Françesku u kthye në Romë. Në avion: “Bota është në luftë! Të ndalemi!”
R.SH. – Vatikan
Ora 16.49. Papa Françesku mbërriti në Romë, në kthim nga udhëtimi i tij i 40-të në Afrikë. Fotografia e fundit e një shtegtimi, që e çoi në Republikën Demokratike të Kongos e në Sudanin e Jugut, ku pamje jo të largëta kanë fiksuar në mendjen e të gjithëve përqafimet, lotët e shpresat jo vetëm për këto dy vende, por për një kontinent të tërë. E, si zakonisht, sapo mbërriti në Romë, Papa shkoi në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe për ta falënderuar Zojën. Gjatë udhëtimit me avion, Papa mbajti konferencën tradicionale për shtyp, kësaj radhe, së bashku me kryeipeshkvin anglikan Justin Welby dhe me moderatorin e Kishës së Skocisë, pastorin Iain Greenshield, me të cilët realizoi edhe shtegtimin ekumenik të paqes në Sudanin e Jugut.
Konferenca për shtyp në avion
“E gjithë bota është në luftë, po vetëshkatërrohet, të ndalemi sa jemi në kohë!”. Këto, fjalët e Françeskut gjatë konferencës për shtyp në avion. Tre krerët e krishterë iu përgjigjen pyetjeve së bashku. Për Atin e Shenjtë ishte mundësi për të folur jo vetëm për udhëtimin në Afrikë, por edhe për të nënvizuar sërish "padrejtësinë" e kriminalizimit të homoseksualëve, për t’iu kthyer vdekjes së Papës së nderit Benedikti XVI, më 31 dhjetor, që u shoqërua me instrumentalizime e polemika, të cilat e vunë kundër pasardhësit të tij: "Vdekja e tij u shfrytëzua" nga njerëz "të ‘partisë’ dhe jo të Kishës". Papa shpjegoi se paraardhësi, me të cilin këshillohej vazhdimisht gjatë viteve të fundit, "nuk ndihej keq për gjërat që bëja". Në fillim, Françesku nënvizoi se "ky udhëtim ishte ekumenik", prandaj "doja që këta të dy (Welby dhe Greenshields) të merrnin pjesë në konferencën për shtyp. Sidomos kryeipeshkvi i Canterbury-t, i cili ka një histori disavjeçare në këtë udhë pajtimi” në Sudanin e Jugut. Këtu, konferenca e plotë e Atit të Shenjtë në avion me gazetarët, në gjuhën italiane.
Të shkruhet një histori paqeje
Gjatë meshës në Juba, ndalesa e fundit e udhëtimit, Papa u kërkoi të krishterëve sudanezojugorë të bëhen kripë që pranë tyre të ndihet "shija vëllazërore të Ungjillit". I ftoi të kapërcejnë "ato antipati e kundërvënie, të cilat, me kalimin e kohës, janë bërë kronike dhe ka rrezik t’i vënë fiset dhe grupet etnike njëra kundër tjetrës". Në "Sallën e Lirisë" në Juba, Papa u kërkoi njerëzve të zhvendosur brenda vendit të rishkruajnë një "histori paqeje", pasi "dhuna dhe urrejtja i shkëputën nga kujtimet e mira faqet e para të jetës" së Sudanit të Jugut. "E ardhmja nuk mund të jetë në kampe për të shpërngulurit. Duhet të zhvillohemi si shoqëri e hapur, duke u përzier, duke formuar një popull të vetëm, përmes sfidave të integrimit".
Mjaft me gjak
Gjatë vizitës në Sudanin e Jugut, kumbuan fort edhe fjalët e shqiptuara nga Papa Françesku në kopshtin e Pallatit Presidencial, me rastin e takimit me autoritetet: “Është koha për të thënë mjaft me gjakderdhjen, mjaft me konfliktet, mjaft me dhunën dhe akuzat për ata që e kryejnë, mjaft me lënien e popullit të etur për paqe”. Nuk mund të ketë vend për urrejtjen e për dhunën, që “e kthen mbrapa rrjedhën e historisë”. "Sudani i Jugut duhet të pajtohet dhe të bëjë kthesë, në mënyrë që rrjedhja jetësore e tij të mos pengohet më nga përmbytjet e dhunës, nga kënetat e korrupsionit dhe nga vërshimi i varfërisë”.
T’i themi “jo” korrupsionit
Thirrja e Françeskut për paqe kumboi edhe në Republikën Demokratike të Kongos. Duke takuar të rinjtë dhe katekistët, në "Stadiumin e Martirëve" në Kinshasa, Papa i nxiti veçanërisht brezat e rinj "të mos bien në kurthet e korrupsionit". Kujtoi historinë e një të riu, Floribert Bëana Chui, vrarë pesëmbëdhjetë vjet më parë në Goma, “për shkak se bllokoi kalimin e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat do t’ua kishin dëmtuar shëndetin njerëzve”.
Falja dhe pajtimi
Një nga udhët drejt paqes është falja. Në meshën e kremtuar në aeroportin "N’dolo", Papa nënvizoi se "me Jezusin ka gjithmonë mundësi të falesh dhe t’ia fillosh nga e para". Duke takuar viktimat e Lindjes së vendit në nunciaturën apostolike, Papa tregoi edhe mënyrën: "Bëhuni edhe ju - tha ai - pemë jete. Bëni si pemët, që thithin ajrin e ndotur e na japin oksigjenin”. Profeci e krishterë është "t’i përgjigjesh së keqes me të mirë, urrejtjes me dashuri, ndarjes me pajtim".
Poshtë duart nga Afrika
Një nga ngjarjet e para të udhëtimit të 40-të apostolik ishte takimi me autoritetet në Kinshasa. Me atë rast, Papa Françesku bëri një thirrje tejet të fuqishme: “poshtë duart nga Afrika! Ndaloni së mbyturi Afrikën: nuk është minierë për t'u shfrytëzuar apo tokë për t'u plaçkitur". Afrika, tha Papa, është si diamant. Njerëzit janë pasuria më e çmuar e saj. Ati i Shenjtë iu drejtua me këto fjalë burrave dhe grave të Republikës Demokratike të Kongos: "Çohuni, merreni përsëri në duart tuaja, si një diamant të pastër, gjithçka jeni, dinjitetin, thirrjen tuaj për ta ruajtur shtëpinë ku jetoni, në harmoni e në paqe”.