Lutja e Papës, në fund të Rruzares me të rinjtë e sëmurë, për Paqen në botë
R.SH. / Vatican News
Lutja e Atit të Shenjtë, në fund të Rruzares shenjte me të rinjtë e sëmurë
Fatima, 5 gusht 2023
O Mari, jemi këtu përballë teje. Ti je Nënë dhe kujdesesh për ne. I di dhimbjet dhe mundimet tona. Të shikojmë, zhytemi në sytë tuaj, ia besojmë vetveten zemrës sate.
As Ty nuk të munguan pyetjet e frika: u trembe, kur të erdhi për vizitë engjëlli në Nazaret, u frikësove, kur nuk gjete strehim në Betlehem, të pushtoi ankthi, kur e humbe Jezusin në tempull. Por provave u bëre ballë me guxim: ia besove gjithçka Zotit e frikës iu gjegje me dashuri; shqetësimit me kujdes, ankthit me dhurim. Nuk u zmbrapse kurrë në çastet vendimtare; e more menjëherë vendimin: te Elizabeta shkove pa asnjë ngurrim; në dasmën e Kanës trokite në zemrën e Jezusit, në dhomën e sipërme i mbajte dishepujt të bashkuar. Në Kalvar, një shpatë ta shporoi zemrën por ti, grua e përvuajtur dhe e fortë, e shndrite natën e dhimbjes me shpresën e Pashkëve.
Shikona tani, vuaj me ne e për ne. Zemra jote preket nga problemet tona. I zbrazim në zemrën Tuaj: merreni edhe një herë nismën për ne, në këto kohë të nëpërkëmbura nga padrejtësia, të rrënuara nga armët. Silli, o Nënë, sytë tuaj drejt familjes njerëzore, e cila ka humbur rrugën drejt paqes, ka humbur ndjenjën e vëllazërisë dhe nuk mund të gjejë atmosferën e shtëpisë. Ndërmjetëso për botën tonë plot me rreziqe e trazira, që ta mirëpresë jetën dhe ta dëbojë luftën, të kujdeset për ata që vuajnë dhe ta ruaj krijimin. Ne vijmë te ti e kërkojmë strehim në zemrën tënde të papërlyer. Kërkojmë mëshirë, o Nënë e mëshirës; Paqe, o Mbretëreshë e Paqes! Shndërroji shpirtrat e atyre që ushqejnë urrejtje dhe nxisin konflikte, atyre që besojnë se lufta i zgjidh problemet. Preki zemrat e atyre që janë larg, atyre që nuk kanë gëzimin e njohjes së Zotit. Ndihmoi ata që janë vetëm, përkrahi ata që janë të sëmurë, ngushëlloi, ata që e humbën çdo shpresë!
Në këtë dialog me Ty, Mbretëreshë e Rruzares së Shenjtë, ne kujtojmë thirrjet tuaja amtare. Ti erdhe për të kërkuar lutje dhe pendesë. Po ne sa e sa herë u tërhoqem nga gjëra të tjera: të trazuar nga nevojat tona dhe të shpërqendruar nga një mori interesash, i bëmë veshët të shurdhër për ftesat tuaja. Por ti, o Nënë, na do e nuk lodhesh kurrë prej nesh! Na kujto sërish se Zoti e meriton vendin e parë. Na ndihmo të bëjmë kthesë. Ruaje unitetin në Kishë, kur polarizohet nga ideologjitë, plagoset nga mëkatet e bijve të vet, e tunduar nga mendësia e botës. Ti, vogëloshe, madhërove gjërat e mëdha që bëri Zoti në ty; kujtona se përvujtëria dhe butësia janë çelësat që hapin arkën e thesarit të zemrës së Zotit, duke e lejuar Shpirtin e tij të vërshojë mbi botën. Ngushëlloi të vegjlit dhe të thjeshtët, ata që besojnë, adhurojnë, shpresojnë dhe duan; inkurajoi në misionin e tyre. Ndize zellin apostolik tek ne të gjithë: merri për dore të rinjtë: bëj të shndrisë në ta dëshira që ta vënë jetën e tyre në lojë, për të realizuar ëndrrat e mëdha dhe të bukura.
O Mari, të duam dhe të besojmë. E mbështetemi përsëri tek ti. Me zemrën e bijve, ta kushtojmë jetën, çdo fije të vetvetes, gjithçka kemi e gjithçka jemi, përgjithmonë. Ta kushtojmë Kishën dhe botën, veçanërisht vendet në luftë. Na e jep paqen! Ti, Virgjëra e Udhës, hap rrugë atje ku duket e mbyllur. Zgjidhi nyjet, zgjidhe lëmshin e egoizmit dhe lidhëset e pushtetit. Ti, që nuk të mund askush në bujari, na mbush me butësi, na mbush me shpresë e ndihmona ta shijojmë gëzimin e pafund, gëzimin e Ungjillit. Amen.