Françesku u largua nga Marseja, i përshëndetur me dashuri e mirënjohje
R.SH. – Vatikan
Mesha e kryesuar nga Papa Françesku në stadiumin Vélodrome ishte akti i fundit publik i vizitës së tij në Marsejë, ku sot paradite mori pjesë në seancën përfundimtare të Takimeve Mesdhetare.
E thjeshtë dhe pa fjalime ceremonia para nisjes në aeroport: Françesku u prit nga presidenti i Republikës Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, për një takim privat që zgjati rreth dhjetë minuta. Avioni papnor u nis në orën 19.28 për në Romë-Fiumicino.
Në bord, konferenca e zakonshme për shtyp me gazetarët. Menjëherë pas mbërritjes në aeroportin ndërkombëtar Leonardo da Vinci, parashikuar në orën 20.50, Françesku do të kthehet në Vatikan. Fjalët e fundit publike ia drejtoi Papës kryeipeshkvi i Marsejës, kardinali Jean-Marc Aveline, në fund të meshës në stadium: "Faleminderit, Atë i Shenjtë! Marseja dhe bashkë me të, e gjithë Franca, nuk do ta harrojë kurrë dhuratën e jashtëzakonshme që na bëtëi." Në përshëndetjen pas meshës, mirënjohja e Françeskut për “mirëpritjen e ngrohtë”: “Të dashur vëllezër dhe motra, takimet e këtyre ditëve do t’i mbaj në zemër”.
Por, edhe në fund, Papa nuk harroi të vinte në dukje rëndësinë e Kishës marsejeze, e para në botë, që iu kushtua Zemrës së Krishtit, në vitin 1720, gjatë një epidemie murtaje; përshëndeti edhe besimtarët nga Nica, ku më 14 korrik 2016, atentati terrorist islamik shkaktoi shumë të vdekur; kujtoi të sëmurët, fëmijët e të moshuarit, si edhe popullin ukrainas, por edhe priftin e parë punëtor të Francës, Jacques Loew. E u kërkoi të gjithëve të luten për të: “Ce travail n’est pas facile ! » (Kjo punë nuk është e lehtë), tha për punën e vet si Papë i Romës.