Kërko

Papa, gjatë meshës në Juba Papa, gjatë meshës në Juba

Sudani i Jugut, Papa: “vini mbi plagë kripën e faljes; djeg, por shëron”

Gjatë meshës në Juba, veprimtaria e fundit e shtegtimit të tij në Afrikë, Françesku u kërkoi të krishterëve sudanezojugorë të jenë kripë për t’i dhënë shije vendit me vëllazërimin ungjillor dhe me krijimin e bashkësive plot dritë, që dëshmojnë për bukurinë e ndërtimit të ardhmërisë në paqe. Lumnitë ungjillore “i japin shije edhe shoqërisë”. Të pranishëm, kryeipeshkvi anglikan Welby, moderatori metodist Greenshields dhe presidenti i Sudanit të Jugut, Kiir

R.SH. – Vatikan

         Papa Françesku kremtoi meshën në mauzoleumin “John Garang” të Juba-s, takimi i fundit publik në Sudanin e Jugut. Mauzoleu e merr emrin nga ati i kombit, i cili vdiq, para se ta shihte vendin të pavarur, më 2011. Përfundoi kështu, udhëtimi i 40-të apostolik i Atit të Shenjtë, i cili u nis nga Afrika në orën 10.56 evropiane e do të mbërrijë në Romë pas orës 17.00. Françesku bëri një xhiro me papamobil në mesin e më se 100 mijë besimtarëve, që kishin mbushur edhe hapësirat përreth e vazhduan të afroheshin në zonë gjatë gjithë kremtimit. Lutja e besimtarëve u lexua në arabisht e në gjuhët e zonës: dinka (etnia e presidentit), bari, nuer dhe zande. Së bashku me Papën, edhe primati i Bashkimit Anglikan, Justin Welby, si edhe moderatori i Kishës së Skocisë, Iain Greenshields, në praninë e presidentit të Sudanit të Jugut, Salva Kiir Mayardit.

         “Vij tek ju për t’ju kumtuar Jezusin, për t’ju përforcuar në Të, sepse Lajmi i Mirë i Krishtit është Lajm shprese: vërtet, Ai ua njeh ankthet dhe pritshmëritë, që keni në zemra, gëzimet dhe vështirësitë, që ua shënojnë jetën, errësirën që ju mbyt dhe fenë, të cilën, si një këngë gjatë natës, e lartoni deri në Qiell”, u tha Papa sudanezojugorëve gjatë meshës. “Jezusi ju njeh dhe ju do; nëse rrënjosemi në Të, nuk duhet të kemi frikë, sepse, edhe për ne, çdo kryq do të shndërrohet në ringjallje, çdo trishtim në shpresë, çdo vajtim në valle”, shtoi Papa, i cili, më pas, i ftoi të gjithë t’i ulin “armët e urrejtjes dhe të hakmarrjes për të ngjeshur ato të lutjes e të bamirësisë”.

Virgjëra e Paqes, së cilës Papa ia besoi sudanezojugorët
Virgjëra e Paqes, së cilës Papa ia besoi sudanezojugorët

Ulni armët e urrejtjes dhe të hakmarrjes

         Duke komentuar Ungjillin e ditës, ku Krishti u kërkon dishepujve të djeshëm e të sotëm të jenë “kripa e tokës e drita e botës”, Papa i nxiti të pranishmit të kapërcejnë “ato antipati e kundërshti, të cilat, me kalimin e kohës, bëhen kronike dhe ka rrezik t’i vënë fiset dhe etnitë njëra kundër tjetrës; të mësohemi të hedhim mbi plagë kripën e faljes, e cila djeg, por shëron”. Bergoglio pati një mendim të veçantë sidomos për gratë, tejet të rëndësishme për udhën e pajtimit.

“Shpresa, - nënvizoi ai - veçanërisht këtu, e ka emrin grua, prandaj, dua të falënderoj dhe të bekoj të gjitha gratë e vendit”.

Më se 100.000 besimtarë në meshë me Papën
Më se 100.000 besimtarë në meshë me Papën

Në Sudanin e Jugut, shpresa është grua

         E, Papa përmendi me dashuri e mirënjohje njërën prej grave, shenjtoren më të nderuar në vend, murgeshë: “Në Sudanin e Jugut kemi një Kishë të guximshme, të lidhur ngushtë me atë të Sudanit”, vërejti Françesku, duke kujtuar figurën e Shën Jozefina Bakitës, “grua e madhe, e cila, me hirin e Zotit, e shndërroi vuajtjen në shpresë”.

“Shpresa është fjala që dua t’i lë secilit prej jush”

         Shpresa ishte një nga fjalët më të rëndësishme për trashëgiminë e vizitës së Atit të Shenjtë në tokën afrikane: “Shpresa është fjala që dua t’i lë secilit prej jush, si dhuratë për t’u ndarë, si farë që jep fryt”. E, me shpresën, Papa deshi të “lidhë edhe një fjalë tjetër, fjalën e këtyre ditëve: paqen. Me vëllezërit e mi Justin dhe Iain - vërejti Bergoglio, duke iu referuar kryeipeshkvit të Canterbury-t dhe moderatorit të Kishës së Skocisë - të cilët i falënderoj nga zemra, kemi ardhur këtu dhe do të vazhdojmë t’i shoqërojmë hapat tuaja. Ne të tre së bashku kemi ardhur për të bërë gjithçka mundemi që ato të jenë hapa paqeje, hapa drejt paqes”. Papa ia besoi Zojës, “Mbretëreshës së Paqes”, këtë rrugë jo të lehtë për pajtimin e vendit.

         “Edhe kur zemra rrjedh gjak për gjithçka keni pësuar, të heqim dorë njëherë e përgjithmonë nga mënyra për t’iu përgjigjur së keqes me të keqe e, kështu, do të ndihemi mirë shpirtërisht; ta mirëpresim dhe ta duam njëri-tjetrin me sinqeritet dhe bujari, siç bën Zoti me ne. Ta ruajmë të mirën, që kemi brenda nesh, të mos lejojmë të korruptohemi nga e keqja”, përfundoi Papa.

Papa gjatë meshës në "John Garang"
Papa gjatë meshës në "John Garang"

“Pope Francis Road”

         Ndër gjestet më të dashura të popullit sudanezojugor për Papën Françesku ishte edhe kushtimi i një rrugë, që mori emrin “Pope Francis Road”. Është fjala për një rrugë kryesore të kryeqytetit, nga të paktat e asfaltuara në një shtet, që ka vetëm dyqind kilometra të tilla. “Prania e Papës do të kujtohet kështu përgjithmonë”, komentoi Konferenca Ipeshkvnore e Sudanit të Jugut, e cila falënderoi qeverinë për këtë gjest.

05 shkurt 2023, 10:52