Kërko

Papa i bën shenjën e kryqit në ballë presidentit Salva Kiir Papa i bën shenjën e kryqit në ballë presidentit Salva Kiir

Përfundoi vizita e Papës në Sudanin e Jugut. Françesku drejt Romës

Në orën 10.56 evropiane, Papa u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar i Juba-s drejt atij të Romë-Fiumicinos, ku do të mbërrijë pas 6 orësh e 45 minuta. Përfundoi kështu, faza e dytë dhe e fundit e udhëtimit të tij apostolik në Afrikë, në Sudanin e Jugut, shteti më i ri në botë. Para nisjes, Françesku bekoi presidentin Kiir dhe hyri në avion së bashku me kryeipeshkvin anglikan Welby dhe me pastorin e Kishës së Reformuar Skoceze Greenshields, të cilët e shoqëruan në këtë shtegtim për paqen

R.SH. – Vatikan

Mesha në mauzoleumin "John Garang", me më se 100.000 besimtarë të pranishëm në sheshin e madh dhe në zonat përreth, ishte faza e fundit e udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Sudanin e Jugut. Në përfundim të saj Ati i Shenjtë shkoi në aeroportin ndërkombëtar të Jubës, për ku u nisën njëkohësisht edhe kryeipeshkvi anglikan i Canterbury-t, Justin Welby dhe moderatori i Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë, pastori Iain Greenshields.

Papa Françesku përshëndetet nga presidenti i Sudanit të Jugut
Papa Françesku përshëndetet nga presidenti i Sudanit të Jugut

Papa dhe dy shokët e tij të udhëtimit u pritën nga presidenti

 Françesku, Welby dhe Greenshields u pritën në aeroport nga presidenti i Republikës së Sudanit të Jugut, Salva Kiir. Papa pati një bisedë disa minutëshe me kreun e shtetit sudanezojugor. Pas përshëndetjeve të rastit, Ati i Shenjtë u shoqërua për te avioni nga presidenti Kiir, të cilin e bekoi duke i bërë shenjën e kryqit në ballë. Papa ishte i fundit, që hyri në avionin drejt Romës, i cili u nis në orën 10.56 evropiane.

Gjatë udhëtimit, konferenca për shtyp

Gjatë udhëtimit do të mbahet konferenca tradicionale për shtyp me gazetarët, që shoqëruan Papën në udhëtimin e tij të 40-të apostolik në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut. Pas gati 5000 kilometrash udhëtim, që do të zgjasë 6 orë e 45 minuta, mbërritja e Françesku në aeroportin e Romës Fiumicino parashikohet në orën 17.15.

05 shkurt 2023, 11:24