Sudani i Jugut, Françesku: në mes njerëzve tuaj, terini lotët e tyre!
R.SH. / Vatikan
Takimi i Papës, në katedralen e Shën Terezës, në Giuba, me ipeshkvinjtë, priftërinjtë, diakonët, rregulltarët, rregulltaret dhe seminaristët, hapi ditën e dytë të Atit të Shenjtë Françesku në kombin afrikan: të jini barinj të mëshirshëm dhe jo kryetarë fisesh; profetë të afërsisë dhe jo në kërkim të nderimeve fetare dhe shoqërore.
Në fjalimin drejtuar ipeshkvijve, priftërinjve, diakonëve, burrave e grave të kushtuara dhe seminaristëve, në katedralen e Shën Terezës, në Juba, Papa Françesku përdori përsëri figurën e ujërave të lumit Nil, që përshkon vendin, gjë që e frymëzoi edhe dje, ndërsa u fliste autoriteteve të Sudanit të Jugut, e edhe figurën e Moisiut, për t’u dhënë disa porosi të dobishme, atyre që thirren të jenë Barinj në këtë tokë. Kujtoi "Moisiun me shkop në dorë, Moisiun me duar të shtrira, Moisiun me duar të ngritura". Kujtonte, kështu, përgjegjësinë për t'iu përgjigjur thirrjes së Zotit e për të qenë "mjete shpëtimi" për njerëzit, me sytë e ngulur mbi vuajtjet e tyre, si prani profetike në mes të historisë së tyre.
Në ujërat e Nilit, lotët e një populli
“Kisha prej kohësh dëshirë për t'ju takuar; ndaj sot dua të falënderoj Zotin” – këto fjalët e para të Françeskut pasi dëgjoi dëshmitë e një meshtari e të një rregulltareje. Rreth 5000 besimtarë, të pranishëm: një mijë brenda në katedrale, të tjerët jashtë. E Papa, duke kujtuar se dëshiron t’i shikojë ujërat e Nilit në këndvështrimin biblik, që shpesh e lidh ujin me veprimin e Zotit në emër të popullit të tij, vërejti më pas se në këto ujëra sot rrjedhin "lotët e një populli të zhytur në vuajtje dhe në dhimbje, të martirizuar nga dhuna”:
“Ujërat e lumit të madh mbledhin rënkimet e hidhura të bashkësive tuaja, mbledhin britmën e dhimbjes së shumë jetëve të thyera, dramën e një populli që ikën, pikëllimin e zemrave të grave dhe frikën e ngulitur në sytë e fëmijëve. Shihet frikë në sytë e fëmijëve. E njëkohësisht, ujërat e lumit të madh na rikujtojnë historinë e Moisiut dhe, për rrjedhim, janë shenjë çlirimi dhe shpëtimi: sepse Moisiu u shpëtua nga këto ujëra e, duke u prirë të tijve mes për mes Detit të Kuq, u bë mjet shpëtimi, ikonë e ndihmës së Zotit, që sheh mundimin e bijve të tij, e dëgjon britmën e tyre dhe zbret për t'i çliruar”.
Shikoje e dëgjoje kronikën e takimit nga Massimiliano Menichetti
Të thirrur për të qenë mjete të bindura në duart e Zotit
Papa Françesku i ftoi të pranishmit ta pyesin veten "Çfarë do të thotë të jesh ministër i Zotit" në një histori të përshkuar nga lufta dhe varfëria, ku "fytyrat e njerëzve që na janë besuar gërvishten nga lot dhimbjeje?". E u kujtoi më pas dy qëndrimet e Moisiut: bindjen dhe ndërmjetësimin. Moisiu u bind për nismën e Zotit - pohoi Papa - por jo menjëherë. Pasi zbuloi identitetin e tij, i tronditur thellë nga vuajtjet e popullit, Moisiu vendosi "ta bëjë vetë drejtësinë” duke vrarë një egjiptian. Por më pas përjetoi dështimin dhe "një lloj shkretëtire e brendshme". Kishte llogaritur vetëm forcën e tij dhe i qe përgjigjur dhunës me të njëjtën dhunë. E Françesku komentoi:
“Ndonjëherë diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe në jetën tonë si meshtarë, diakonë, rregulltarë dhe seminaristë, burra dhe gra të kushtuara: thellë thellë mendojmë se jemi ne qendra, së cilës mund t'i besohet, nëse jo në teori, të paktën në praktikë. Ose, si Kishë, të gjejmë përgjigjen për vuajtjet dhe nevojat e njerëzve me mjete njerëzore, si paraja, dinakëria, pushteti. Ndërsa vepra jonë vjen nga Zoti: Ai është Zot, ndërsa ne, të thirrur për të qenë mjete të bindura në duart e Tij”.
Jo krerë fisesh, por Barinj të mëshirshëm
Më vonë, në takimin me Zotin, i cili duket në shkurren që digjet, Moisiu e kupton gabimin e vet dhe “tërhiqet e udhëhiqet prej Tij". Është bindja - pohon Françesku - ajo që na bën ta jetojmë në mënyrë të re shërbesën, qendra e së cilës nuk është vullneti i dikujt, por Fjala e Zotit:
“Përpara Bariut të Mirë, ne kuptojmë se nuk jemi udhëheqës fisnorë, por barinj të dhimbshëm e të mëshirshëm; jo padronë të popullit, por shërbëtorë që ulen për të larë këmbët e vëllezërve dhe të motrave të tyre; se nuk jemi organizatë botërore, që mbarështon pasuritë tokësore, por bashkësi e bijve e bijave të Zotit”.
Të ndërmjetësosh, do të thotë të hysh në mes të historisë
Nga figura e Moisiut, Papa, përveç bindjes, nënvizoi edhe qëndrimin e ndërmjetësimit, duke shpjeguar se ndërmjetësim nuk do të thotë vetëm “të lutesh për dikë”, por edhe ta vësh veten “në qendër të një situate”. Si Moisiu, që i përshtatet historisë së popullit të tij dhe bëhet urë lidhëse ndërmjet Zotit dhe popullit të vet. E Papa shpjegon:
“Barinjve u kërkohet ta zhvillojnë pikërisht këtë art ‘të të ecurit në mes’: në mes të vuajtjeve dhe lotëve, në mes të urisë për Zotin dhe etjes për dashurinë e vëllezërve. Detyra jonë e parë nuk është Kisha e përsosur, por Kisha që, në emër të Krishtit, jeton në mes të jetës së vuajtur të njerëzve dhe i ndot duart për njerëzit. Nuk duhet ta ushtrojmë kurrë shërbimin tonë duke ndjekur prestigjin fetar e shoqëror, por duhet të ecim në mes dhe së bashku, të mësojmë të dëgjojmë dhe të dialogojmë, duke bashkëpunuar ndërmjet e nesh e me laikët”.
Mos rrini duarkryq përballë dhimbjes dhe plagëve
Papa u ndalua përsëri, në vijim, tek figura e Moisiut, që ndërmjetëson për njerëzit dhe kujtoi se Bibla e paraqet atë në tre qëndrime: “me shkop në dorë, me duar të shtrira, me duart e lartuara drejt qiellit”. Në qëndrimin e parë, Moisiu ndërmjetëson me profeci, duke bërë mrekulli. Është mësim për Kishën sot, që të ruhet nga tundimi “për t'i lënë punët ashtu siç janë" nga frika se mund "të humbasin privilegjet dhe rehatinë":
“Vëllezër e motra, për të ndërmjetësuar në emër të popullit tonë, edhe ne jemi të thirrur të ngremë zërin kundër padrejtësisë dhe shpërdorimeve që shtypin njerëzit dhe përdorin dhunën, për t’i zgjidhur sherret nën hijen e konflikteve. Nëse duam të jemi barinj, që ndërmjetësojnë, nuk mund të qëndrojmë asnjanës përballë dhimbjes dhe dhunës së shkaktuar nga padrejtësitë e nëpërkëmbjet, sepse atje ku cënohen të drejtat themelore të një gruaje a të një burri, ndërhyn vetë Krishti!”.
Shtrijini duart, për t’i ringritur vëllezërit
Moisiu me duar të shtrira është shenjë e “afërsisë së Zotit” në veprim, që inkurajon dhe shoqëron. E këtë Moisiu e bëri për dyzet vjet, edhe në mes të vështirësive të brendshme e të jashtme. E Françesku aktualizon:
“Edhe ne e kemi këtë detyrë: të shtrijmë dorën, t’i ringrejmë vëllezërit tanë, t'u kujtojmë se Zoti është besnik, se i mban premtimet, t'i nxisim të ecin përpara. Duart tona janë ‘të vajuara me vajin e Shpirtit Shenjt’, jo vetëm për ritet, por edhe për t’i inkurajuar, për t’i ndihmuar, për t’i shoqëruar njerëzit të dalin nga çka i paralizon, i mbyll, i tmeron”.
Dhurimi i jetës së shumë burrave dhe grave misionare
Së fundi, duart e Moisiut të ngritura në qiell tregojnë se sa shumë kujdesej ai për fatin e popullit të tij, të cilin e mbështet me lutje, e ndonjëherë, edhe me luftë të vërtetë me Zotin, në mënyrë që Zoti ta falë Izraelin dhe të vazhdojë të jetë pranë tyre. E Papa Françesku përsërit në vijim, pyetjen fillestare për mënyrën si duhet të jetohet shërbesa në këtë tokë dhe pohon se të jesh profetë, shoqërues, ndërmjetësues, do të thotë se kjo mund të të kërkojë edhe vetë jetën.
“Shumë priftërinj, burra dhe gra rregulltare (…) mbetën viktima të dhunës dhe të sulmeve, në të cilat humbën jetën. Dhuruan jetën për kauzën e Ungjillit; e afërsia e tyre me vëllezërit dhe motrat është dëshmi e mrekullueshme që na lanë dhe që na fton ta çojmë përpara shtegtimin e tyre”.
Duke kujtuar Shën Daniel Combonin, misionar në këto vise të serta, Papa pohoi se "ndjehet nevoja për shpirtra të guximshme dhe bujare, që dinë të vuajnë dhe të vdesin për Afrikën".
Françesku e mbylli fjalën e tij duke i uruar të pranishmit në takim të jenë “Barinj dhe dëshmitar bujarë”; “profetë afërsie” dhe ndërmjetësues “me krahët e lartuar drejt qiellit, për popullin”.