Kërko

Nga e majta në të djathtë: kryeipeshkvi anglikan Welby, Papa Françesku, presidenti i Sudanit të Jugut, Salva Kiir dhe moderatori i Kishës së Skocisë, Greenshields Nga e majta në të djathtë: kryeipeshkvi anglikan Welby, Papa Françesku, presidenti i Sudanit të Jugut, Salva Kiir dhe moderatori i Kishës së Skocisë, Greenshields

Papa me autoritetet e Sudanit të Jugut: “Mjaft me gjakderdhjen! Të lindë një kohë paqeje!”

Papa Françesku e nisi shtegtimin e tij ekumenik në Sudanin e Jugut, së bashku me kryeipeshkvin anglikan Welby dhe me pastorin metodist Greenshilds, me takimin me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik, të akredituar në vend. Thirrja për paqen, por edhe denoncimi i korrupsionit dhe i konflikteve tribale, karakterizoi fjalimin e tij të parë në Juba

R.SH. – Vatikan

         Papa Françesku mbërriti në kryeqytetin e Sudanit të Jugut, duke ndjekur udhën e Nilit, lumit tejet të gjatë, që përshkon edhe vendin më të ri në botë, i cili u shpall i pavarur në vitin 2011. Në takimin e parë në Juba, në të cilin ishin të pranishëm edhe kryeipeshkvi anglikan i Canterbury-t, Justin Welby dhe moderatori i Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë, pastori metodist Ian Greenshields, duke e kthyer kështu vizitën në shtegtim ekumenik paqeje, Ati i Shenjtë u foli autoriteteve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të Trupit diplomatik, me fjalë “të sinqerta e pa doreza”, duke u shprehur shqetësimin e tij dhe të sivëllezërve të krishterë për problematikat e Sudanit të Jugut, të cilit, së bashku, i ofruan nga zemra lutjen dhe mbështetjen, që të arrijë pajtimin e plotë. Siç tha simbolikisht Françesku, “rrjedhja jetësore e Nilit të mos pengohet nga përmbytjet e dhunës, nga kënetat e korrupsionit dhe nga vërshimi i varfërisë”.

Në kërkim të burimeve të jetës së përbashkët

         “Nuk kam ardhur vetëm – sqaroi Ati i Shenjtë – sepse edhe në paqe, ashtu si në jetë, ecet së bashku”. Papa denoncoi vitet e luftës e të konfliktit, që duket sikur s’kanë fund, ndërsa proceset e paqes duken të paralizuara. Nili, që është dhuratë e Zotit për Sudanin e Jugut, i shërbeu Françeskut të shkojë, së bashku me të pranishmit, në kërkim të burimeve të jetesës së përbashkët. Ju, u tha autoriteteve, jeni këto burime, që e vaditin bashkëjetesën, jeni etërit dhe nënat e këtij vendi fëmijë.

         “Ju – vijoi Papa – jeni të thirrur ta përtërini jetën shoqërore, si burime të kristalta begatie dhe paqeje, sepse për këtë kanë nevojë bijtë e Sudanit të Jugut: për etër, jo për zotërinj; për hapa të qëndrueshëm zhvillimi, jo për rënie të vazhdueshme. Vitet pas lindjes së vendit, shënuar nga fëmijëria e plagosur, i lënë vendin zhvillimit paqësor”.

Mjaft me gjakderdhjen

         Historia do t’ju mbajë mend vetëm nëse do të jeni njerëz të paqes, u tha Françesku autoriteteve, të cilave ua pati puthur këmbët në Vatikan, në vitin 2019, duke u kërkuar të impenjohen për pajtimin e vendit.

         “Mjaft me gjakderdhjen – u bëri thirrje edhe sot – mjaft me dhunën e akuzat reciproke për ata që e kryejnë, mjaft me lënien e popullit gjithnjë të etur për paqen. Mjaft me shkatërrimet, është koha e ndërtimit! Hidheni pas shpine kohën e luftës. Të lindë një kohë paqeje!”.

Qëllimi i pushtetit: shërbimi për bashkësinë

         Në burimet e këtij vendi, vazhdoi më tej Papa, ka një fjalë tjetër, që përvijon udhën e ndërmarrë nga populli sudanezojugor më 9 korrik 2011: Republikë, e cila vjen nga latinishtja “res publica”, pra, realitet publik, siç është shteti, realitet i të gjithëve. Për këtë, qëllimi i pushtetit të autoriteteve është shërbimi në favor të bashkësisë. Nuk mjafton të quheni Republikë, u tha Françesku, i cili kërkoi që pasuritë e tokës të mos u rezervohen vetëm pak njerëzve e të punohet për zhvillimin demokratik të vendit, për drejtësinë, sepse siç nënvizonte shën Gjon Pali II, i cili e pati vizituar Sudanin (kur nuk ishte ende i ndarë) në vitin 1993, “pa drejtësi nuk ka paqe”, por edhe “pa liri nuk ka drejtësi”. Udha drejt paqes, ngriti zërin Ati i Shenjtë, nuk duhet të ndërpritet, por impenjimi për të duhet të jetë i përhershëm. Të çohet përpara Marrëveshja e Paqes dhe Road Map, kërkoi Papa.

         “Në një botë të karakterizuar nga përçarje dhe konflikte, ky vend mirëpret një shtegtim ekumenik të paqes, gjë e rrallë kjo; lë të jetë rast për kthesë, mundësi që Sudani i Jugut të lundrojë sërish në ujëra të qeta, duke rifilluar dialogun, pa dyfytyrësi dhe oportunizma. Le të jetë mundësi për të gjithë të ringjallin shpresën: çdo qytetar ta kuptojë se nuk është më koha të transportohet nga ujërat e pashëndetshme të urrejtjes, tribalizmit, rajonalizmit dhe dallimeve etnike; është koha për të lundruar së bashku drejt së ardhmes!”

Nga qytetërimi i konfliktit në qytetërimin e takimit

         E për ta bërë këtë, nënvizoi më tej Ati i Shenjtë, rruga është respekti, njohja e dialogu. Papa theksoi rolin, që kanë të rinjtë e gratë në kalimin nga qytetërimi i konfliktit në qytetërimin e takimit. Iu lut Zotit për hirin e takimit, duke kujtuar ardhjen e misionarëve të parë, të cilët sot pasohen nga veprimtarët humanitarë. I falënderoi për punën e tyre të çmuar, gjatë së cilës, nganjëherë, gjejnë edhe vdekjen.

Të gjenden zgjidhje afrikane për problemet afrikane

         Më pas, shprehu afërsinë e vet me viktimat e fatkeqësive natyrore, në këtë vend, që i ndien jo pak ndryshimet klimatike. Kërkoi solidaritet me të prekurit nga përmbytjet, me miliona të shpërngulurit, por edhe impenjim për të luftuar çpyllëzimin e korrupsionin.

         “Xhiro të shëmtuara parash, - denoncoi Françesku, duke përdorur sërish simbolikën e lumit - komplote të fshehta për t'u pasuruar, biznese klienteliste, mungesë transparence: ky është shtrati i ndotur i shoqërisë njerëzore, i cili bën të mungojnë burimet e nevojshme për çka shërben më shumë. Sidomos, për luftën kundër varfërisë, e cila është terreni pjellor, ku rrënjosen urrejtja, përçarja dhe dhuna”.

         Së fundi, Papa Françesku kërkoi të ndalet mbërritja e armëve në vend, uroi të zhvillohen politika shëndetësore të përshtatshme, infrastruktura jetësore, sidomos, të bëhet ç’është e mundur për alfabetizimin e bijve të Sudanit të Jugut, që ata të marrin në dorë të ardhmen e tyre. I këshilloi sudanezojugorët të kenë marrëdhënie pozitive me vendet e tjera, sidomos me fqinjët e me bashkësinë ndërkombëtare, gjithnjë duke pasur parasysh atë, që pati thënë shën Gjon Pali II në Sudan, 30 vite më parë: “Duhet të gjenden zgjidhje afrikane për problemet afrikane”.

03 shkurt 2023, 17:37