Mbrëmja e lutjes së DBR-së, Papa: gëzimi është misionar, çojeni kudo
R.SH. – Vatikan
Duhet të ecim gjithmonë përpara në jetë e, kur rrëzohemi, kemi nevojë për ndihmë që të çohemi sërish në këmbë. Kjo është stërvitje e vazhdueshme, pasi asgjë në botë nuk është falas, përveç dashurisë së Jezusit. Këto ishin fjalët e Papës Françesku para një milion e gjysmë të rinjve, që mbrëmë, mbushën Parkun madhështor Tejo në Lisbonë, ku ndjenjën gjatë gjithë natës për adhurimin eukaristik, të sistemuar me dyshekë kashte, dyshekë kampingu, batanije, tenda. Ishte veprimtaria e parafundit e Ditës së 37-të Botërore të Rinisë, në të cilën mbërritën nga Fusha e Hirit (Campo da Graça), pas 8-10 kilometra në këmbë, duke i pushtuar paqësisht e me hare rrugët e kryqytetit portugez.
Gëzimi është misionar
Pas rreshtave të parë, Papa la mënjanë fjalimin e shkruar e nisi dialogun me të rinjtë, duke u bërë pyetje, që kërkonin përgjigje nga ai publik i vëmendshëm, të cilit i shpjegoi kuptimin e thellë të gjestit të Marisë, që për të arritur te kushërira e saj "u ngrit dhe shkoi me nxitim", pavarësisht se ishte shtatzënë. Zoja, komentoi Papa moton e kësaj DBR-je, "në vend që të mendojë për veten, mendon për tjetrën", për kushërirën e saj, sepse "gëzimi është misionar", nuk është për vetveten, por për t'u çuar diçka të tjerëve. E ajo i çoi Elisabetës Jezusin. Françesku e përsëriti këtë disa herë, duke u kërkuar edhe të rinjve ta përsërisin: duhet t'u çojmë gëzim të tjerëve, ashtu siç na kanë mësuar, me shembullin e tyre, njerëzit që na sollën në dritë e ata, që na ndihmojnë në jetë: prindërit, gjyshërit, miqtë, meshtarët, rregulltarët, katekistët, animatorët, mësuesit. Ati i Shenjtë kërkoi një çast heshtjeje për t'i kujtuar ata, që i quajti “rrënjët e gëzimit”. Të atij gëzimi, i cili nuk është i përkohshëm dhe i çastit, por hedh rrënjë të thella. E kjo, vërejti Papa, nuk ndodh në ndonjë bibliotekë, por në dialog me të tjerët.
Ndihmojini ata, që rrëzohen, të rimëkëmben
Pyetja tjetër, që Papa u bëri djemve dhe vajzave të Parkut Tejo, është nëse u ka ndodhur të lodhen, të dorëzohen, të mos kenë më dëshirë për asgjë. Është çasti kur njeriu nuk ecën më përpara e rrëzohet, por ky dështim nuk është fundi, nënvizoi Françesku. Ati i Shenjtë përmendi një këngë të trupave alpine italiane, ku nënvizohet se e rëndësishme është të mos mbetesh përtokë, të mos ia mbyllësh dyert shpresës. E rëndësishme është të ndihmohet ai, që e ka pasur aq të rëndë peshën në jetë sa të rrëzohet. E Papa përsëriti një frazë, që e ka thënë shpesh e që shkaktoi një duartrokitje të stuhishme nga të rinjtë: e vetmja mënyrë për ta parë dikë nga lart – poshtë, është ta ndihmosh të ngrihet sërish në këmbë.
Ecja kërkon stërvitje
Për t’i bërë të gjitha këto, theksoi Françesku, duhet stërvitje, ashtu siç ndodh në një ndeshje futbolli për të bërë gol. “Nuk ka asnjë kurs, që na mëson si të ecim në jetë”, nënvizoi Ati i Shenjtë, “e mësojmë nga prindërit, e mësojmë nga gjyshërit, e mësojmë nga miqtë, duke u kapur për dore”. Papa i ftoi të rinjtë të ecin përpara drejt një objektivi të mirëpërcaktuar e të stërviten për çdo ditë të jetës, sepse “asgjë nuk është falas. Gjithçka e ka një çmim”. “Vetëm një gjë është falas”, kujtoi ai: dashuria e Jezusit. Së fundi, Ati i Shenjtë u bëri thirrje të rinjve të mos kenë frikë, të marrin jetë nga rrënjët e tyre.
Festa e Mbrëmjes së Lutjes
Mbrëmja e Lutjes ishte festë për rininë. Fillimisht, një shfaqje me muzikë e balet, gjatë së cilës u tregua historia e një vajze, që e ndryshoi krejtësisht jetën, pas takimit me Zotin. Në shfaqje, edhe dy dëshmi: e para, e një të riu, që vendosi të bëhej meshtar, kur dëgjoi thirrjen e Zotit, pas një aksidenti rrugor, nga i cili shpëtoi për mrekulli, ndërsa e dyta, ajo e Martës 18-vjeçare nga Mozambiku, së cilës iu vra i ati nga terroristët. Së bashku me të ëmën dhe me tri motrat u fshehën në një pyll, ku iu lutën shumë Hyjit të Gjithëpushtetshëm, pa e humbur kurrë shpresën në Të e në të ardhmen.
Të ndryshme, historitë e të rinjve në turmën e zhurmshme e gjigante, si ajo e çiftit polak, martuar dy ditë para nisjes për Lisbonë, ku po bëjnë muajin e mjaltit. Simbolet e DBR-së, kryqi dhe fugurja e Zojës “Salus Populi Romani”, mbërritën herët, duke shkaktuar lëvizje e zhvendosje për të bërë fotografi. Kur Papa hipi mbi podium, avionët ushtarakë portugezë ndezën qiellin, të shoqëruar nga mijëra sy, jo vetëm në Parkun Tejo, por edhe në qendër të Lisbonës, ku ishin vendosur monitorë e rreth 3 mijë karrige për të moshuarit e për ata, që s’kishin mundësi të shkonin në Lutjen rinore. Gjithçka, e shoqëruar me himnin e DBR-së, “Felizes”, shkruar nga meshtari jezuit Miguel Pedro Melo e vënë në muzikë nga Miguel Tapadas, përkthyer e kënduar edhe në shqip.