Françesku: Armida Barelli, thesar për Kishën. Besim i plotë tek gratë
R. SH. - Vatikan
Një grua plot gjallëri, që iu bind vullnetit të Zotit dhe u shenjtërua në botë: Armida Barelli është thesar për të gjithë Kishën. Françesku e nënvizoi këtë para më shumë se 10,000 besimtarëve të mbledhur me flamuj dhe pankarta në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë, në shtegtimin e falënderimit për lumnimin e bashkëthemelueses së Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, të misionareve dhe Veprës së Mbretërisë së Zotit tonë Jezu Krisht dhe udhëheqëses së Veprimit Katolik Italian, më 30 prillin e kaluar, në Milano. Duke iu drejtuar veçanërisht Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, dita e 99-të kombëtare e të cilit me temën “Për dashurinë ndaj dijes. Sfidat e humanizmit të ri” kremtohet nesër, Papa u ndalua, para së gjithash, në aftësitë krijuese të Barelli-t dhe theksoi aftësinë e saj për t'u lidhur me të tjerët:
“Barelli ishte endëse e veprave të mëdha: e bëri këtë, duke krijuar një rrjet të shkëlqyer marrëdhëniesh, duke udhëtuar gjatë e gjërë në Itali dhe duke mbajtur kontakte me të gjithë. Këtë e dokumentojnë letrat e saj të shumta, plot pasion. Sot, për fat të keq, nuk mungojnë shtytjet e kundërta, pra degjeneruese. Janë shumë të dëmshme për jetën familjare, por mund të vërehen edhe në nivel social, në polarizime dhe ekstremizma që nuk lënë hapësirë për dialog dhe kanë efekt çnjerëzues”.
Udhëheqja femërore në Kishë e nxitur nga Armida Barelli
Armida Barelli ishte "pararendëse e shkëlqyer" e lidershipit femëror në sferën kishtare dhe shoqërore - theksoi Françesku - që shtoi se sot kjo aftësi lidhet më shumë me rolin e mashkullit, duke i nënvleftësuar aftësitë femërore. Prej këndej, ftesa për Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit "që të ketë edhe sot të njëjtën shtysë arsimore dhe të njëjtën nismë formuese, që i udhëhoqi Atë Agostino Gemellin dhe të Lumen Armida Barelli", të cilët pikërisht "nëpërmjet universitetit, ndihmuan në formimin e ndërgjegjes civile të qindra mijëra të rinjve, duke përfshirë edhe shumë gra”.
Edhe sot kemi nevojë për gra që, të udhëhequra nga besimi, të jenë të afta për të lënë gjurmë në jetën shpirtërore, në arsim dhe në formim profesional - theksoi Papa - duke nënvizuar se koha në të cilën jetojmë kërkon nga ne të jemi laikë të apasionuar pas Ungjillit të jetës.
Angazhohuni në fusha të ndryshme shoqërore, të rrënjosura në Krishtin
Françesku i inkurajon anëtarët e Veprimit Katolik "të kërkojnë mënyra për të ecur me të gjithë, në paqe e me drejtësi", në "fusha të ndryshme të ekonomisë, kulturës, politikës, shkollës si dhe të punës, me vëmendje të vazhdueshme ndaj më të vegjëlve, më të ligshtëve, më të varfërve”, siç bëri Armida Barelli, “duke e lëshuar plotësisht veten në dorën e Zotit, me stil thellësisht konkret.
Disa këshilla
Për anëtarët e Veprimit Katolik, Papa theksoi si duhet të jetë apostullja e Barellit: duhet t’i japë Zotit përgjigjen e saj modeste, të ecë me këmbëngulje në rrugën që i tregon, të ketë dëshirën e saj për të ndarë përvojën me të tjerët dhe ende, shtytjen për të ecur "përtej kufijve dhe papërsosmëri të veta”.
“Kështu kumbon edhe sot ftesa e të lumëve për të mos u kënaqur me të jetuarit në mënyrë të rehatshme, ndërmjet kompromiseve dhe vetëzgjidhjeve - "nuk mund ta bëj", "nuk jam në lartësinë e duhur", "nuk kam kohë"... e kështu me radhë – por më tepër për të jetuar plot gëzim, si apostuj . Të jesh apostuj do të thotë të jesh laike dhe grua e pasionuar pas Ungjillit dhe jetës, të kujdesesh për jetën e mirë të të gjithëve dhe të ndërtosh shtigje vëllazërimi për t'i dhënë jetë një shoqërie më të drejtë, më gjithëpërfshirëse, më mbështetëse. Dhe është e rëndësishme t'i bëjmë të gjitha këto së bashku, në bukurinë e një përvoje shoqëruese, e cila nga njëra anë na mëson të dimë të dëgjojmë dhe të dialogojmë me të gjithë, ndërsa nga ana tjetër, që edukon në jetën kishtare, jetën e njerëzve që ecin së bashku”.
T'i besosh Zotit - përfundoi Papa - është akt besimi, që i jep energji dhe shtytje shpresës dhe veprimit.
Historia e “Veprimit katolik", në predikimin e Meshës
Në përfundim të takimit me Françeskun, Imzot Mario Delpini, kryeipeshkëv i Milanos kremtoi, në tremen e Bazilikës së Vatikanit Meshën e falënderimit për lumnimin e Armida Barellit. Në predikimin e tij, prelati vuri në dukje se "historia e Veprimit Katolik dhe Universiteti Katolik tregojnë sesi e Lumja Armida e interpretoi kohën e saj, thirrjen dhe misionin e saj" dhe se Shpirti i Zotit i dha energji " një grupi të krishterësh të thirrur për ta jetuar kohën e tyre si kohë e mundësive që nuk duhen humbur dhe e sfidave që duhen kapur në fluturim, me guxim e shkathtësi”. Ndërsa sot “Shpirti i Zotit i tregon Kishës sonë mënyra për të interpretuar humorin e keq, dekurajimin, hutimin me një thirrje të re për përgjegjësi të përbashkët”- theksoi Imzot Delpini, që shtoi:
“Veprimi Katolik dhe Universiteti Katolik kanë nevojë për burra dhe gra që jetojnë në botë, që përpiqen t’i interpretojnë nevojat dhe gjendjen shpirtërore, mundësitë dhe kërkesat e kohës sonë, që të varfërit të mos lihen pas dore e ankthet të jenë nxitje për të kërkuar më tej”.