Kërko

Papa në konferencën për shtyp gjatë kthimit me avion Juba-Romë Papa në konferencën për shtyp gjatë kthimit me avion Juba-Romë

Papa në kthim nga Afrika: “Ta ndalim luftën botërore… Shqipëria pësoi diktaturën më mizore”

Intervistë me Françeskun në avionin e kthimit nga Republika Demokratike e Kongos dhe Sudani i Jugut: “Jam gati të flas me Putinin dhe Zelenskyn, por ai konflikt nuk është i vetmi, bomba thërret bombën”. “Vdekja e Benediktit XVI u instrumentalizua. Unë këshillohesha me të”. Vizitoj vendet më të vogla, si Shqipëria, “që pësoi diktaturën më mizore në histori”

R.SH. – Vatikan

Shqipëria, në mendjen e Papës Françesku, kur gjatë konferencës së shtypit në avionin e kthimit nga Afrika, iu bë pyetja për vendet e ardhshme, që do të vizitojë. Vende të vogla, u përgjigj Ati i Shenjtë, ashtu si Shqipëria, drejt së cilës shtegtoi në vitin 2014, pasi ajo “pësoi diktaturën më mizore në histori”. Avioni i nisur nga Juba fluturonte ende mbi zemrën e Afrikës, kur Papa, në konferencën tradicionale për shtyp, pas udhëtimit të 40-të apostolik, u bëri thirrje të pushtetshmëve të tokës: "E gjithë bota është në luftë, po vetëshkatërrohet, të ndalemi sa jemi në kohë!" E deklaroi se është gati të takohet me presidentin rus dhe me atë ukrainas.

Ditët intensive dhe të lodhshme në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut, nën rrezet e diellit dhe nën vapën përvëluese, nuk ia humbën gjallërinë Françeskut, i cili iu përgjigj të gjitha pyetjeve të gazetarëve. Foli për vdekjen e Benediktit XVI, e cila u pasua nga komente të diskutueshme dhe sulme të ashpra, që e vunë kundër paraardhësit të tij, me rrezikun për ta përçarë botën katolike: "Vdekja e tij u instrumentalizua nga njerëz partiakë dhe jo të Kishës, njerëz pa etikë”, nënvizoi qartë e pa mëdyshje Bergoglio. Ipeshkvi i Romës siguroi se paraardhësi i tij, me të cilin këshillohej shpesh vitet e fundit, "nuk u hidhërua asnjëherë për gjithçka bëja". Më pas, e cilësoi edhe një herë padrejtësi “kriminalizimin e homoseksualëve”. Kryeipeshkvi i Canterbury-t Justin Welby, primat i Bashkimit Anglikan, i cili mori pjesë në këtë konferencë të veçantë ekumenike për shtyp, së bashku me moderatorin e Kishës së Skocisë, Iain Greenshields, ishte një mendje me të. Welby akuzoi edhe Carin rus: konflikti është "në duart e zotit Putin", nënvizoi ai. Po ja, pyetjet e përgjigjet e Papës…

Shenjtëri, në vitin 2019 ju u gjunjëzuat para liderëve të Sudanit të Jugut për të kërkuar paqen. A do të bënit të njëjtin gjest edhe para presidentit rus Vladimir Putin?

Jam gati të takoj të dy presidentët, atë të Ukrainës dhe atë të Rusisë. Nuk shkova në Kiev, sepse ishte e pamundur të shkoja edhe në Moskë atëherë, por vijova dialogun, madje, në ditën e dytë të luftës shkova në ambasadën ruse për t’u thënë se doja të shkoja në Moskë për të biseduar me presidentin Putin, me kusht që të kishte së paku një dritare të vogël për bisedime. Ministri [i jashtëm] Lavrov m’u përgjigj se e vlerësonte këtë, por “të shohim më vonë”. Atë gjest e mendova "për të" [Putin]. Sot, kemi arritur në këtë pikë, por kjo nuk është lufta e vetme, duhet të jemi të drejtë.

Në ç’kuptim?

Siria është në luftë që prej 12-13 vitesh, Jemeni që prej më se 10 vitesh; mendoni për Miamarin, popullin e shkretë Rohingya, që endet rreth planetit, sepse është dëbuar nga atdheu i vet. Kudo në Amerikën Latine, sa vatra lufte ka! Po, ka luftëra më të rëndësishme për zhurmën që bëjnë, por e gjithë bota është në luftë dhe po vetëshkatërrohet. Duhet ta mendojmë seriozisht: po vetëshkatërrohet. Të ndalemi sa jemi në kohë, se çdo bombë thërret një më të madhe e një më të madhe akoma e, në këtë shkallëzim, nuk e dimë ku do të përfundojmë.

A mendoni se pas vdekjes së Benediktit XVI, puna juaj është më e vështirë, a janë shtuar tensionet ndërmjet palëve me frymë të ndryshme në Kishë?

Dua të them se mund të flisja për gjithçka me Papën Benedikti, të shkëmbeja mendime me të. Ai më qëndronte gjithnjë pranë, më mbështeste e, nëse kishte ndonjë vështirësi, ma thoshte dhe flisnim. Nuk kishim probleme. Një herë që unë fola për martesën e homoseksualëve, për faktin se martesa është sakrament e ne nuk mund ta bëjmë sakrament, por ekziston mundësia e ruajtjes së pasurisë përmes ligjit civil, që filloi në Francë ... çdo njeri mund të formojë një bashkim civil, jo ​​domosdoshmërisht si çift. Në atë rast, dikush që mendon se është teolog i madh, nëpërmjet një miku të Papës Benedikti, shkoi tek ai dhe u ankua kundër meje. Benedikti nuk u tremb, thirri katër kardinaj teologë të nivelit të parë dhe u tha: ma shpjegoni këtë dhe ata ia shpjeguan. E kështu, përfundoi historia. Ky është një episod, që tregon si lëvizte Benedikti kur kishte ndonjë kritikë. Disa histori që thuhen, se Benedikti hidhërohej nga ç’bënte Papa i ri, janë tregime të llojit “telefoni pa tel” (Papa përdori shprehjen "histori kineze"). Në të vërtetë, unë jam këshilluar me Benediktin për disa vendime, që duhej të merrja. E ai ishte dakord. Mendoj se vdekja e Benediktit u instrumentalizua.

Nga kush?

Nga njerëz, që duan të çojnë ujë në mullirin e tyre. E, ata që shfrytëzojnë një njeri kaq të mirë, kaq të Zotit, madje, do të thosha gati një nga etërit e shenjtë të Kishës, janë njerëz pa etikë, janë njerëz partiakë, jo të Kishës... shihet kudo prirja për t’i kthyer në partiake qëndrimet teologjike. Këto gjëra do të bien vetë e, nëse nuk bien, do të vazhdojnë siç ka ndodhur shpesh në historinë e Kishës. Doja ta thosha qartë se kush ishte Papa Benedikti, nuk ndiente hidhërim [ndaj meje].

Ju denoncuat kriminalizimin e homoseksualitetit. Në Sudanin e Jugut dhe në Kongo, homoseksualët nuk pranohen nga familjet. Çfarë mendoni për këtë?

Kriminalizimi i homoseksualitetit është problem, që nuk duhet anashkaluar. Është llogaritur se, pak a shumë në 50 vende, homoseksualët kriminalizohen, madje, në disa prej tyre (mendoj se janë dhjetë) ekziston edhe dënimi me vdekje. Kjo nuk është e drejtë, njerëzit me prirje homoseksuale janë bij të Zotit, Zoti i do, Zoti i shoqëron. Të dënosh një person të tillë është mëkat, kriminalizimi i njerëzve me prirje homoseksuale është padrejtësi. Nuk po flas për grupe, por për njerëz. Unë po flas për njerëzit, grupet lobiste janë tjetër gjë. E, besoj se Katekizmi i Kishës Katolike thotë qartë: nuk duhet të mënjanohen.

Në cilat vende të tjera po mendoni të shkoni?

Mendoj se India do të jetë për vitin e ardhshëm. Më 23 shtator shkoj në Marsejë, dhe ka mundësi që nga Marseja të nisem me avion për në Mongoli, por ende nuk është caktuar përfundimisht, është një mundësi. Për këtë vit, nuk mbaj mend tjetër. Lisbona... Kriteri [është ky]: zgjodha të vizitoj vendet më të vogla në Evropë. Do të thonë: “Por, shkoi në Francë”, jo, unë shkova në Strasburg; e, do të shkoj në Marsejë, jo në Francë. Më të vegjlit, më të vegjlit... Për të njohur pak Evropën e fshehur, një Evropë me kaq shumë kulturë, që nuk njihet. Për të shoqëruar vendet si Shqipëria, për shembull, vendi që ishte i pari e që pësoi diktaturën më mizore në histori.

E shëndeti si shkon?

Barërat e këqija nuk vdesin kurrë. Jo si në fillim të papnisë… ky gju më bezdis, por sëmundja ecën ngadalë, pastaj, të shohim.

06 shkurt 2023, 10:19