Kërko

Françesku: t’i japim fund luftës pa kuptim kundër Krijimit të Zotit

Në mesazhin për Ditën Botërore të Lutjes kushtuar kujdesit për Shtëpinë e përbashkët, Papa fton të ndërmerren hapa të guximshëm që drejtësia dhe paqja ta përshkojnë sërish mbarë planetin. Katër, rrugët për të kapërcyer konsumizmin pa fund, shfrytëzimin e burimeve dhe ndotjen: kthesa e zemrës, shndërrimi i mënyrës së jetesës, politikat e reja, sinodaliteti

R.SH. – Vatikan

Thirrje e Françeskut për të dëgjuar njëherë e përgjithmonë britmën e atyre, që janë viktima të padrejtësisë mjedisore dhe klimatike, për t'i dhënë fund "luftës së pakuptimtë", që po shkatërron planetin dhe për të realizuar së bashku - Kishë, shoqëri, institucione - një botë më të qëndrueshme dhe më të drejtë. Drejtësia, pohon Papa në mesazhin e tij për Ditën e Lutjes kushtuar Kujdesit për Krijimin, e cila do të kremtohet më 1 shtator, është po aq thelbësore për jetën e bijve të Zotit sa edhe uji për mbijetesën fizike të njeriut dhe të ambientit.

Ati i Shenjtë përmend udhëtimin e tij në Kanada, sidomos në liqenin e Shën Anës, në provincën e Albertës, vend shtegtimi për indigjenët e, duke kujtuar tingujt e daulleve, i fton të gjithë, siç bëri në korrik 2022, të dëgjojnë rrahjet e zemrës amnore të tokës, duke bërë që zemra e secilit të rrahë bashkë me të.

“Në këtë Kohë kushtuar Gjithësisë, të ndalemi në këto rrahje zemre: tonat, ato të nënave dhe të gjysheve tona, në rrahjet e zemrës së krijuar dhe të zemrës së Zotit. Sot, ato nuk janë në harmoni, nuk rrahin bashkë në drejtësi dhe në paqe. Shumë njerëzve nuk u lejohet ta shuajnë etjen në këtë lumë me ujë të rrjedhshëm. Prandaj, ta dëgjojmë thirrjen për të qëndruar krah viktimave të padrejtësisë mjedisore dhe klimatike dhe për t'i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë kundër Krijimit të Zotit”.

Pasojat shkatërrimtare të luftës ambientale

Që “Të rrjedhë drejtësia dhe paqja", siç thotë tema e zgjedhur për Kohën Ekumenike të Krijimit, frymëzuar nga fjalët e Amosit profet, Françesku nënvizon ç’duhet bërë për ta shëruar Shtëpinë e përbashkët, por, fillimisht, vë në pah pasojat  shkatërruese të kësaj lufte kundër ambientit.

“Konsumizmi shkatërrimtar, i ushqyer nga zemra egoiste, po prish ciklin e ujit të planetit. Përdorimi i shfrenuar i lëndëve djegëse fosile dhe prerja e pyjeve po sjellin rritjen e temperaturave dhe po shkaktojnë thatësira të rënda. Mungesa e frikshme e ujit ka të bëjë gjithnjë e më shumë me shtëpitë tona, që nga bashkësitë e vogla rurale e deri tek qytetet e mëdha. Përveç kësaj, industri grabitqare shterojnë dhe ndotin burimet e ujit të pijshëm me praktika si frakturimi hidraulik për nxjerrjen e naftës dhe gazit, me projekte për shfrytëzimin pa kriter të nëntokës dhe me rritjen intensive të kafshëve. “Vëlla uji”, siç e quan Shën Françesku, grabitet dhe shndërrohet në mall”.

Kthesa e zemrës

Papa nuk ngurron aspak: për të ndërtuar një botë më të drejtë, shkruan ai, duhen vepra e jo fjalë. Të gjithë duhet të përpiqen të veprojnë drejt në çdo situatë, duke favorizuar marrëdhëniet me Zotin, me të afërmit dhe me natyrën. Ashtu si në enciklikën Laudato si', Papa Françesku ngul këmbë në kthesën ekologjike, që fillon nga zemra për t’u shtrirë në çdo fushë të jetës: "duhet të vendosim - pohon ai – t’i shndërrojmë zemrat, stilet e jetesës dhe politikat publike, që qeverisin shoqërinë”. Nuk është e rastit që Pasardhësi i Shën Pjetrit përdor foljen “të vendosim”, sepse sot është koha të marrim vërtet vendime, të cilat nuk mund të shtyhen më. Zemra e njeriut mbetet fusha e parë e veprimit dhe e ndryshimit.

“Është ‘kthesa ekologjike’, për të cilën na nxiti Shën Gjon Pali II: ripërtëritja e marrëdhënieve tona me Krijimin e Zotit, duke mos e konsideruar më objekt për t'u shfrytëzuar, por duke e ruajtur si dhuratë e shenjtë e Hyjit. Gjithashtu, duhet ta kuptojmë se një zgjidhje e përgjithshme kërkon ta respektojmë ekologjinë përmes katër rrugëve: respekt për Zotin, respekt për njerëzit e sotëm dhe të nesërm, respekt për natyrën e, së fundi, për vetveten”.

Ndryshimi i mënyrave të jetesës dhe i politikave

Mund të kontribuojmë në mbrojtjen e ambientit, vijon Papa, duke ndryshuar mënyrën e jetesës: më pak shpërdorime, më pak shfrytëzim, veçanërisht aty ku proceset e prodhimit janë toksike dhe të paqëndrueshme, më shumë thjeshtësi e jetuar me gëzim, përdorim më i moderuar i burimeve natyrore, asgjësim dhe riciklim i mbetjeve, përdorim produktesh dhe shërbimesh, që marrin përsipër përgjegjësinë për ambientin dhe shoqërinë. Ati i Shenjtë i quan qëndrimet e kundërta me këto, “mëkate ekologjike”, sipas shprehjes së protagonistit tjetër të krishterë në fushën e ekologjisë, Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu.

Françesku kërkon edhe ndryshimin e politikave botërore. “Krerët e botës, që marrin pjesë në samitin COP28, i cili do të mbahet në Dubai nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor të këtij viti, duhet të dëgjojnë shkencën dhe të fillojnë një tranzicion të shpejtë dhe të drejtë për t'i dhënë fund epokës së karburanteve fosile. Sipas impenjimeve të Marrëveshjes së Parisit për t’i vënë fre ngrohjes globale, nuk ka kuptim të lejohet shtimi i vazhdueshëm i infrastrukturave për karburantet fosile. Ta ngremë zërin për ta ndalur këtë padrejtësi kundër të varfërve dhe fëmijëve tanë, të cilët do të vuajnë pasojat më të këqija të ndryshimeve klimatike. U bëj thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë të veprojnë sipas këtyre udhëzimeve për shoqërinë dhe natyrën”.

Bashkimi e sinodaliteti për drejtësinë

Duke folur për Sinodin mbi sinodalitetin, që do të fillojë më 4 tetor, në festën liturgjike të Shën Françeskut të Asizit, që përkon me përfundimin e Kohës së Krijimit, Papa thekson perspektivën e unitetit dhe të bashkimit ndërmjet Kishave lokale, bashkësive rregulltare, shoqatave, vullnetarëve dhe gjithë të tjerëve që të veprojnë dhe të luten për një qëllim të vetëm: Shtëpia e përbashkët, planeti ynë, të mbushet përsëri me jetë dhe shkretëtira të kthehet në kopsht.

“Ashtu si lumi është burim jete për ambientin që e rrethon, ashtu edhe Kisha jonë sinodale duhet të jetë burim jete për Shtëpinë e përbashkët dhe për të gjithë banorët e saj. E, ashtu si lumi, që u jep jetë të gjitha llojeve të kafshëve dhe të bimëve, ashtu edhe Kisha sinodale duhet të japë jetë, duke mbjellë drejtësi dhe paqe kudo ku arrin”.

Në mbyllje të mesazhit, sërish simboli i liqenit të Shën Anës në Kanada, të cilin Françesku e krahason me Detin e Galilesë ku Jezusi shëroi dhe liroi shumë njerëz, duke shpallur "revolucionin e Tij të dashurisë": një vend që indigjenët Nakota Sioux e quajnë Wakamne, ose "Liqeni i Zotit", ndërsa populli Cree Manito Sahkahigan, "Liqeni i Shpirtit". Pikërisht prej tij vjen një mesazh aktual dhe i fuqishëm: "vëllazërimi është i vërtetë nëse bashkon të largëtit", nëse fton për bashkim, sidomos ndër të ndryshmit, “për të rifilluar së bashku nga e para, sepse të gjithë – të gjithë! – jemi shtegtarë për udhë”.

25 maj 2023, 15:40