2023.09.22 Viaggio a Marsiglia - Momento di raccoglimento al Memoriale 2023.09.22 Viaggio a Marsiglia - Momento di raccoglimento al Memoriale

Papa me krerët fetarë, në Marsejë: të kompozojmë së bashku një mozaik paqeje

“Nuk mund të dorëzohemi e t’i shohim qeniet njerëzore të trajtohen si mall për treg, të burgosur dhe të torturuar me mizori; nuk mund të asistojmë pasivë në tragjeditë e mbytjes së anijeve, për shkak të trafikëve të urryer dhe të fanatizmit të indiferencës. Njerëzit, që rrezikojnë të mbyten kur braktisen në mes të valëve, duhet të shpëtohen. Është detyrë humanizmi, është detyrë qytetërimi!” Kështu Papa Françesku, në Memorialin marsejez kushtuar marinarëve dhe emigrantëve të mbytur në det

R.SH. – Vatikan

“T’u bëjmë ballë të bashkuar të gjitha problemeve, të mos e mbysim shpresën, të kompozojmë së bashku një mozaik paqeje!” Këtë u kërkoi Papa Françesku krerëve fetarë, mbledhur sonte në Memorialin marsejez kushtuar marinarëve dhe emigrantëve të mbytur në det. Ishte veprimtaria e dytë e Atit të Shenjtë, i cili që sot pasdite, ndodhet në Marsejë, në udhëtimin e tij të 44-t apostolik, për të mbyllur edicionin e tretë të Takimeve Mesdhetare. Që nga 17 shtatori e deri në datën 24 shtator, ipeshkvijtë e vendeve, që lagen nga Deti Mesdhe, janë mbledhur në qytetin bregdetar francez për të folur mbi paqen, emigrantët, ekumenizmin e dialogun ndërfetar.

Të mos i konsiderojmë mbytjet në det si lajme kronike

Pasi u lut para Zojës së Rojes, në bazilikën kushtuar asaj, Ati i Shenjtë Franèesku u zhvendos në Memorialin kushtuar të mbyturve, që të lutej së bashku me krerë të tjerë fetarë për emigrantët, “për ata, që nuk ia dolën e nuk u shpëtuan” nga dallgët e detit, në përpjekjen për të gjetur një jetë më të mirë në Evropë. “Të mos mësohemi t’i konsiderojmë mbytjet si lajme kronike dhe vdekjet në det si shifra: jo, janë emra e mbiemra, janë fytyra e histori, janë jetë të ndërprera e ëndrra të thyera”, theksoi Françesku, para se t’i ftonte të gjithë në një çast heshtjeje për këto tragjedi.

 “Ky det i mrekullueshëm – vuri në dukje më pas Ati i Shenjtë – është kthyer në një varrezë të stërmadhe, ku shumë vëllezër dhe motra privohen edhe nga e drejta për të pasur një varr. Aty varroset veç dinjiteti njerëzor”.

Bota në udhëkryqin e qytetërimit

 Papa kujtoi librin-dëshmi “Vëllai i vogël”, protagonisti i të cilit, në fund të udhëtimit të vështirë nga Guinea në Evropë, pohon: “Kur ulesh mbi det, gjendesh në udhëkryq: nga njëra anë jeta, nga tjetra, vdekja. Nuk ka rrugëdalje tjetër”. Edhe para nesh, nënvizoi Françesku, ka një udhëkryq: nga njëra anë, vëllazërimi, i cili dikon të mirën mbi bashkësinë njerëzore; nga ana tjetër, indiferenca, që përgjak Mesdheun. Jemi para një udhëkryqi qytetërimesh”, denoncoi Françesku.

“Nuk mund të dorëzohemi e t’i shohim qeniet njerëzore të trajtohen si mall për treg, të burgosur dhe të torturuar me mizori; nuk mund të asistojmë pasivë në tragjeditë e mbytjes së anijeve, për shkak të trafikëve të urryer dhe të fanatizmit të indiferencës. Njerëzit, që rrezikojnë të mbyten kur braktisen në mes të valëve, duhet të shpëtohen. Është detyrë humanizmi, është detyrë qytetërimi!”

Në rrënjët e tri feve monoteiste të Mesdheut është mikpritja

Papa Françesku përmendi historinë biblike të Abrahamit, i cili, duke pritur me dashamirësi të huaj në tendën e vet, mori prej Zotit dhuratën e familjes, nga e cila e ka rrjedhën Populli i Zotit. Pra, vërejti Ati i Shenjtë, “në rrënjët e tri feve monoteiste të Mesdheut është mikpritja, dashuria për të huajin, në emër të Zotit”.

Pikërisht, duke iu referuar krishtërimit, Islamit dhe hebraizmit, feve kryesore në Mesdhe, Papa vuri në pah se marrëdhëniet ndërmjet grupeve të ndryshme fetare nuk janë gjithnjë të lehta, “me krimbin e ekstremizmit dhe murtajën ideologjike të fundamentalizmit, që e korruptojnë jetën e vërtetë të bashkësive. Por, për këtë, dua t’i bëj jehonë asaj, që shkruante një njeri i Zotit, i cili ka jetuar jo larg prej këtij vendi: ‘Askush të mos mbajë në zemër ndjenja urrejtje për të afërmin, por dashuri, sepse kush urren edhe një njeri të vetëm nuk mund të rrijë i qetë para Zotit. Zoti nuk ia dëgjon lutjen për sa kohë e mban zemërimin në zemër’ (Shën Çezari i Arles, Fjalime, XIV, 2).

Të mos kemi frikë nga problemet, që na shtron Mesdheu

Edhe vetë Marseja ndodhet në udhëkryqin e takimit, ose të konfliktit, vërejti Françesku, duke pasur parasysh problemet e kohëve të fundit me emigrantët. Por ka edhe shembuj të mirë si Marseille-Espérance, organizëm për dialogun ndërfetar, që promovon vëllazërimin dhe bashkëjetesën paqësore, i pranishëm në takimin me Papën. Ati i Shenjtë përmendi edhe Jules Isaac, pionier i dialogut, në 60-vjetorin e vdekjes. “Ju jeni Marseja e së ardhmes – u tha të pranishmëve. – Ecni përpara pa u shkurajuar që ky qytet të jetë për Francën, për Evropën e për botën, mozaik shprese” për të vazhduar luftën kundër idhujve, për të shembur muret, për të ndërtuar ura e për t’i dhënë jetë një humanizmi të ri.

“Mjaft, – thirrja e fundit e Papës, me fjalët e gazetari e politikanit të ndjerë italian, David Sassoli – të mos kemi frikë nga problemet, që na shtron Mesdheu. Është në lojë mbijetesa e Bashkimit Evropian dhe e ne të gjithëve”.

22 shtator 2023, 18:55