Papa mbërriti në Marsejë, ku u prit nga kryeministrja Borne
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Marsejës, ku e priti kryeministrja franceze, Élisabeth Borne, në një atmosferë të gëzuar, ku spikatën disa fëmijë me veshje tradicionale. Pas himneve të të dyja vendeve, Ati i Shenjtë parakaloi para Gardës së Nderit, ndërsa u paraqitën delegacionet përkatëse. Më pas, Ati i Shenjtë, i shoqëruar nga kryeministrja, shkoi në sallën Hélène Boucher për një takim të shkurtër. Pastaj, u nis me makinë për në Bazilikën e Notre-Dame de la Garde, ku do të thotë lutjen mariane dhe do t’i flasë klerit dioqezan.
Para nisjes, takimi me disa gra në gjendje të vështirë
Sot pasdite, para nisjes së tij për në Marsejë, Papa Françesku përshëndeti në Shtëpinë e Shën Martës rreth 20 gra, që strehohen nga Motrat e Nënë Terezës në shtëpinë e tyre në Vatikan, “Dono di Maria” (Dhuratë e Marisë). Të pranishme, edhe disa nga misionaret e bamirësisë, kujdesit të të cilave u janë besuar këto gra.
Qëllimi i vizitës, promovimi i udhëve të paqes
Gjatë udhëtimit për në Marsejë, Papa dërgoi dy telegrame: njërin për presidentin italian, Sergio Mattarella dhe tjetri për atë francez, Emmanuel Macron, të cilin do ta takojë nesër. Në telegramin për kreun e shtetit italin, Françesku shpjegon qëllimin e udhëtimit të tij: në Marsejë do të marrë pjesë "në një takim që bashkon kishat dhe qytetet" e Mesdheut, me synimin për të reflektuar mbi sfidat e mikpritjes, të integrimit dhe të vëllazërimit, në mënyrë që të inkurajohet dialogu ndërkulturor dhe të promovohen udhët e paqes.