Françesku u bën vizitë Motrave të Nënë Terezës: vëllazërimi është profeci
R.SH. – Vatikan
Shtrëngimi i duarve është gjest vëllazërimi dhe të jetosh si vëllezër është profeci. Buzëqeshte Papa Françesku, ndërsa i drejtohej një auditori, që e ka kthyer në mision këtë profeci. Dita e dytë e Papës në Marsejë u hap me një takim privat me disa njerëz në vështirësi të rënda ekonomike, në Shtëpinë e Misionareve të Bamirësisë, motrave të Nënë Terezës, në Saint Mauront, një nga lagjet ndër më të varfrat e Francës.
Të jetojmë si vëllezër
"Faleminderit për pritjen - u tha Françesku - të gjithë jemi vëllezër, kjo ka rëndësi: vëllazërimi". Shumë herë qytetërimet tona, vazhdoi ai, në praninë e murgeshave dhe të të ftuarve, "na bëjnë të jetojmë si armiq, ose si të huaj. Gjest profetik është të jetosh si vëllezër: kjo është profeci!", ajo e vëllazërimit, që shkon përtej "mendimeve politike dhe fetare". Përshëndetja e Papës është falënderim për murgeshat, për dëshminë e tyre. “Jam i lumtur që ndodhem këtu”, u tha Ati i Shenjtë.
Mikpritja e të varfërve
Motër Crosvita e dëgjon Papën me emocion: prej dy vitesh në Marsejë, ajo dhe murgeshat e tjera të Nënë Terezës kanë hapur një mencë për varfrit, e cila shpërndan 50 vakte, 3-4 herë në ditë. “Janë të varfër – shpjegon murgesha – disa jetojnë në rrugë, kohët e fundit kemi një grup njerëzish që kanë ardhur nga Sudani, nuk kanë ku të rrinë, flenë në rrugë. Pastaj, ka edhe njerëz që kanë ku të flenë, por nuk kanë mundësi të hanë, i gjejmë këtu që në mëngjes herët”.
Shohim Krishtin në tjetrin
Mes njerëzve në radhë për të ngrënë, përveç emigrantëve, ka edhe francezë, “persona, që kanë pasur probleme dhe që nuk kanë mjete për jetesë”. Murgeshat nuk bëjnë pyetje, i mirëpresin dhe u shtrijnë dorën. “Kur i pyesim si ndihen, fillojnë të tregojnë e kjo është mirë për ta, sepse nuk kanë kujt t'i shfryhen, ndonjëherë kanë konfuzion në mendje, por gjithmonë për të njëjtën arsye, pasi jetojnë me ankthin se s’janë në gjendje t'ia dalin dhe kanë nevojë të flasin me dikë. Nganjëherë, flasin, nganjëherë, nuk arrijnë, sepse janë tejet të shqetësuar”.
Kjo është profecia e mikpritjes dhe e vëllazërimit, që motër Crosvita dhe simotrat e saj i dëshmuan Papës, kur i folën për misionin e tyre: "Të shohësh Krishtin tek tjetri, tek njerëzit e tjerë, çdo person që na afrohet dhe që takojmë është Krishti".