që të gjendet mënyra për të mbrojtur ambientin e kërcënuar nga shfrytëzimi i paligjshëm

R.SH. – Vatikan

Konfliktet, mizoria e dhunës, mbrojtja e trashëgimisë natyrore, të këqijat e Kishës, ëndrra për Afrikën: këto janë disa prej temave të trajtuara nga Papa Françesku në takimet me jezuitët në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut, gjatë udhëtimit të tij të fundit apostolik.

E gjithë bota është në luftë, a do të kemi guximin për t’u ndalur?

Më 2 shkurt, në RD të Kongos, Ati i Shenjtë foli me 82 jezuitë, ardhur në nunciaturën apostolike bashkë me eprorin provincial, Át Rigobert Kyungu. Në qendër të bisedës, çështja e misionit të pajtimit kombëtar dhe e vendosjes së drejtësisë, fushat e impenjimit të veçantë të Shoqërisë së Jezusit në atë vend. "Këtu ndihet fort tema e konfliktit, e luftës ndërmjet fraksioneve. Por le ta hedhim vështrimin mbi botën: e gjithë bota është në luftë!”, theksoi Papa, duke kujtuar gjendjen në Siri, Jemen, Mianmar, Amerikë Latine, Ukrainë. "A do ta ketë njerëzimi guximin, forcën e, edhe mundësinë për t'u kthyer prapa? Ecim gjithnjë përpara drejt humnerës. Nuk e di: ia bëj këtë pyetje vetes. Më vjen keq ta them, por jam pak pesimist", pranoi ai.

Prodhimi i armëve, vështirë ta ndalosh këtë katastrofë

"Sot duket vërtet se problemi kryesor është prodhimi i armëve. Ka ende shumë uri në botë, ndërsa ne vazhdojmë të prodhojmë armë. Vështirë të dalësh nga kjo katastrofë. Për të mos folur mbi armët atomike! Besoj akoma në punën bindëse”, u tha Papa jezuitëve kongolezë. Kujtoi historitë e viktimave të dhunës, që e prekën tej mase me mizoritë e paimagjinueshme, që treguan. E u përsëriti edhe jezuitëve të Sudanit të Jugut: "Sot, kjo e jona është kulturë pagane e luftës, ku ka rëndësi sa armë kemi. Të gjitha janë forma paganizmi".

Biolarmia e Kongos, ipeshkvijtë të impenjohen për ta shpëtuar

 Papa u ndal në temën ambiantale e në pasojat ekonomike të saj, duke pasur parasysh pellgun e lumit Kongo, mushkëri tjetër e planetit, pas Amazonës. E nxiti Konferencën Ipeshkvnore të impenjohet në ruajtjen e biolarmisë së zonës, pasi prej saj varet i gjithë ekuilibri planetar. Pastaj, vlerësoi ritin kishtar kongolez, që është një vepër arti – u tha ipeshkvijve – është kryevepër. E quajti Kishën sërish “spital fushor”, duke e ftuar të mos bjerë në autoritarizëm, pasi nuk është ndonjë firmë shumëkombëshe përshpirtërie. U kërkoi jezuitëve të shërbejnë sipas motos së Shën Injacit: “në gjithçka, duani e shërbeni”. Dua një Kishë shërbimi, pohoi Ati i Shenjtë.

Po përgatiten kremtimet për përvjetorin e Koncilit të Nikesë

 Papa foli edhe për vitin 2025, kur do të kremtohet 1700-vjetori i Koncilit të Nikesë, për të cilin po mendohet bashkëpunimi me Patriarkun e Kostandinopojës, Bartolomeu, me shpresën për të arritur një marrëveshje me ortodoksët për kremtimin e përbashkët të Pashkëve. E kur e pyetën për dorëheqjen papnore, nënvizoi se kjo nuk duhet të bëhet rrugë. Benedikti XVI e bëri, pasi nuk e ndiente se mund të vazhdonte, për shkak të shëndetit të dobët, por unë – nënvizoi Françesku – nuk e kam ndërmend tani për tani. Shërbimi pjetrin duhet të jetë “ad vitam” (gjatë gjithë jetës) e, kështu mendon Ati i Shenjtë edhe për detyrën e eprorit të përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit. “Në këtë, jam konservator”, theksoi.

Afrikës i nevojiten politikanë të pakorruptuar

 Më 4 shkurt, në Sudanin e Jugut, Papa u takua me 11 jezuitët e vendit dhe me eprorin e Provincës së Afrikës Lindore, ku përfshihen Sudani, Sudani i Jugut, Etiopia, Uganda, Kenia dhe Tanzania. Para tyre bëri të qartë ëndrrën e vet që Afrika të mos shfrytëzohet, siç u pati thënë nëntorin e kaluar edhe studentëve afrikanë, me të cilët foli online. “Jetoj me kujtimin e atyre dëshmive”, vërejti Papa, duke nënvizuar: “Afrika ka nevojë për politikanë, që janë si këta njerëz: të mirë, inteligjentë, që i bëjnë vendet e tyre të zhvillohen. Politikanë, që sidomos, nuk korruptohen. Korrupsioni politik nuk lë vend për zhvillimin e vendit, e shkatërron atë”.

Arrupe, vijon procesi i lumnimit

Me jezuitët e Sudanit të Jugut, Françesku foli edhe për procesin e lumnimit të Át Arrupes. "Çështja e tij po ecën përpara - pohoi ai - sepse njëra nga fazat ka përfunduar. Diskutuam për këtë me eprorin e përgjithshëm. Problemi më i madh ka të bëjë me shkrimet e Át Arrupes. Ai ka shkruar shumë dhe duhet lexuar gjithçka. E kjo e ngadalëson procesin”. Së fundi, Papa nënvizoi rëndësinë e lutjes, e cila duhet të mishërohet gjithmonë në nevojat e realitetit ku jetojmë. “Kam frikë nga predikatorët e lutjes, të cilët bëjnë veç lutje abstrakte, teorike - flasin, flasin e flasin, por me fjalë boshe”, theksoi Françesku. Lutja – kjo, ftesa e Papës për sivëllezërit e tij – duhet të jetë si ajo, që kërkonte Shën Injaci për jezuitët, së bashku me guximin e dhembshurinë.

16 shkurt 2023, 10:36