Kërko

 Ceremonia e mirëseardhjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Giuba-s Ceremonia e mirëseardhjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Giuba-s  (Vatican Media)

Sudani i Jugut, në festë për ardhjen e Françeskut: pritja e gjatë bëhet realitet

Gëzimi i hovshëm për mbërritjen e Papës në vendin afrikan, është në kontrast me plagët e hapura të një kombi dhe të një qyteti: kryeqytetit Juba, që duken, ashtu si janë; mes varfërisë së përhapur dhe luftës për të gjetur ekuilibrin e brendshëm të pajtimit, të sigurt se shtegtimi apostolik do t’i hapë rrugën një fillese të re.

R. SH. - Vatikan

“Mirë se erdhët Françesk, në shtegtimin Tuaj të parë në Sudanin e Jugut!”. Papa është aty: thirrjet dhe parullat, që e mirëpresin në Juba me këto fjalë, shprehin emocionin dhe lumturinë për një ëndërr, të cilën shumëkush e shikonte si të pamundur, veçanërisht pas anulimit të udhëtimit korrikun e kaluar, kur kardinali Pietro Parolin u duk në vend, duke sjellë me vete dhimbjen e Françeskut, të cilit iu desh të dorëzohej e ta shtynte shtegtimin, për shkak të mjekimit të gjurit.

Për ta mirëpritur Papën, ardhur nga RD e Kongos - në Jubë, fare pranë avionit ATI ngjyrën blu - ishte Presidenti Salva Kiir, i cili u takua me Françeskun në vitin 2019, në Shtëpinë e Shën Martës, së bashku me nënkryetarët. Pamjet e këtij takimi të jashtëzakonshëm me Papën që përkulet për t’u puthur këmbët sundimtarëve të një vendi të rrënuar nga dhuna që nga lindja e tij, më 2011, janë ende të gjalla në kujtesën e sudanezit të jugut.

Juba ofron shpresë

Në aeroport Françeskun e mirëpresin këngët e vallet, shprehje e gëzimit të pamasë, të cilin populli po e jeton në praninë e tij. Për shumë njerëz kjo do të thotë se po bëhet realitet ai besim, i cili mbeti i palëkundur, pavarësisht nga dhuna vëllavrasëse, që vijon të shkatërrojë jetë dhe të shkaktojë të shpërngulur, si ato që Françesku do t’i takojë nesër, në Sallën e Lirisë. Shumë njerëz e shikojnë këtë takim si një nga më të rëndësishmin që do të ketë Papa në vend, deri në ditën e largimit, më 5 shkurt. Para syve të Atit të Shenjtë hapet sakaq ndoshta e vetmja rrugë e asfaltuar në qytet, me emrin tejet simbolik në këto çaste: His Holiness Pope Francis Road” (Rruga e Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku), përfunduar me nxitim në orët e fundit të natës, në zemër të një qyteti jo aq të lëmuar, e cila të çon drejtpërdrejt në nunciaturë. Pluhuri, që ngrihet si re nga rrugët e pashtruara “bashkëjeton” me gropat e thella, të cilat të hapen papritur nën këmbë. Juba është e paralizuar në këto orë, e rrethuar nga një kordon shumë i ngushtë sigurie dhe sigurisht, jo edhe aq e zbukuruar, siç pritej. I paraqitet Françeskut ashtu si është, pa tualet, me kasollet e saj prej llamarine dhe balte, me pirgje plehrash dhe kanalizime në ajër të hapur, me fëmijë të veshur – a më mirë të zhveshur - me lecka dhe pa këpucë. Megjithatë, çka ofron, është diçka shumë e çmuar: ofron shpresën e një populli tërësisht në kërkim të paqes dhe unitetit, e një vendi të tërë i cili, pavarësisht nëntokës së tij shumë të pasur, dërrmohet nga lufta, nga varfëria dhe tani edhe nga një klimë e çmendur, me pasojë, përmbytje të vazhdueshme dhe shkatërruese për ekonominë, tashmë fatkeqe, duke shtuar radhët e frikshme të refugjatëve dhe  njerëzve të zhvendosur brenda vendit.

Shtegtim ekumenik për paqe

Juba, për takimin me Papën, u përgatit duke reflektuar mbi vlerën e pajtimit, këtu sfidë e thellë, por që çohet përpara nga të gjithë ata, të cilët shohin tek Papa Prijësin. Atë, që do të jetë në gjendje t'u flasë udhëheqësve për t'i nxitur që marrëveshja e paqes e vitit 2018 ndërmjet grupeve rivale të mos mbetet letër e kotë, por t'i nxisë të punojnë së bashku për të mirën e popullit të tyre. Shtegtimi ekumenik, që nisën sot Françesku, kryeipeshkvi i Canterbury-t, Welby dhe moderatori i Kishës së Skocisë, Greenshields, i cili mbërriti para Papës, synon të jetë dëshmi e paqes dhe e drejtësisë, në solidaritet me popullin, që të mos i qajë më të vdekurit dhe shkatërrimin.

Takimet e sotme

Menjëherë pas mbërritjes dhe takimit me presidentin e nënkryetarët, në pallatin presidencial, Papa do të takohet me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik në kopshtin e të njëjtit pallat, ku do të mbajë fjalimin e tij të parë në etapën jugsudaneze. Menjëherë pas, do të niset për në nunciaturën apostolike, ku do ta përfundojë edhe këtë ditë, jo më pak prekëse, se ato që jetoi në Kongo!

03 shkurt 2023, 16:41