Kërko

Papa klerit francez: “t’u çojmë njerëzve vështrimin e Krishtit dhe Birit të Zotit vështrimin e vëllezërve”

Në lutjen mariane bashkë me ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët, në Bazilikën e Zojës së Rojës, në Marsejë, Papa Françesku i nxiti meshtarët e rregulltarët t’u çojnë njerëzve vështrimin e Jezu Krishtit dhe t’i çojnë Birit të Zotit vështrimin e vëllezërve. “Në rastin e parë – nënvizoi Ati i Shenjtë – jemi mjete të mëshirës, në rastin e dytë, mjete ndërmjetësimi”

R.SH. – Vatikan

Momenti i parë i vizitës së Papës Françesku në qytetin francez u mbajt në Bazilikën e Notre Dame de la Garde me rastin e mbylljes, nesër, të “Rencontres Méditerranéennes”. Ftesa e Papës drejtuar klerit të Marsejës : mbillni paqen me vështrim dhembshurie për të gjithë. “T’u çojmë vëllezërve vështrimin e Zotit, t’i çojmë Hyjit etjen e vëllezërve, të përhapim gëzimin e Ungjillit. Kjo është jeta jonë dhe është jashtëzakonisht e bukur, pavarësisht nga lodhjet e problemet”. Kështu i tha Papa klerit dioqezan të Marsejës, në lutjen mariane bashkë me ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët, në Bazilikën e Zojës së Rojës, simbol i kryeqytetit bregdetar francez, Roje e marinarëve, por edhe e të gjithë misionarëve, që prej këndej nisen për të ungjillëzuar toka të tjera.

Mëshira e ndërmjetësimi

Sapo mbërriti në Marsejë, Françesku shkoi menjëherë në këtë kishë lartuar në kodrinën mbi qytet, u lut me klerin e ndezi një qiri për shën Marinë, së cilës i kërkoi të nxjerrë prej Jezu Krishtit “hirin për ta dashur gjithnjë e më shumë e për t’i ngjarë çdo ditë e më tepër”. Gjatë fjalës së mëpasme, Papa u kujtoi meshtarëve e rregulltarëve francezë njerëzit e mëdhenj, që janë gjunjëzuar para Notre Dame de la Garde, si shën Tereza e Krishtit Fëmijë, shën Sharl dë Fukò e shën Gjon Pali II. “Që nga shekulli XIII – shpjegoi Ati i Shenjtë – Populli i Zotit ka kërkuar e ka gjetur këtu, në kodrinën e La Garde, praninë e Hyjit, përmes syve të Nënës së tij Shenjte”, Për këtë arsye, prej shekujsh, marsejezët ngjiten për t’u lutur në bazilikën e ndërtuar në vitet 1853-1864, mbi një kapelë më të lashtë kushtuar Virgjërës, të cilën ata e quajnë “Bonne Mère” – Nënë e Mirë. Ashtu si kjo Nënë, u kërkoi Papa meshtarëve e rregulltarëve, jemi të thirrur t’u çojmë njerëzve vështrimin e Jezu Krishtit dhe t’i çojmë Birit të Zotit vështrimin e vëllezërve. “Në rastin e parë – nënvizoi Ati i Shenjtë – jemi mjete të mëshirës, në rastin e dytë, mjete ndërmjetësimi”.

Ngrohtësia e vështrimit atëror e amnor të Zotit

Vërtet, shtatorja e njohur e Zojës, në majë të bazilikës, 11 metra e 20 centimetra e lartë, u tregon njerëzve Jezusin, që mban në krah, i cili i vështron njerëzit nga lart, jo për t’i gjykuar, por për t’i ngritur sërish më këmbë ata, që janë rrëzuar në jetë. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe meshtarët, duke hapur dyert e kishave e të zemrave.

“Kushdo t’ju afrohet – i këshilloi Françesku – të mos gjejë distanca e gjykime, por të gjejë dëshminë e gëzimit të përvuajtur, më i frytshëm se çdo lloj zotësi, që tregohet me mburrje. Të plagosurit nga jeta të gjejnë një port të sigurtë në vështrimin tuaj, një inkurajim nga përqafimi juaj, një përkëdhelje nga duart tuaja, në gjendje të fshijnë lotët. Megjithë punët e shumta të përditshme, ju lutem, mos lejoni t’ju mungojë ngrohtësia e vështrimit atëror e amnor të Zotit”.

Meshtarët e rregulltarët, vijoi Papa, e kanë për detyrë që, përmes hirit të Tënzot, t’i lirojnë njerëzit nga zinxhirët e mëkatit, nga bllokimi, pakënaqësia, problemet shpirtërore e frika, duke i afruar me Sakramentet, duke u dhënë shpresë, por sidomos, duke bërë që ata ta ndiejnë afërsinë e Zotit që ngushëllon, mëshirën e Tij që shëron dhe dhembshurinë e Tij që mallëngjen. Kjo është detyra e parë, nënvizoi Papa: t’u çojmë vëllezërve këtë vështrim të Jezu Krishtit.

Bëhuni jehona besnike e besimtarëve para Zotit, si ndërmjetësues

 E pastaj, ka edhe një vështrim tjetër: ai, që burrat e gratë e të gjitha kohrave, e drejtojnë kah Jezusi. Ati i Shenjtë i kërkoi klerit francez, por jo vetëm atij, të bëhet zë, që ndërmjetëson për vëllezërit në çdo lutje të ditës, sidomos gjatë lutjes së adhurimit.

“Bartni me vete sytë e [njerëzve, që Provania Hyjnore ju vë në rrugën tuaj], zërat, pyetjet e tyre: në Tryezën eukaristike, para Tabernakullit, ose në heshtjen e dhomës suaj, ku Ati Qiellor sheh. Bëhuni jehona e tyre besnike, si ndërmjetësues, si ‘engjëj në tokë’, lajmëtarë, që çojnë gjithçka ‘para lavdisë së Zotit’ (Tb 12,12)”.

Tre imazhet e shën Marisë

Në fund të fjalës së tij, Papa përshkroi tre imazhet e shën Marisë, që shihen në Bazilikën Notre Dame de la Garde. Së pari, shtatoren e madhe në majë të saj, që mban në krah Jezu Krishtin, i cili bekon njerëzit. Ky është vështrimi i mëshirës, vërejti Françesku. Pastaj, imazhi i dytë, që ndodhet në kriptën e kishës: Vierge au bouquet, dhuratë e një laiku. Shën Maria mban në njërin krah Jezusin, por në tjetrin, një tufë me lule, si të ishin një tufë besimtarësh, që ia paraqet të Birit. Ky është vështrimi i ndërmjetësimit, pohoi Ati i Shenjtë. Së treti, Zoja në altar, e cila të prek me shkëlqimin, që rrezaton.

“Të dashur vëllezër e motra – përfundoi Papa Françesku – bëhemi Ungjill i gjallë në masën me të cilën e dhurojmë atë, duke dalë nga vetvetja, duke pasqyruar dritën e bukurinë e tij me një jetë të përvuajtur, të gëzueshme, të pasur me zell apostolik. Të na shërbejnë si shembull për këtë misionarët e shumtë, që janë nisur nga kjo lartësi për të kumtuar Lajmin e Mirë të Jezu Krishtit për botën mbarë”.

22 shtator 2023, 17:45