Kërko

Papa në lutje Papa në lutje  (ANSA)

Françesku në Shën Marinë e Madhe falënderon Zojën për shtegtimin në Lisbonë

Françesku, i kthyer nga Portugalia dje, më 6 gusht, shkoi sot në mëngjes për herë të 110-të në Bazilikën Liberiane për t’u lutur para Salus Populi Romani, simbol i DBR-së, së bashku me kryqin e shtegtarit.

R. SH. - Vatikan

Si zakonisht në përfundim të çdo shtegtimi apostolik, edhe këtë herë, pas kthimit nga Lisbona të dielë, më 6 gusht, në përfundim të Ditës Botërore të Rinisë, sot në mëngjes Françesku shkoi në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe për t'iu lutur Zojës. Papa - njofton Salla e Shtypit e Vatikanit – u  ndalua në lutje përpara ikonës së Virgjërës Salus Populi Romani, që gjithashtu shtegtoi këto ditë në Lisbonë, ku ishte një nga simbolet kryesore të gjithë ngjarjes, së bashku me Kryqin e Shtegtarit

Edhe para se të nisej për këtë shtegtim aq të dëshiruar, Françesku ishte te Nëna, për t'ia besuar shtegtimin e tij të 42-të apostolik dhe gjithë të rinjtë që do të merrnin pjesë në Ditën Botërore të Rinisë. Prandaj u kthye përsëri sot - për herë të 110-të që nga fillimi i papnisë - që ta falënderonte rishtas Nënën, për përfundimin e suksesshëm të shtegtimit në trojet lusitane, ku ishin të pranishëm më se një milion e gjysmë djem dhe vajza nga e gjithë bota.

07 gusht 2023, 11:55