Papa Françesku largohet nga Lisbona, me mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë
R.SH. – Vatikan
Pas pesë ditësh intensive, i zhytur në oqeanin e një milion e gjysmë të rinjve, të mbledhur për Ditën e 37-të Botërore të Rinisë, Papa Françesku largohet nga Lisbona për t'u kthyer në Romë. Avioni A321/TAP Air Portugal, që mbante në bord Papën, shoqëruesit e tij dhe gazetarët ndërkombëtarë, u ngrit rreth orës 18.20 (19.20 në trojet shqiptare) nga baza ajrore Figo Maduro, ku u mbajt ceremonia e lamtumirës. Papa mbërriti atje, pasi u takua sot pasdite me rreth 25.000 vullnetarë, të cilëve u shprehu mirënjohjen për punën e tyre.
Ceremonia e lamtumirës
Në bazën ajrore, Papa pati një bisedë private me presidentin portugez Marcelo Rebelo da Souza, i cili ka qenë i pranishëm në të gjitha veprimtaritë e Françeskut, nga data 2 gusht e deri më sot, e diel, 6 gusht. Pas përshëndetjeve, Ati i Shenjtë hipi në aeroplan. Kështu përfundon udhëtimi i 42-të apostolik ndërkombëtar, gjatë të cilit Papa Françesku përjetoi ngjarje të shumta: nga ato institucionale të ditëve të para me autoritetet politike dhe më pas me klerin vendas, te takimet karakteristike të çdo Dite Botërore të Rinisë e, deri te vizita në shenjtëroren e Fatimës, me lutjen drejtuar Zojës së bashku me të sëmurët dhe të burgosurit.
Telegram për presidentin da Souza
Menjëherë pas nisjes, Papa, si zakonisht, i dërgoi një telegram kreut të shtetit: “Gjatë kthimit tim në Romë, në fund të udhëtimit apostolik, dëshiroj t'i shpreh edhe një herë mirënjohjen time të thellë Shkëlqesisë suaj dhe popullit portugez për mikpritjen e ngrohtë gjatë vizitës. Duke siguruar lutje për të gjithë ju, kërkoj përzemërsisht për kombin tuaj bekimet e Zotit të Gjithëpushtetshëm për vëllazërim, gëzim dhe paqe".