Kërko

 Guvernatorët e Mbretërisë dhe dreka e Kryeministrit në Pallatin Buckingham Guvernatorët e Mbretërisë dhe dreka e Kryeministrit në Pallatin Buckingham 

Kurorëzimi i mbretit Charles III, sintezë e traditës dhe risisë

Në L'Osservatore Romano, kryeipeshkvi i Westminsterit dhe primat i Anglisë dhe Uellsit, kardinali Nichols, ndalet në aspektet e ceremonisë solemne të djeshme: shprehje e përpiktë dhe besnike e fesë dhe e shpresës së krishterë.

nga Vincent Gerard Nichols

Fjalët e para të kurorëzimit të mbretit Charles III, dje, 6 maj, në Westminster Abbey, mbeten shumë domethënëse.

I pari që foli, ishte një korist: "Madhëri - theksoi - si bij të Mbretërisë së Zotit, ju mirëpresim në emër të Mbretit të Mbretërve". E mbreti Çarls iu përgjigj: "Në emrin tuaj dhe sipas shembullit tuaj, nuk vij për t’u shërbyer, por për të shërbyer”.

Ceremonia që pasoi ishte thellësisht e krishterë në çdo ndjenjë e në çdo veprim: gërshetim i historisë me risinë, i veprimit me fjalën, i muzikës me lutjen e heshtur, pa fjalë! Çast për të medituar thellësisht qëndrimin që duhet të mbajë sundimtari e i sunduari…

U kujtuan në ato çaste arkivat e Pallatit Lambeth, ku ka të dhëna për kurorëzimin e mbretërve dhe mbretëreshave, që në shekullin e 11-të. Në ato kurorëzime përshkruhen katër elemente të përhershme: vajosja e monarkut, kurorëzimi, dorëzimi i shpatës së drejtësisë dhe marrja e kungimit. Të gjithë, elementë të pranishëm edhe në këtë kurorëzim, pasuruar nga shumë gjeste të tjera tradicionale, duke përfshirë dhënien e rruzullit dhe të skeptrit, si dhe dhurata të tjera. Ceremonia shprehu edhe një herë pasurinë e traditës, domethënë, vazhdimësinë dhe stabilitetin…

Por u panë sakaq edhe risitë: integrimi i traditës me elementë që shprehin ndryshimet në shoqërinë e sotme britanike. Një rol të veçantë patën edhe përfaqësuesit e feve të tjera: shpërndarjen e dhuratave. U dëgjua edhe muzikë korale e sapokompozuar, e kënduar në gjuhët e ndryshme të ishujve. Të ftuarit ishin nga të gjitha sferat e jetës, ashtu si udhëheqësit, nga shumë kombe. Qe i pranishëm spektri i plotë i feve të krishtera, disa nga të cilat luajtën rol aktiv. Në fund të ceremonisë, para se të largohej nga Westminster Abbey, Mbreti u përshëndet nga prijësit fetarë të besimeve të tjera, të cilët iu drejtuan si "të afërmit në fe”, për të marrë, si përgjigje, një shenjë mirënjohjeje nga ana e tij.

Historia e këtyre trojeve është e përshkuar thellë nga historia fetare. Deri në shekullin e 16-të kurorëzimi ishte katolik. Ndërsa katërqind vitet e fundit, i Kishës Anglikane, siç edhe vazhdon të jetë. Por këtë herë shumë aspekte të ngjarjes pasqyruan dhe forcuan marrëdhëniet thellësisht të ndryshuara ndërmjet dy Kishave.

Siç dihet, Papa Françesku i dhuroi Mbretit Karl një relike të kryqit të vërtetë të Krishtit. Relikja u vendos në një kryq argjendi, i cili i priu procesionit të parë në ditën e kurorëzimit. Papa u përfaqësua në kurorëzim nga Hirësia e Tij, Kardinali Parolin, Sekretar i Shtetit, i shoqëruar nga Nunci Apostolik i sapoemëruar, Shkëlqesia e Tij, Kryeipeshkvi Maury Buendia. Vetë ceremonia  pati shumë gjurmë të zanafillës katolike:  u kënduan Kyrie, Veni Sancte Spiritus, Te Deum dhe Gloria, sipas një marrëveshjeje të shkruar që në shekullin e 16-të nga William Byrd për katolikët. Kardinali Kryeipeshkëv i Westminsterit, qe i ftuar të marrë pjesë në bekimin e mbretit të sapokurorëzuar,  risi që përfaqëson një hap tjetër përpara në shërimin e plagëve tona të lashta, të përbashkëta.

Historia jonë është histori përçarjeje, gjë që ishte e dukshme edhe në kurorëzimin e tanishëm. Në qendër të traditës ishte betimi i bërë nga mbreti përpara vajosjes dhe kurorëzimit. E mori atë duke iu përgjigjur pyetjeve: “A do të bëni gjithçka që keni në dorë për ta mbajtur Mbretërinë e Bashkuar në fenë e reformuar protestante, siç përcaktohet me ligj? A do ta ruani të pacenueshëm institucionin e Kishës së Anglisë dhe doktrinën, adhurimin, disiplinën dhe qeverisjen e saj, siç përcaktohet me ligj në Angli?". Pyetje, që u pasuan nga përgjigjja e Mbretit, që bëri të ashtuquajturën Accesion Declaration Oath.

Mbreti Çarls deklaroi kohët e fundit se e bën këtë betim si anëtar plotësisht i përkushtuar dhe i devotshëm i Kishës së Anglisë. Duke shtuar se përveç kësaj detyre solemne, që është edhe detyrë kushtetuese, ka edhe detyra të tjera, më pak solemne, për t’u kryer me të njëjtin sinqeritet. Shpjegoi edhe se është detyrë të ruhet liria e fesë në Mbretërinë e Bashkuar e të pranohen edhe njerëz të të gjitha besimeve.

Një nga risitë më të rëndësishme të këtij kurorëzimi është se mbreti u lut publikisht, që ta dëgjonin të gjithë. Kjo lutje u bë menjëherë pas betimit. Mbreti u lute kështu:

“Ndihmomë, o Zot, të jem bekim për të gjithë bijtë e Tu, të të gjitha besimeve dhe bindjeve, që së bashku të zbulojmë rrugët e bujarisë dhe të prihemi në shtigjet e paqes, nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë. Amen".

Përmes këtij kurorëzim, pra, kompleksiteti i jetës britanike do të gjejë shprehje të qartë, në historinë, traditat, ndryshimet moderne dhe transformimet e saj. Parë gjithnjë si shprehje e përpiktë dhe besnike e fesë dhe e shpresës së krishterë. Në qendër të saj ishte lutja, duke nisur nga lutja e heshtur përpara altarit kryesor në hapje, për të shprehur dëshirën e mbretit Çarls e për të bërë të qartë se së pari do të jetë besnik ndaj Zotit, pa harruar as lutjen publike. E sidomos, Kungimin Shenjt! Për t’u dëshmuar të gjithëve se  feja, shpresa e dashuria janë baza e jetës.

Kujtojmë se përveç Shtetit të Qytetit të Vatikanit, ky është i vetmi vend  në botë ku fronëzimi i kreut të shtetit bëhet me ceremoni fetare. Është traditë e lashtë, që kontribuon fuqishëm në ndjenjën e identitetit dhe vazhdimësisë së kësaj shoqërie moderne komplekse dhe në gjithçka që ne sjellim në botë.

Zoti e bekoftë mbretin Çarls!

07 maj 2023, 14:23