Kërko

 Viaggio a Marsiglia - Conferenza stampa Viaggio a Marsiglia - Conferenza stampa

Françesku me gazetarët: “Marseja mirëpret, është mesazh për Evropën”

Françesku në dialog me gazetarët në avionin e kthimit nga Franca: "Migrimet e administruara mirë janë thesar". Fjalët për eutanazinë: "Kujdes nga kolonizimet ideologjike, që shkatërrojnë jetën njerëzore". Ukraina: “Nuk duhet të luajmë me martirizimin e atij populli”

R.SH. – Vatikan

 E shkurtër, por interesante, konferenca për shtyp e Papës Françesku, gjatë kthimit me avion nga Marseja, në përfundim të dy ditëve të udhëtimit të tij të 44-t apostolik, të premten e të shtunën e javës së kaluar. Migrantët, eutanazia, Ukraina, ndër argumentet e trajtuara prej tij në bisedën me gazetarët.

Para dhjetë vjetësh bëtë udhëtimin e parë në Lampeduzë e, edhe gjatë këtij udhëtimi dhatë të njëjtin mesazh për emigrantët. Mendoni se keni dështuar? – e pyeti Françeskun njëri prej gazetarëve, duke iu referuar faktit se në çështjet e emigracionit pothuaj s’ka ndryshuar asgjë.

Do të thosha se jo – u përgjigj Ati i Shenjtë. - Sot ka një ndërgjegjësim më të madh për çështjen e migracionit, jemi të vetëdijshëm se kemi arritur në një pikë kur s’dimë si t’i heqim gështenjat nga zjarri. Angela Merkel pohon se zgjidhet duke shkuar në Afrikë dhe duke ngritur nivelin e popullit afrikan. Por ka pasur raste shumë të këqija, emigrantët janë zhvendosur si në ping-pong, e dimë që përfundojnë në kampe përqendrimi, përfundojnë më keq se më parë. Unë di rastin e njërit, që vrau veten, sepse nuk mund ta toleronte këtë torturë. Njerëzve, që vijnë ,u kërkojnë para. Është jetë e tmerrshme; dëgjova për dikë që nuk donte të hipte në varkë dhe… bum, bum, kështu mbaroi historia. Nuk mund t'i kthejmë mbrapsht. E them sërish, emigrantët duhet të mirëpriten, të shoqërohen, të promovohen, të integrohen. Nëse nuk i integroni dot, shkoni e bëjeni këtë në vendin e tyre, por mos i lini në duart e këtyre trafikantëve mizorë. Ka nga ata, që i kushtohen shpëtimit të njerëzve në det. E kam ftuar njërin prej tyre në sinod, kreun e Mediterranea Saving Humans (Luca Casarini, red.). Ata tregojnë histori të tmerrshme. Sot, gjërat janë përmirësuar dhe ka më shumë ndërgjegjësim. Disa gjëra nuk diheshin më parë, nuk na thoshin të vërtetën. Është mirë t'i njohim këto drama, do të na bëjnë më njerëzorë dhe për rrjedhojë edhe më hyjnorë.

Me presidentin francez Emmanuel Macron, Papa ka folur  për ligjin e eutanazisë, që po miratohet në Francë. I pyetur, Ati i Shenjtë u përgjigj kështu, në avionin që e kthente në Romë…

Sot, nuk folëm për këtë, por e bëmë herën e fundit, në Vatikan. I thashë qartë mendimin tim. Me jetën nuk luhet as në fillim, as në fund. Në romanin “Zoti i Botës” i vitit 1903 e shohim mirë si shkojnë pastaj gjërat: vdekja e ëmbël, përzgjedhja para lindjes... Sot, duhet të kemi kujdes nga kolonizimet ideologjike, që e shkatërrojnë jetën e njeriut. Sot, zhduket me një të rënë jeta e gjyshërve, sepse mendohet se janë pleq e nuk duhen gjë. Me jetën nuk luhet. Po ashtu, edhe me ligjin për të mos e lënë fëmijën të rritet në barkun e nënës dhe me eutanazinë për sëmundje e pleqëri. Nuk është çështje feje, është çështje njerëzore. Ekziston edhe dhembshuria e keqe. Me jetën nuk luhet.

Përsa i përket luftës në Ukrainë, gazetarët i vunë në dukje Papës se misioni i paqes i Vatikanit nuk po jep rezultate. A e ndien veten keq për këtë, e pyetën.

Ndihet pak zhgënjim – u përgjigj Françesku. - Sekretari i Shtetit po bën gjithçka mundet për të ndihmuar. Kardinali Zuppi shkoi atje me mision. Ka diçka me fëmijët, që po shkon mirë. Kjo luftë, më jep idenë se është pak për interesa, jo vetëm për problemin ruso-ukrainas, por edhe për shitjen e armëve, për tregtinë e armëve. Populli ukrainas është popull martir. Historikisht. Vuajti shumë me Stalinin. Por ne nuk duhet të luajmë me martirizimin e këtij populli. Duhet ta ndihmojmë t’i zgjidhë problemet në mënyrën më të mundshme. Në luftëra, realja është më e mundshme, pa iluzionin se dy liderët ndërluftues do të hanë dreka e darka së bashku. Tani, vërej se disa vende tërhiqen e nuk japin më armë. Fillon një proces, në të cilin martir do të jetë populli ukrainas. E kjo është gjë e keqe.

Përsa i përket kësaj pjese të fundit, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, saktësoi për gazetarët se fjalët e Françeskut ishin “pjesë e një reflektimi mbi pasojat e tregtisë së armëve: Papa, me një paradoks, nënvizoi se ata që trafikojnë armë nuk i paguajnë kurrë pasojat e vendimeve të tyre, por bëjnë që t'i paguajnë popuj si ai ukrainas, popuj të martirizuar".

25 shtator 2023, 13:29