Kardinali Lopez Romero: Papa vjen në Marsejë për të na ndërgjegjësuar mbi paqen
R.SH. - Vatikan
Dëshira e thellë për të arritur paqen në Mesdhe mbledh në Marsejë 70 ipeshkvij nga brigjet e këtij deti, djep i feve, të cilët mbërritën të mërkurën, më 20 shtator, në qytetin bregdetar francez. Dy ditë para mbërritjes së Papës Françesku, ata po vazhdojnë punën e nisur gjatë takimeve të mëparshme në Itali, në vitet 2020 dhe 2022. Në këto Takime merr pjesë edhe kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, në përfaqësi të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Më 21 shtator, meshën e hapjes së punimeve e kryesoi kardinali Cristobal Lopez Romero, kryeipeshkëv i Rabatit, kryeqytet i Marokut. Në një intervistë me mediat e Vatikanit, kardinali flet pikërisht për Takimet Mesdhetare, që sivjet mbahen në Marsejë. Kujtojmë se Ati i Shenjtë do të marrë pjesë në mbylljen e tyre e veprimtaria e tij, të premten e të shtunën, përqendrohet në impenjimin në favor të emigrantëve dhe në dialogun ekumenik e ndërfetar. Por, të dëgjojmë kardinalin Lopez Romero, që shpjegon çfarë presin ipeshkvijtë nga “Rencontres méditerranéennes”…
Ne, ipeshkvijtë e Konferencës rajonale të Afrikës Veriore (CERNA), tetë vjet më parë u shkruam besimtarëve një letër baritore me titull "Shërbëtorët e Shpresës". Këto Takime mund të jenë bazë për shpresë. Edicionet e Barit, Firences dhe tani, Marsejës, na kanë ndihmuar të ndërgjegjësohemi për përkatësinë tonë të përbashkët në Mesdhe, pavarësisht nga dallimet. Kjo na fton ta bëjmë Mesdheun jo kufirin e paqes, por një paqe pa kufij. Prandaj, fryti i parë i këtyre takimeve duhet të jetë vendosja e paqes dhe shtimi i unitetit.
Çfarë diskutoni me ipeshkvijtë e tjerë në këtë Takim? Cili është shqetësimi juaj kryesor?
Fillimisht, duhet të jemi të vetëdijshëm për bashkimin ndërmjet nesh. Çka na bashkon është më e rëndësishme se çka na ndan. Është e natyrshme, sepse të gjithë jemi ipeshkvij, kemi të njëjtën fe në Krishtin, që na nxit. Duke u nisur nga ky unitet, ne duhet të kontribuojmë për paqen dhe bashkimin në Mesdhe. Ka shumë konflikte dhe tensione në këtë rajon, mendoni për Ballkanin, Kroacinë dhe Serbinë, Marokun dhe Algjerinë, Greqinë dhe Turqinë, Izraelin dhe Palestinën, për të mos përmendur Sirinë, Irakun apo Ukrainën dhe Rusinë, të cilat janë pjesë e pellgut të Detit të Zi dhe, rrjedhimisht, të Mesdheut.
Duhet të kemi parasysh se të gjithë jemi vëllezër, të cilët punojnë për të mirën e përbashkët, jo për atë nacionaliste, por për të mirën e përbashkët universale. Pse të mos mendojmë për një bashkësi mesdhetare? Pse jo për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet bregut verior dhe bregut jugor të Mesdheut, si edhe për mbështetjen e brigjeve lindore dhe të Lindjes së Mesme? Mendoj se paqja dhe uniteti janë fjalë kyçe në këto Takime mesdhetare.
Si e shihni këtë shtegtim në Mesdhe të Papës Françesku, nga Lampeduza më 2013, në Marok më 2019 e tani, në Marsejë, duke prekur gjithsej 17 vende kufitare me Mesdheun?
Kjo shifër është domethënëse dhe mbart një mesazh. Do të thotë se Papa e njeh rëndësinë e këtij pellgu mesdhetar dhe se impenjohet për të. Shkoi në Bari e tani vjen në Marsejë, duke mbështetur gjithë procesin e Takimeve mesdhetare. Shpresoj që prania e tij këtu në Marsejë të prekë më tepër ndërgjegjet.
Mbrojtja e të krishterëve në disa brigje të Mesdheut dhe liria fetare janë gjithashtu në qendër të këtyre Takimeve, apo jo…
Ne, katolikët, përfaqësojmë vetëm një pjesë të vogël të këtij njerëzimi mesdhetar. Këto ditë, ne duhet të bëjmë thirrje për Takime Mesdhetare ndërfetare dhe ekumenike, me myslimanë dhe ortodoksë. Nuk bëhet fjalë për të mbrojtur vetëm të drejtat e katolikëve apo të krishterëve, por të drejtat e të gjithë njerëzve për lirinë e ndërgjegjes, për lirinë fetare. Kur katolikët vuajnë në disa vende, myslimanët vuajnë në të tjera dhe hebrenjtë vuajnë antisemitizmin. Liria fetare nuk do të respektohet nëse fetë nuk fillojnë të punojnë së bashku për të mirën e të gjithëve.