Kërko

Papa, ipeshkvijve RD të Kongos: jini pranë njerëzve e larg synimeve për pushtet

Në fjalimin e gjatë, mbajtur Konferencës Ipeshkvnore Kombëtare të Kongos, mbledhur rreth Tij përpara se të nisej për në Sudanin e Jugut, Françesku i porosit prelatët të ecin përkrah popullatës së vuajtur, ta çrrënjosin urrejtjen, egoizmin, dhunën, t’i rrënojnë altarët kushtuar parave e korrupsionit dhe të ndërtojnë bashkëjetesën paqësore. Ipeshkvnia nuk është udhë për pozita të larta shoqërore, as për pushtet, pohoi. Duke kujtuar më pas shembullin e Imzot Christophe Munzihirwa, Romero i Kongos .

R. SH. - Vatikan

Kisha ka nevojë "të thithë ajrin e pastër të Ungjillit", të dëbojë ajrin e ndotur të botës dhe "të ruajë zemrën e re të fesë". Këtë nënvizoi Papa duke u folur ipeshkvijve të 48 rretheve kishtare të Republikës Demokratike të Kongos, me të cilët u takua në selinë e Konferencës së Ipeshkvijve, në Kinshasa, përpara se të largohej nga vendi, për të arritur në Sudanin e Jugut. I falënderoi "për pritjen e ngrohtë" dhe për shërbesën ndërmjet njerëzve, mes vështirësive dhe shpresave për atë Kishë "të re, dinamike, të gëzueshme, të gjallëruar nga dëshira misionare". Kishë e pranishme “në historinë” e vendit, “protagoniste bamirësie”; “bashkësi e aftë për t’i tërhequr njerëzit dhe për ‘ta bërë ngjitës entuziazmin e saj", ndonëse me fytyrë "plot shenja dhimbje dhe lodhje, ndonjëherë edhe frike e çkurajimi", sepse "Kishë që vuan për popullin e saj", "shenjë e dukshme e Krishtit që, ende sot refuzohet, dënohet dhe përbuzet në të kryqëzuarit e shumënumërt të botës dhe loton si njerëzit. Lotë që Kisha dëshiron t'i fshijë "duke marrë mbi vete plagët materiale dhe shpirtërore të njerëzve”:

“Shikoj Jezusin e munduar në historinë e këtij populli të kryqëzuar dhe të shtypur, të shkatërruar nga dhuna, që nuk kursen askënd, të prekur nga dhimbje të pafaj, të detyruar të bashkëjetojë me ujërat e turbullta të korrupsionit dhe të padrejtësisë, që e ndotin shoqërinë dhe i bëjnë të vuajnë bijtë e tij”.

Por në vendin,  të cilin e quan "zemra e gjelbër" e Afrikës, Françesku sheh edhe "një popull, që nuk e ka humbur shpresën, që rrok me entuziazëm fenë, që i ndjek Barinjtë e vet", që di t'ia besojë veten Zotit, për të merituar dhuratën e paqes, "të mbytur nga shfrytëzimi, nga egoizmi i njëanshëm, nga helmet e konflikteve dhe të vërtetave të manipuluara”.

Shërbesa ipeshkvnore, afërsia e Zotit dhe profecia për popullin

Në realitetin kongolez, Papa i fton ipeshkvijtë ta kryejnë misionin e tyre duke jetuar "afërsinë e Zotit dhe profecinë për njerëzit". E i porosit:

“Mbi të gjitha dëshiroj t'ju them: prekuni dhe ngushëllohuni nga afërsia e Zotit”.

E kjo do të thotë të kalosh orë të tëra përpara Tij, sepse vetëm në këtë mënyrë njerëzit mund t'i afrohen Bariut të Mirë e vetëm kështu mund të bëhen vërtet Barinj.

Më pas porosia për të mos e mbivlerësuar vetveten, për të mos e shikuar  detyrën e ipeshkvit si mundësi për ngjitjen në poste shoqërore dhe për ushtrimin e pushtetit. E mbi të gjitha: të rrinë larg mendësisë së botës … gjë që i bën t’i shërbejnë rolit, në vend që t’u shërbejmë të tjerëve, e të kujdesen për marrëdhënien e domosdoshme, të përvuajtur dhe të përditshme të lutjes.

Pranë realitetit të jetës së përditshme

Është afërsia me Zotin që bën “dëshmitarë dhe zëdhënës të besueshëm të dashurisë së tij për njerëzit” - kujtoi Papa - pa harruar edhe afërsinë konkrete me të.

Kultivimi i afërsisë me Zotin na shtyn drejt njerëzve - sqaron Françesku, na bën të ndjejmë dhembshuri për ta; “të forcuar nga Zoti” bëhemi “mjete ngushëllimi dhe pajtimi për të tjerët, për të shëruar plagët e atyre që vuajnë, për të lehtësuar dhimbjen e atyre që qajnë, për të ngushëlluar të varfërit, për t’i çliruar njerëzit nga shumë forma të skllavërisë dhe të shtypjes”.

Bashkëpunim me një histori të re, që dëshiron ta ndërtojë Zoti

E pastaj ipeshkvijtë duhet të jenë “profeci për popullin”, të kumtojnë Fjalën e Zotit e jo ta mbajnë vetëm për vete”, theksoi Papa:

“Është zjarr, që djeg apatinë tonë dhe na e ndez dëshirën për t’i ndriçuar ata, të cilët janë në errësirë. Fjala e Zotit është zjarr që digjet në shpirt dhe na shtyn të dalim. Ky është identiteti ynë ipeshkvnor: të përvëluar nga Fjala e Zotit, në dalje drejt Popullit të Zotit, me zell apostolik!”.

Është çështje "bashkëpunimi në një histori të re, që Zoti dëshiron ta ndërtojë në mes të një bote plot çoroditje dhe padrejtësi" - theksoi Papa:

“… një bote në të cilën ipeshkvijtë janë ‘të thirrur ta bëjnë përsëri zërin e tyre profetik të dëgjohet’, në mënyrë që ndërgjegjet të ndihen të sfiduara dhe secili të bëhet protagonist dhe përgjegjës për një të ardhme të ndryshme. Prandaj është e nevojshme të zhduken bimët helmuese të urrejtjes dhe të egoizmit, të inatit dhe të dhunës; të shemben altarët kushtuar parave dhe korrupsionit e të ndërtohet bashkëjetesa e bazuar mbi drejtësinë, të vërtetën dhe paqen”.

Së fundi - theksoi Ati i Shenjtë - duhen mbjellë farat e rilindjes, në mënyrë që Kongoja e nesërme të jetë me të vërtetë ajo që ëndërron Zoti: tokë e bekuar dhe e lumtur, kurrë më e përdhunuar, e shtypur dhe e përgjakur.

Porosi, për barinjtë: larg veprimeve politike

Në vijim, disa porosi të rëndësishme për veprimtarinë e ipeshkvijve: barinjtë nuk duhet të merren me politikë! Detyra e tyre është të shpallin Fjalën e Zotit, "për të zgjuar ndërgjegjet, për të paditur të keqen, për t’u dhënë zemër, atyre që janë zemërthyer dhe pa shpresë". Dhe jo vetëm me fjalë, por edhe me afërsi e dëshmi: “afërsi, mbi të gjitha, me meshtarët, dëgjim i punëtorëve baritorë, nxitje e frymës sinodale për të punuar së bashku”; dëshmi "për të qenë të besueshëm në çdo gjë dhe, veçanërisht, në kultivimin e bashkësisë, në jetën morale dhe në administrimin e  pasurisë".

Shërbëtorë të popullit, jo biznesmenë

Për Papën, është themelore që ipeshkvijtë “të dijnë të ndërtojnë harmoni, pa u ngjitur mbi piedestale, pa ashpërsi, por duke dhënë shembull të mirë, duke nxitur ndihmën dhe faljen reciproke, duke punuar së bashku si modele vëllazërimi, paqeje dhe thjeshtësie ungjillore:

“Nuk duhet të ndodhë kurrë që, ndërsa populli vuan nga uria, për ju të mund të thuhet: ‘këta nuk i interesohen për ne por shkojnë në arat e tyre,  në punët e tyre’. Jo, biznese, ju lutem, t’i lëmë jashta vreshtit të Zotit!  Jemi barinj dhe shërbëtorë të popullit, jo biznesmenë!”.

Shembulli i Imzot Christophe Munzihirwa

Françesku u kërkoi ipeshkvijve edhe "të mos lejojnë që zjarri i profecisë të shuhet nga llogaritë apo paqartësitë me pushtetarët, aq më pak nga jeta e qetë e as nga rutina":

“Përballë popullit që vuan dhe padrejtësive, Ungjilli na kërkon të ngremë zërin. Një nga vëllezërit tuaj e bëri këtë, shërbëtori i Zotit imzot Christophe Munzihirwa, Bari i guximshëm, zë profetik, që e mbrojti popullin e tij, duke flijuar jetën”.

Kryeipeshkvi i Bukavu-së, jezuiti i njohur si "Romero i Kongos", Imzot Munzihirwa u vra më 29 tetor 1996, gjatë viteve të luftës së parë të Kongos. Çështja për lumnimin e tij u hap njëzet vjet më vonë. Papa kujtoi ftesën e Ipeshkvit shenjt për të qenë të patundur në fe e për t'i besuar Zotit në çaste të vështira, duke siguruar se "fara e tij, e mbjellë në këtë tokë, së bashku me atë të shumë të tjerëve, do të japë fryte". Më pas Papa nxiti për "t’i kujtuar me mirënjohje Barinjtë e mëdhenj, që e shkruan historinë" e vendit dhe të Kishës Kongoleze dhe ata, që e ungjillëzuan kombin, duke përmendur kardinalin Laurent Monsengwo Pasinya.

Apostuj të drejtësisë dhe dëshmitarë të mëshirës

Në përfundim Françesku i inkurajoi ipeshkvijtë të jenë "apostuj të drejtësisë e samaritanë të solidaritetit", "dëshmitarë të mëshirës dhe të pajtimit, në mes të dhunës shkaktuar jo vetëm nga shfrytëzimi i burimeve dhe nga konfliktet etnike e fisnore, por edhe nga e gjithë forca e errët e djallit, armikut të Zotit dhe të njeriut, duke besuar se Jezusi i ngjallur  “tashmë e ka pushtuar botën”.

03 shkurt 2023, 12:34