Papa Françesku dhe Emmanuel Macron Papa Françesku dhe Emmanuel Macron

Papa Françesku takon presidentin francez Macron

Kreu i shtetit francez ishte ulur në rreshtin e parë në auditoriumin e Palais du Pharo për të dëgjuar fjalimin e Papës në seancën e fundit të Rencontres Méditerranéennes. Më pas në Salon d'honneur du Marie u zhvillua takimi privat dhe përshëndetja e Atit të Shenjtë me familjen presidenciale. Njëkohësisht, kardinali Parolin u takua me kryeministren Borne

R.SH. – Vatikan

Së pari, një përshëndetje jo formale në Palais du Pharo në Marsejë, ku Papa mori pjesë në seancën e fundit të Rencontres Méditerranéennes, pastaj takimi privat në Salon d'honneur du Maire. Françesku u takua dy herë paraditen e sotme me presidentin e Republikës Franceze, Emmanuel Macron, i cili erdhi për t’i uruar mirëseardhjen së bashku me të shoqen Brigitte.

Macron ishte ulur në rreshtin e parë në sallën e madhe ku Papa mbajti fjalimin e tij, në fund të së cilit tregoi një anekdotë për vetveten: "Një herë presidenti më ftoi të vizitoj Francën dhe më tha: ka rëndësi të vini në Marsejë”.

 Rreth orës 11:30, Papa dhe presidenti u takuan privatisht në Sallën e Nderit. Siç bën të ditur Salla e Shtypit e Vatikanit, pas fotografisë zyrtare, pati një bisedë konfidenciale, që u pasua nga paraqitja e familjes dhe shkëmbimi i dhuratave.

Në të njëjtën kohë, në dhomën ngjitur, u mbajt një takim i shkurtër ndërmjet Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin dhe kryeministres Élisabeth Borne, në prani të zëvendësit të Sekretarisë së Shtetit, imzot Edgar Peña Parra, të nuncit apostolik në Francë, imzot Celestino Migliore, dhe të një këshilltari të nunciaturës.

23 shtator 2023, 12:46