Kërko

Françesku: DBR, shembull i një bote vëllazërore pa urrejtje e pa armë

Në audiencën e përgjithshme, e para pas pushimeve verore, Papa kujtoi shtegtimin në Portugali për takimin botëror të të rinjve: djemtë dhe vajzat bënë thirrje për paqe, duke bashkuar flamujt e tyre: "Thua do t'i dëgjojnë të mëdhenjtë e tokës"?

R.SH. - Vatikan

“Ndërsa në Ukrainë dhe në pjesë të tjera të botës luftohet, e ndërsa ndër dhoma të fshehta planifikohet lufta – e keqe kjo “planifikohet lufta” – DBR-ja u tregoi të gjithëve se mund të ndërtohet një botë tjetër: botë vëllezërish dhe motrash, ku valaviten së bashku flamujt e të gjithë popujve, krah për krah, pa urrejtje, pa frikë, pa ngujime, pa armë!”.

Mesazhi i të rinjve, mbledhur në Lisbonë javën e kaluar, është i qartë: por a do ta dëgjojnë të mëdhenjtë e tokës "këtë entuziazëm rinor, që do paqe", pyeti Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, përplot me njerëz nga të katër anët, me shpresën se “e gjithë bota e dëgjoi këtë Ditë të Rinisë dhe e shikoi bukurinë e të rinjve”. Takimi i të mërkurës me besimtarët rikthehet pas ndalesës për shkak të operacionit të 7 qershorit të kaluar dhe pushimeve të zakonshme në muajin korrik.

Në katekizmin kushtuar tërësisht shtegtimit të tij apostolik në Portugali, i  42-ti i papnisë, Papa bëri bilancin e Ditës XXXVII Botërore të Rinisë, duke pohuar se përfitoi shumë nga atmosfera festive dhe "vala e të rinjve, që pushtuan paqësisht vendin dhe kryeqytetin e tij të bukur”. Falënderoi, më pas, Kishën portugeze "për organizimin dhe mikpritjen" ndërsa të rinjtë portugezë i quajti "prani jetike" që, e forcuar nga përvoja e jetuar së bashku me bashkëmoshatarët e tjerë nga e gjithë bota, do të jetë e dobishme për të gjithë shoqërinë.

Një fillim i ri, pas pandemisë

Dita Botërore të Rinisë 2023, e para pas pandemisë, "u jetua nga të gjithë si dhuratë e Zotit", që "hap gjithmonë horizonte të reja" - theksoi Françesku. Edhe nëse pandemia "pati ndikim të rëndë mbi sjelljet shoqërore" e breznitë e reja "u prekën posaçërisht " nga muajt e izolimit që çuan shpesh në mbyllje brenda katër muresh, me takimin në Lisbonë "Zoti dha një "shtytje" në kuptimin e kundërt". Ishte "fillim i ri" – shpjegoi me kënaqësi Papa – Shpirti Shenjt "i vuri përsëri në lëvizje zemrat dhe hapat e të rinjve të botës nëpër shtigjet e Ungjillit", duke i udhëhequr, jo rastësisht - reflektoi - në kryeqytetin portugez, “qytet simbolik i zbulimeve të mëdha në det”.

Maria u prin të rinjve te Jezusi

Më pas Françesku kujtoi se "në DBR Ungjilli u propozoi të rinjve" si model Marinë e cila, në çastin më kritik, shkon për të ndihmuar  kushërirën e saj, Elizabetën. "U ngrit dhe shkoi shpejt" - na kujton Ungjilli: "Ajo bën me nxitim shumë gjëra për ne, nuk na lë kurrë të presim, është nëna e të gjithëve”. Kështu, sot Nëna Qiellore “i prin shtegtimit të të rinjve në ndjekje të Jezusit – nënvizoi - Siç pati bërë një shekull më parë në Portugali, në Fatima, kur iu drejtua tre fëmijëve, duke u besuar atyre një mesazh feje dhe shprese për Kishën në botë:

“Për këtë arsye gjatë DBR-së u ktheva në Fatima, në vendin e dukjes dhe, së bashku me disa të rinj të sëmurë, iu lutëm Zotit ta shërojë botën nga sëmundjet e shpirtit: nga krenaria, gënjeshtra, armiqësia, dhuna. Janë sëmundjet e shpirtit e prej tyre vuan sot bota! Ia kushtuam sërisht veten, Evropën, botën Zemrës së Marisë, Zemrës së Papërlyer të Zojës. Unë u luta për paqen, sepse tepër luftëra ka sot në të katër anët e botës!”.

Në kujtesën e Papës kanë mbetur shumë të rinj nga vise të ndryshme "të cilët erdhën në Lisbonë me shumicë e me shumë entuziazëm", madje edhe në "grupe të vogla, disa me shumë probleme" si "grupi i të rinjve ukrainas, që solli me vete  histori  tejet  të dhimbshme".

Gëzim, kur ndjehesh Popull i Zotit

Nuk ishte "festë, as udhëtim turistik, e as ngjarje shpirtërore vetjake", ajo që jetuan të rinjtë e shumtë, mbledhur "me shumë entuziazëm", në Lisbonë nga pesë kontinentet - vërejti në vijim Papa - duke sqaruar më pas çfarë kuptimi ka takimi rinor, i lindur gjatë papnisë së Gjon Palit II, në vitin 1985:

“Dita e Rinisë është takim me Krishtin e gjallë përmes Kishës. Të rinjtë shkojnë të takojnë Krishtin; është e vërtetë se ku ka të rinj ka gëzim, e pak nga gjithçka!”.

Më në fund, Françesku nuk i harroi as ata që punuan shumë për suksesin e Ditës XXXVII Botërore të Rinisë në Portugali dhe shprehu përsëri mirënjohjen për Presidentin e Republikës "i cili ishte i pranishëm në të gjitha festimet", për autoritetet civile portugeze dhe "për të gjithë bashkëpunëtorët e vullnetarët”, 25,000 në këtë rast. Papa kujtoi takimin me ta, para se të kthehej në Romë dhe e përfundoi katekizmin duke iu lutur Virgjërës Mari që Zoti t’i "bekojë të rinjtë e mbarë botës" dhe duke u kërkuar të gjithëve ta thonë së bashku me Të një Falemimëri!

09 gusht 2023, 11:26

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >