Kërko

Papa të shpërngulurve të Sudanit të Jugut: jeni fara e rilindjes të tokës suaj

Pasdite Papa vizitoi, në Freedom Hall, kampin e të shpërngulurve Idp të kryeqytetit. U prit, si pritet shpresa nga këta njerëz, që nuk kanë asgjë mbas shpirtit e, megjithatë, qeshin, sepse për ta kanë rëndësi gjërat që vlejnë, si takimi me tjetrin. E sot, takimi aq i ëndërruar me Papën, i pritur me këngë e valle tradicionale.

R.SH. / Vatikan

Në Juba, në Freedom Hall, Françesku, në shoqëri me primatin anglikan Welby dhe moderatorin e Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë, Greenshields, takohet me përfaqësinë e banorëve të fushave të ndryshme dhe i drejton botës thirrjen: ju kërkoj me zemër në dorë: ta ndihmojmë këtë vend, të mos e lëmë vetëm popullsinë e tij, që vuajti e vuan shumë.

Nisi me një bisedë të përzemërt e një falënderim të ngrohtë për pritjen, takimi i Papës me të shpërngulurit e brendshëm në Freedom Hall, kampin e të shpërngulurve Idp të kryeqytetit të Sudanit të Jugur:

“Faleminderit për lutjet, dëshmitë dhe këngët tuaja! Kam menduar gjatë per ju, duke ruajtur në zemër deshirën për t'ju takuar, per t'ju parë në sy, për t'ju shtrënguar duart dhe per t'ju perqafuar: më në fund jam këtu, bashkë me vëllezërit me të cilët e ndaj këtë shtegtim paqeje, për t'ju treguar gjithë afërsinë time, gjithë dashurinë time. Jam me ju, vuaj për ju dhe me ju”.

Këto fjalët e para të Françeskut në takimin e shumëpritur nga të shpërngulurit, nga ata që lanë strehët e shtëpive të tyre, për të mbetur pa strehë.

Thirrja për ndalimin e konfliktit

Pas përshëndetjes, thirrja e Papës, që kërkon përgjigje të menjëhershme:

Përsëris me të gjitha forcat thirrjen e ngutshme për t'i dhënë fund të gjitha konflikteve, për të rifilluar seriozisht procesin e paqes në mënyrë që të mos ketë më dhunë e njerëzit të jetojnë një jetë dinjitoze. Vetëm me paqe, stabilitet dhe drejtësi mund të ketë zhvillim dhe riintegrim shoqëror”.

Papa  kujtoi, në vijim, çka u dhemb më shumë njerëzve, mes të cilëve ndodhej sot. Të pastrehëve, që nuk mund të presin më: një numër i madh fëmijësh të lindur në vitet e fundit njohin vetëm realitetin e kampeve, duke e harruar atmosferën e shtëpisë e duke humbur lidhjen me tokën e origjinës, me rrënjët e tyre, me traditat. Prej këndej, pasi kishte dëgjuar ankimin e njërit prej fëmijëve, Papa kërkoi me forcë:

“E ardhmja nuk mund të jetë në kampet e njerëzve të shpërngulur. Është e nevojshme që të gjithë fëmijët si ti të kenë mundësinë të shkojnë në shkollë, të kenë hapësirë për të luajtur futboll! Duhet të rritemi si shoqëri e hapur, duke u përzier, duke formuar një popull të vetëm përmes sfidave të integrimit, duke mësuar edhe gjuhët që fliten në të gjithë vendin dhe jo vetëm në grupin etnik. Ekziston nevoja për t’i përqafuar, për t’i njohur dhe për t’i mirëpritur ata që janë të ndryshëm, për të rizbuluar bukurinë e  vëllazërisë së pajtuar dhe për të ndërtuar lirisht të ardhmen”.

Këtë e theksoi fort Papa, për të kujtuar, më pas edhe nevojën absolute për  shmangien dhe përjashtimin e grupeve si dhe getizimin e qenieve njerëzore. Por për të gjitha këto nevoja duhet paqja!

Gratë mund t’ia ndryshojnë faqen vendit

Nënat, gratë, janë çelësi i shndërrimit të vendit - nënvizoi në vijim Papa - nëse kanë mundësitë e duhura për të mbrojtur jetën, me zellin dhe aftësinë e tyre do të jenë të afta edhe t’ia ndryshojnë fytyrën e Sudanit të Jugut.   Por, ju lutem, i lutem gjithë banorëve të këtyre trojeve: gratë duhet të mbrohen, të respektohen, të vlerësohen dhe të nderohen:

“Ju lutem: mbroni, respektoni, vlerësoni dhe nderoni çdo grua, çdo të re, të rritur, nënë, gjyshe. Pa këtë nuk do të ketë të ardhme!”

Fjalë shprese

Ishte tejet prekës e plot frymëzim çasti, kur Papa iu drejtua këtyre njerëzve të pashpresë, që presin ndihmë, me fjalët:

“Dhe tani, vëllezër e motra, ju shikoj përsëri, shoh sytë tuaj të lodhur, por të ndritshëm, që nuk e kanë humbur shpresën; buzët tuaja, që nuk e kanë humbur forcën për t'u lutur dhe për të kënduar; ju, që i keni duart bosh, por zemrën plot besim; ju, që ruani brenda vetes një të kaluar të prekur nga dhimbjet, por nuk pushoni kurrë së ëndërruari një të ardhme më të mirë. Duke ju takuar sot, do të dëshironim t'i jepnim krahë shpresës suaj”.

Ne e besojmë këtë - vijoi - besojmë se tani edhe në kampet e të shpërngulurve, ku fatkeqësisht situata e vendit të detyron të qëndrosh, mund të lindë një farë e re, si nga toka e zhveshur, farë e cila do të japë fryte:

“Do të dëshiroja t'ju them: ju jeni fara e një Sudani të ri Jugor, fara për rritjen pjellore dhe të harlisur të vendit. Jeni ju, nga të gjitha grupet e ndryshme etnike, që keni vuajtur dhe po vuani, por që nuk doni t'i përgjigjeni së keqes me të keqe. Ju që deri tani po zgjidhni vëllazërinë dhe faljen, jeni duke kultivuar një të nesërme më të mirë. Një e nesërme që lind sot, këtu ku jeni, nga aftësia për të bashkëpunuar, për të thurur rrjeta bashkimi dhe shtigje pajtimi me ata që, të ndryshëm nga ju për nga përkatësia etnike dhe origjina, jetojnë pranë jush”.

Bëhuni farë shprese!

Më pas, një nxitje tjetër: “Bëhuni farët e shpresës në të cilat ne tashmë mund të shohim pemën që, një ditë jo të largët, do të japë fryte. Po, ju do të jeni pemët që do të thithni ndotjen e viteve të dhunës dhe do të riktheni oksigjenin e vëllazërisë.

Janë rrënjët - kujtoi në vijim Papa - ato që na kujtojnë se bima vjen nga fara! Është mirë që këtu njerëzit kujdesen shumë për rrënjët e tyre. Kam lexuar se në këto troje «nuk duhen harruar kurrë rrënjët», sepse «paraardhësit na kujtojnë kush jemi dhe cila duhet të jetë rruga jonë... Pa to jemi të humbur, të frikësuar dhe pa busull. Nuk ka të ardhme pa të kaluar» (C. CARLASSARE, La capanna di Padre Carlo. Comboniano tra i Nuer, 2020, 65).

Thirrje të rinjve për paqe

Pasi kujtoi me keqardhje ngjarjet e hidhura të viteve të fundit, ngarkuar me dhunë, Papa iu drejtua të rinjve, të cilët i quajti ‘thesar’, duke i ftuar për ndërtimin e një jete të re:

 “Bëhuni ju, të rinj të etnive të ndryshme, faqet e para të kësaj jete! Nëse konfliktet, dhuna dhe urrejtja i grisën faqet e para të kujtimeve të mira jetës së kësaj Republike, jeni ju që do ta rishkruani historinë e saj të paqes!

Më pas, edhe një fjalë mirënjohjeje atyre që i ndihmojnë këta njerëz, shpesh herë në kushte jo vetëm të vështira, por edhe urgjente. Papa i  falënderoi bashkësitë kishtare për veprat e tyre, të cilat meritojnë të mbështeten: i vlerësoi misionarët, organizatat humanitare e ndërkombëtare dhe, në veçanti, Kombet e Bashkuara, për punën e madhe që bëjnë. E shtoi:

“Krahas ndihmës urgjente, besoj se është shumë e rëndësishme që në të ardhmen të shoqërohet popullsia në rrugën e zhvillimit, për shembull duke e ndihmuar të mësojnë teknika të reja për bujqësinë dhe blegtorinë, në mënyrë që të bëhet më i lehtë zhvillimi i pavarur”.

E, më pas, thirrja e Papës:

 “U kërkoj të gjithëve, me zemër në dorë: ta ndihmojmë Sudanin e Jugut, të mos e lëmë vetëm popullsinë e tij, që vuajti dhe po vuan kaq shumë!”.

Në përfundim Ati i Shenjtë kujtoi refugjatët e shumtë sudanezë jugorë, që janë jashtë vendit e nuk mund të kthehen në trojet e tyre të pushtuara;

“Jam pranë tyre dhe shpresoj që të jenë sërish protagonistë të së ardhmes së tokës së tyre, duke kontribuar në zhvillimin e saj në mënyrë ndërtimtare dhe paqësore”.

Bekimi do të jetë shumë i veçantë - kujtoi në përfundim Papa - sepse do ta jap bashkë me vëllezërit e mi Justin dhe Iain. Me të, uroj të arrijë edhe bekimi i vëllezërve dhe motrave të shumta të krishtera në botë, të cilët ju përqafojnë dhe ju inkurajojnë, duke ditur se në ju, në besimin tuaj, në forcën tuaj të brendshme, në ëndrrat tuaja për paqen, shndrit e gjithë bukuria e qenies njerëzore!

04 shkurt 2023, 16:30