Papa: dua të shkoj në Kosovë, më parë vendet e vogla të Evropës, pastaj, të mëdhatë
R.SH. – Vatican News
Kosova si destinacion i mundshëm për një udhëtim të ardhshëm apostolik të Papës; misioni i kardinalit Zuppi, që vazhdon në Kinë dhe nismat për një "ofensivë paqeje"; reformat e Kishës; kohët jo të përshtatshme për një Koncil III të Vatikanit; mikpritja për të gjithë dhe ngurtësia e tepruar e disa sektorëve kishtarë: këto, disa nga temat në qendër të bisedës së Papës Françesku me revistën spanjolle “Vida Nueva”, realizuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, para nisjes për DBR-në e Lisbonës. Intervista botohet në një numër të veçantë, me rastin e 65-vjetorit të themelimit.
Udhëtimet e ardhshme
Mes batutave, reflektimeve dhe rrëfimeve, Papa u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, që realizojnë botimin në letër dhe atë dixhital të revistës “Vida Nueva” të përhapur në Amerikën Latine dhe në Spanjë. Kur e pyesin për një udhëtim të mundshëm në Spanjë, përgjigjet: “Nuk do të shkoj në asnjë vend të madh të Evropës derisa të mos mbaroj me të vegjlit”. Në fakt, Papa Françesku përsërit ç’pati thënë në vitin 2014, gjatë udhëtimit të tij të parë evropian, që e çoi në Shqipëri, në vendin e vogël të shqipeve, që ruan me xhelozi në historinë e vet si atë, ashtu edhe shtegtimin apostolik të Papës Gjon Pali II, në vitin 1993, menjëherë pas rënies së komunizmit.
E tani, listës së vendeve “të vogla”, mund t’i shtohet edhe Kosova, hipotezë e lindur më 22 qershorin e kaluar në Vatikan, pas audiencës me kryeministrin Albin Kurti, i cili e ftoi Papën në Prishtinë. “Jemi duke punuar për Kosovën, por ende nuk është e përcaktuar përfundimisht”, pohon Françesku. Ndërsa pyetjes së pashmangshme për udhëtimin në Argjentinë, ai i përgjigjet: “Mund të konfirmoj se është në plan, të shohim nëse do të realizohet, pasi të përfundojë viti zgjedhor”.
"Ofensiva e paqes" e kardinalit Zuppi
Duke e hedhur vështrimin mbi krejt botën, Papa u përgjigjet më pas disa pyetjeve lidhur me luftën në Ukrainë dhe shpjegon se, pas etapave të Kievit, Moskës dhe Uashingtonit, kardinali Matteo Maria Zuppi mund të shkojë në Pekin për të plotësuar misionin, që Ati i Shenjtë e quan në intervistë “ofensiva e paqes”: "Zuppi po punon fort si përgjegjës për dialogun", pohon Françesku. Pas SHBA-ve, ai do të shkojë në Kinë, "sepse të dyja vendet mbajnë çelësin për uljen e tensionit të konfliktit". Kardinali "ka shkuar tashmë në Kiev, ku ruhet ideja e fitores, pa zgjedhur ndërmjetësimin. Ka qenë edhe në Moskë, ku gjeti një qëndrim, që mund ta cilësojmë si diplomatik nga ana e Rusisë”. Për Papën, "hapat më domethënëse" kanë të bëjnë me kthimin e fëmijëve ukrainas në vendin e tyre: "Po bëjmë gjithçka kemi në dorë për të garantuar që çdo anëtar familjeje, i cili kërkon kthimin e fëmijëve të vet, të mund ta bëjë këtë".
Takim me krerët fetarë në Abu Dabi
Françesku shpjegon gjithashtu se dëshiron "të emërojë një përfaqësues të përhershëm për të vepruar si urë lidhëse ndërmjet autoriteteve ruse dhe ukrainase. Për mua, në mes të dhimbjes së luftës, është hap i madh”, pohon. Dhe kujton se, në nëntor, para Takimit të Kombeve të Bashkuara për klimën në Dubai, po organizohet një takim paqeje me krerët fetarë në Abu Dabi: "Kardinali Parolin po e koordinon këtë nismë, e cila do të mbahet jashtë Vatikanit, në një territor neutral, që i fton të gjithë të takohen”.
S’është koha për një Koncil III të Vatikanit
Duke u përqendruar më pas, në çështjet e Kishës, Papa argjentinas nënvizon se "nuk është koha për një Koncil III të Vatikanit". E pastaj, “as që është i nevojshëm”, duke qenë se “Koncili II i Vatikanit ende duhet zbatuar”. Përsa i përket reformave, Françesku pranon: "Nuk kam marrë akoma guximin për t’i dhënë fund kulturës së oborrtarëve në Kurie". E, gjithsesi, “Kisha nuk mund të reformohet pa Ungjillin”, thekson Papa.
Ngurtësia, e dëmshme në Kishë
Së fundi, duke folur për të rinjtë, Ati i Shenjtë vëren se “baritoria ideologjike, qoftë e majtë, qoftë e djathtë” është e dëmshme për ta. Ashtu siç është edhe ngurtësia e tepruar në Kishë: “Kam frikë nga grupet rinore intelektuale, nga ata që i mbledhin të rinjtë të reflektojnë dhe pastaj, i mbushin me ide të çuditshme”. Edhe në seminare, shton ai, “kemi nevojë për seminaristë normalë, me problemet e tyre, nga ata që luajnë futboll, që nuk shkojnë nëpër lagje për të dogmatizuar”.
Jorge Mario Bergoglio fton të “demaskohen profetët e konfuzionit. Të gjitha këto propozime ‘me erë të keqe’ duhet të hidhen poshtë me argumente të qarta”. Duke folur për "teologjinë e ndenjur të teksteve shkollore", Papa paralajmëron se lehtësisht, ajo mund “të depërtojë në disa lëvizje, që marrin pamje prej restaurocionistësh [pra, lëvdojnë veç të kaluarën], në dukje, me shumë misticizëm, por edhe me shumë korrupsion". Së fundi, në intervistë, kujtimi i takimit me një grup transeksualësh në Vatikan: “Ikën duke qarë, duke thënë se u kisha dhënë dorën, i kisha puthur... Sikur të kisha bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme për to! Por ato janë bija të Zotit!”