Kërko

Mesha Shenjte  për  Ditën Botërore të Rinisë Mesha Shenjte për Ditën Botërore të Rinisë   (Vatican Media)

Papa: të rinj, mos kini frikë, jeni drita e kohës sonë

Françesku kryesoi Meshën para një milion e gjysëm të rinjsh, të cilët i ftoi të mos kenë frikë nga asnjë pengesë: Kisha dhe bota kanë nevojë për ju, si toka për shiun!

R. SH. - Vatikan

Mos kini frikë, të rinj të dashur: sepse jeni si shiu që vadit tokën e tharë nga njëmijë të zeza, jeni “banjo drite”. Papa i prek në shpirt  të rinjtë, më se një milion e gjysëm, që e dëgjojnë në Meshën e fundit të Ditës botërore të rinisë, në Lisbonë!

Fjalët e Shën Palit Apostull përshkuan tej e ndanë homelinë e fundit të Papës para turmave të pafundme rinore. Të dukej se në Lisbonë qenë grumbulluar gjithë të rinjtë e botës, duke pritur një fjalë. E Papa, si t’ua lexonte mendimin, e nisi homelinë e Meshës, me të cilën mbyllej ky takim i jashtëzakonshëm, me fjalët e Apostullit: "Zot, është mirë të rrimë këtu!" (Mt 17:4). E me pyetjen: çfarë po marrim me vete duke u kthyer në luginën e jetës së përditshme?

E pyetjeve iu përgjigj me tri folje: shkëlqe, dëgjo, mos ki frikë!

Shkëlqe!

Jezusi u shpërfytyrua dhe – na kujton teksti - "fytyra e tij shkëlqeu si dielli" (Mt 17:2). Ai kohët e fundit kishte folur për mundimet e vdekjen në kryq, duke shkatërruar kështu figurën e Mesisë së fuqishëm dhe duke përmbysur ëndrrat e dishepujve. E, për t'i ndihmuar ta pranojnë planin e dashurisë së Zotit, i cili e arrin lavdinë përmes udhës së kryqit, Jezusi merr tre prej tyre, Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, i çon në mal dhe shpërfytyrohet: fytyra e tij bëhet e shkëlqyer dhe e bardhë rroba. Kjo "valë drite" i përgatit  për natën që duhet të jetojnë e, sidomos, për orët më të errëta, ato të Gjetsemanit dhe të Kalvarit. Papa i kujtoi këto çaste gati-gati të padurueshme vetëm pse edhe të rinjtë kanë nevojë për shkrepje drite që të mund ta përballojnë errësirën e natës, sfidat e jetës, frikën që i shqetëson, errësirën, që shohin shpesh përreth. Ungjilli na zbulon se kjo dritë ka një emër. Po, kjo dritë që erdhi për të ndriçuar botën është Jezusi (krh. Gjn 1,9). Ai është drita pa perëndim…  Të ndriçuar nga Krishti, edhe ne "shndërrohemi": sytë dhe fytyrat tona mund të shkëlqejnë me një dritë të re.  Vëllezër dhe motra, kjo është ajo që Kisha dhe bota pret nga ju:

“…të jeni të rinj të ndritur, që ta çoni dritën e Ungjillit kudo dhe të ndezni vezullime shprese në errësirën e kohës sonë!”.

Dëgjo!

Folja e dytë është të dëgjosh. Në mal, një re e ndritshme mbulon dishepujt dhe zëri i Atit tregon se Jezusi është Biri i dashur. Urdhri që jep Ati është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: “Dëgjojeni atë” (Mt 17:5).

Dëgjojeni Jezusin, bisedoni me të, lexoni fjalën e tij dhe jetojeni! Ndiqeni atë, sepse ai ka fjalët e jetës së amshuar. Ai zbulon se Perëndia është Ati dhe dashuria; sepse falë Shpirtit të tij edhe ne bëhemi bij të dashur – ishte ftesa e Papës drejtuar të rinjve.

E pikërisht kjo na duhet në jetë: jo fama, suksesi, paratë, por të dimë se nuk jemi vetëm, se kemi gjithmonë Dikë pranë, që ta fillojmë dhe ta mbyllim ditën me sigurinë e përqafimit me Zotin; dëgjojeni! Është kjo që na bën të aftë edhe për të dëgjuar njëri-tjetrin, të dëgjojmë realitetin që na rrethon, kulturat e tjera, zërin e vuajtur të të varfërve dhe më të brishtëve, britmën e Tokës së plagosur dhe të dhunuar:

“Sa bukur është të dëgjosh Jezusin, të dëgjosh njëri-tjetrin dhe të rritesh në dialog, në një botë ku kaq shumë shtegtojnë të mbyllur në vetminë e vet, duke menduar vetëm për veten e tyre”.

Shkëlqe, dëgjo dhe së fundi, mos ki frikë.

Këto janë fjalët e fundit që thotë Jezusi në mal për të inkurajuar dishepujt e frikësuar:

"Çohuni dhe mos kini frikë!" (Mt 17,7). Tani dishepujt mund të zbresin nga mali dhe të përballojnë sfidat që i presin! E kështu edhe ne: nëse e ruajmë dritën e Krishtit dhe fjalët e tij, edhe ne mund të ecim nëpër jetë çdo ditë,  me zemrën e çliruar nga frika”.

Jehojnë në DBR-në e Lisbonës, fjalët e Gjon Palit II

Fjalët që Shën Gjon Pali II i pati shqiptuar gjatë një DBR-je, tigëllojnë më shumë se kurrë:

«Në të vërtetë, është Jezusi që ju kërkoni, kur ëndërroni për lumturinë; Ai ju pret, kur asgjë nuk ju kënaq; Ai është bukuria që ju tërheq aq shumë; Është Ai që ju vë në provën e etjes, e cila nuk të lejon të përshtatesh me asnjë kompromis; është Ai, që ju nxit të flakni tutje maskat, që e bëjnë jetën të rreme; është Ai, që i lexon në zemrën tënde vendimet më të vërteta të cilat të tjerët donin t'i zhduknin. Është Jezusi ai, që ju ngjall dëshirën për të bërë diçka të madhe nga jeta juaj. [...] Mos kini frikë t'i besoni Atij” (Vigjilja e Lutjes, Romë, 19 gusht 2000).

Shkoni e çojani të gjithëve buzëqeshjen e Jezusit

Të dashur të rinj, dua ta shikoj secilin në sy dhe t'i them: mos ki frikë!- ishin fjalët e fundit të kësaj homelie të paharrueshme, shqiptuar në praninë e mijëra të rinjve që e ndjekin në Kishë, në sheshe, në botë!

Dua të them diçka shumë më të bukur - vijoi Ati i Shenjtë tejet i emocionuar në fund të kësaj ngjarjeje të madhe, që tani do të ketë edhe një fillim, në mbarë vendet e botës, ku do të rikthehen mijëra të rinjtë e bashkuar rreth Tij:  

“Vetë Jezusi tani të shikon, Ai që të njeh dhe të lexon në shpirt: të shikon në zemër, të buzëqesh dhe të përsërit se të do gjithmonë dhe pafundësisht. Gjithmonë dhe pafundësisht. Shkoni atëherë dhe çojeni buzëqeshjen e ndritshme të Zotit për të gjithë! Shkoni dhe dëshmoni gëzimin e besimit, shpresën që ju ngroh zemrën, dashurinë që keni për gjithçka. Shkëlqeni nga drita e Krishtit. Dëgjojeni Atë, që të bëheni edhe ju drita e botës. Dhe mos kini frikë, sepse Zoti ju do dhe ecën pranë jush. Me të jeta rilind pambarimisht!”.

06 gusht 2023, 12:35