Kërko

Papa: në Fatima u luta për paqen pa shumë bujë

Në avionin e kthimit nga Lisbona, Françesku u shpjegoi gazetarëve pse zgjodhi të lutej në heshtje në shenjtërore dhe pse, para të rinjve, preferoi t'i linte mënjanë fjalimet e përgatitura dhe të fliste me ta më haptazi. Papa ripohoi "tolerancën zero" për çështjen e abuzimit të fëmijëve. Shpjegoi edhe arsyet e udhëtimit në Marsejë. Përsëriti se Kisha është e hapur për të gjithë, edhe për ata që nuk mund të marrin disa sakramente. “Shëndeti im është i mirë”

R.SH. – Vatikan

         Papa Françesku shprehu mahnitjen e tij për pjesëmarrjen e madhe të të rinjve në DBR-në e Lisbonës - më e organizuara nga të katërtat ku ka marrë pjesë – gjatë konferencës së mbrëmshme për shtyp, në avionin e kthimit nga Portugalia, ku shkoi nga 1 deri më 6 gusht, në udhëtimin e tij të 42-të ndërkombëtar. Ati i Shenjtë nënvizoi se është në gjendje të mirë shëndetësore, se nuk ka probleme me shikimin dhe ritheksoi tolerancën zero kundër “murtajës së jashtëzakonshme” të abuzimit me fëmijët. Sqaroi gjithashtu se do të shkojë në Marsejë, sepse është tejet i shqetësuar për çështjen e emigrantëve, veçanërisht për vendet e grumbullimit të tyre në Afrikën e Veriut, që janë kthyer në kampe përqendrimi, duke u shndërruar në varreza edhe më të mëdha se Deti Mesdhe. Së fundi, nënvizoi se iu lut në heshtje Zojës së Fatimës, “pa bujë”. E nëse nuk respektoi disa fjalime zyrtare, kjo ndodhi sepse ishin të gjata dhe donte t’u tërhiqte vëmendjen të rinjve, duke u thënë thelbin e mesazhit. Të rinj, që janë e ardhmja dhe nuk duhen gjykuar vetëm nga ndonjë sjellje, e cila nuk përkon me moralin.

Lutja e heshtur në shenjtëroren e Fatimës

         Konferenca e shtypit në avionin, që e solli Papën në Romë, ishte disi më e shkurtër se zakonisht, pasi edhe fluturimi ishte i shkurtër, pak më shumë se tri orë. Kujt e pyeti pse nuk e shqiptoi lutjen për Zojën në shenjtëroren e Fatimës, iu përgjigj:

“Iu luta Zojës dhe iu luta për paqen, por pa bërë bujë. Duhet ta përsërisim vazhdimisht këtë lutje për paqe. Ajo na e pati kërkuar që në Luftën I Botërore. Nuk bëra reklamë”.

Papa, gjatë konferencës për shtyp në avion
Papa, gjatë konferencës për shtyp në avion

Tolerancë zero kundër abuzimit me fëmijët

Përsa i përket plagës së abuzimit të fëmijëve, Papa Bergoglio kujtoi se priti një grup viktimash në Lisbonë, pas raportit për rastet në Kishën portugeze. “Folëm për këtë murtajë të tmerrshme – nënvizoi ai. – Abuzimi është sikur ta hash njeriun. Të flasësh me njerëzit e dhunuar është përvojë e dhimbshme. Por është mirë për mua, më ndihmon të marr përgjegjësinë për këtë çështje. Është fenomen serioz, shumë serioz. Tolerancë zero. E, barinjtë e Kishës, që s’e kanë bërë ende, duhet ta marrin përsipër këtë përgjegjësi. Bëj thirrje që të jemi të hapur. Tani procesi në Kishën portugeze po shkon mirë dhe merret seriozisht – shtoi Françesku. – Po kërkohet e vërteta. Nganjëherë, edhe shifrat. Jam i informuar si po shkojnë punët". Papa kujtoi edhe abuzimet e tjera: shfrytëzimi i fëmijëve në botën e punës, abuzimi i grave, dëmtimet seksuale të vajzave në shumë vende. "Duhet të eliminojmë kulturën e abuzimit dhe të bëjmë kthesë", kërkoi Ati i Shenjtë.

Shëndeti i Papës është i mirë

Më pas e pyesin për shëndetin.

“Shëndeti im është i mirë. Më kanë hequr penjët e qepjes, bëj jetë normale. Mbaj një fashë, më duhet ta mbaj për dy muaj, derisa muskujt të jenë gati”. Papa nuk ka probleme me shikimin. Në famullinë e Serafinës, të premten në Lisbonë, një dritë e shqetësoi, prandaj e ndërpreu leximin e fjalës së përgatitur. E, më në përgjithësi për fjalimet e ditëve të Lisbonës, sqaroi: “Kur flas, përveçse për homelitë akademike, përpiqem të kërkoj komunikimin me të tjerët. Edhe në homelitë akademike bëj shaka për të parë si shkon komunikimi. Me të rinjtë – u tha Françesku gazetarëve - bisedimet ishin të gjata dhe unë përmblodha pikat thelbësore të mesazhit, idenë themelore. Bëja pyetje dhe jehona e përgjigjeve më ndihmoi. Të rinjtë nuk e kanë të gjatë kohën e përqendrimit të vëmendjes. Një ide, një imazh dhe një ndjenjë: mund t'ju ndjekin vetëm tetë minuta. Në ‘Evangelii Gaudium’ kam shkruar një kapitull të gjatë për homelinë. Nganjëherë, homelitë janë torturë. Kisha duhet ta ndryshojë këtë aspekt të predikimit, i cili duhet të jetë i shkurtër, i qartë, me një mesazh të saktë dhe plot dashuri”.

Papa u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve
Papa u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve

Udhëtimi i ardhshëm në Marsejë

U fol edhe për udhëtimin e ardhshëm në Marsejë, më 22 dhe 23 shtator.

"Shkova në Strasburg, do të shkoj në Marsejë, por jo në Francë – theksoi Papa. - Problemi i Mesdheut më shqetëson shumë. Shfrytëzimi i emigrantëve është kriminal. Sidomos në të ashtuquajturat ‘kampe përqendrimi’ në Afrikën e Veriut. Ju rekomandoj të lexoni ‘Hermanito’ – ‘Vëllai i vogël’ - libër i një migranti, të clit iu deshën tri vjet për të mbërritur nga Guinea në Spanjë, pasi u torturua, u shfrytëzua dhe u skllavërua. Mund të lexohet në dy orë, por ia vlen. Kalohet një dramë, para nisjes. Organizata ‘Mediterranea Saving Humans’ po bën punë të madhe për të shpëtuar emigrantët, që lihen të vdesin në shkretëtirën ndërmjet Libisë dhe Tunizisë. Në takimin e Marsejës, do të reflektohet serizisht për tragjedinë e  emigrantëve. Mesdheu është kthyer në varrezë, por varreza më e madhe është veriu i Afrikës".

Një gazetar francez e pyeti Papën: “Po pse nuk vjen në Francë? A mos keni ndonjë gjë kundër Francës? “Jo – u përgjigj Françesku – po vizitoj vendet e vogla, të mëdhatë po i lë për më vonë. Për në fund. Nuk kam asgjë kundër Francës”.

Kisha është e hapur për të gjithë

Në pyetjen e tij, grupi gjerman i gazetarëve i kujtoi Atit të Shenjtë se, gjatë këtij udhëtimi, tha disa herë: “Kisha është e hapur për të gjithë”. Atëherë, pse gratë dhe homoseksualët nuk mund t’i marrin të gjitha sakramentet?

“Më bëni pyetje për dy çështje të ndryshme – u përgjigj Françesku. – Kisha është e hapur për të gjithë, por ka rregulla për jetën e brendshme të saj. Nëse dikush nuk mund të marrë sakramentet, kjo nuk do të thotë se Kisha është e mbyllur. Të gjithë e takojnë Zotin në jetë, brenda Kishës. E Kisha është nënë dhe e udhëheq secilin në rrugën e vet. Të gjithë. Pastaj, secili, me lutje, me ndihmën e katekistit, ecën përpara. Homoseksualët? Zoti flet për të gjithë, të sëmurë, të rinj e të moshuar, të mirë e të këqij. Por shpesh, hyrja në Kishën, që është Nënë, nuk kuptohet mirë. Mendohet si të ishte ndonjë ndërmarrje, ku, për të hyrë, duhen bërë disa gjëra të caktuara. Ndryshe është shërbimi i të shuguruarve në Kishë, mënyrë për ta mbarështuar grigjën e Zotit. Gëja më e rëndësishme është durimi, shoqërimi i secilit, hap pas hapi, drejt rrugës së pjekurisë. Kisha është Nënë, i pranon të gjithë dhe secili ndjek rrugën e vet”.

Papa në avion me gazetarët
Papa në avion me gazetarët

Lisbona, Dita Rinore e përgatitur më mirë

Më pas kalohet në ndjenjat e Atit të Shenjtë për DBR-në e sapopërfunduar, e katërta ku mori pjesë, "pas Rios, ‘à la brasileira’ - tha ai me buzëqeshje - pastaj Krakovi e Panamaja". “Më bëri përshtypje numri i të rinjve, më se një milion e gjysmë – vuri në dukje Papa. – Është edhe Dita e përgatitur më mirë. Të rinjtë janë të rinj. Përpiqen të shohin përpara. Janë e ardhmja. Problemi është të dish t'i shoqërosh dhe të mos i shkëputësh nga rrënjët. Për këtë arsye, unë ngul këmbë shpesh që ata të flasin me gjyshërit, gjë më e rëndësishme edhe se dialogu me prindërit, sepse atje i kanë rrënjët”.

Morali i të rinjve dhe feja e tyre

Sipas Atit të Shenjtë, “të rinjtë janë fetarë, por kërkojnë një fe jo gnostike e as me bazë ligjin, duan takimin me Jezusin e vërtetë. E kjo nuk është e lehtë. Disa thonë: 'Por të rinjtë nuk bëjnë jetë sipas moralit'. Kush prej nesh nuk ka bërë ndonjë gabim moral në jetën e tij, duke thyer ndonjë urdhërim? Por Zoti është i mëshirshëm, ai është Atë dhe shkon përtej çdo gjëje”.

Së fundi, një pyetje mbi tragjedinë e vetëvrasjes së të rinjve.

“Sot, vetëvrasja e të rinjve është problem me shifra të rëndësishme – vërejti Papa. – Mediat nuk flasin për këtë, sepse nuk ka informacion. Shumë të rinj janë të shqetësuar dhe të dëshpëruar. Në disa vende, universitetet janë tepër kërkuese. Të rinjtë, që nuk janë në gjendje të diplomohen, ose të gjejnë një punë të mirë, vrasin veten, sepse ndiejnë turp të madh. Nuk them se është gjë e përditshme, por mbetet problem”.

Këtu përfundoi konferenca për shtyp e Atit të Shenjtë, në avionin e kthimit nga DBR-ja e Lisbonës. Argumentet, që trajtoi, së bashku me temat e diskutuara me të rinjtë në Portugali, ndërmjet të cilëve edhe 180 shqiptarë, të shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta, nga kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, si edhe nga meshtarë e murgesha, janë bazë për reflektimin dhe jetën e mëtejshme rinore në çdo dioqezë të botës, pas kthimit të të rinjve në shtëpi.

07 gusht 2023, 12:21